Lamert pret Topallin | Gjermania | DW | 04.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Lamert pret Topallin

Bundestagu gjerman dhe parlamenti shqiptar duan të intensifikojnë marrëdhëniet në të ardhmen. Kjo doli në pah nga takimi që u zhvillua të martën në Berlin ndërmjet kryetarit të Bundestagut, Norbert Lamert , dhe kryetares së kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli

Jozefina Topalli dhe Norbert Lammert në Berlin

Jozefina Topalli dhe Norbert Lammert në Berlin

Nuk ishte hera e parë që Norbert Lamert takohej me Jozefina Topallin. Dy vjet më parë, asokohe zëvendëskryetar i Bundestagut, Lammert kishte qenë në Shqipëri dhe e kishte takuar homologen e tij të tanishme, asokohe si përfaqësuese të opozitës shqiptare. Ky takim i mëparshëm ndjehej edhe në atmosferën miqësore të përshëndetjes mes dy kryeparlamentarëve. Tema qendrore e bisedës që zgjati mbi një orë ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë. Presidenti i Bundestagut Norbert Lamert nënvizoi me këtë rast edhe njëherë besimin e Gjermanisë në këtë perspektivë: Nuk do të angazhoheshim gjatë gjthë këtyre viteve në mënyrë kaq intensive, si në aspektin politik, ekonomik dhe financiarisht, në qoftë se nuk do të besonim tek perspektiva e evropiane e Shqipërisë, theksoi presidenti kristiandemokrat Norbert Lamert.

Një ndihmë, për të cilën homologja e tij shqiptare, demokratja Jozefina Topalli, gjeti fjalët e duhura të falenderimit: "Falenderova presidentin për ftesën dhe interesimin për zhvillimet e fundit në Shqipëri, natyrisht Gjermaninë për mbështetjen kaq të gjatë në fushën financiare ekonomike dhe politike të pakursyer për Shqipërinë, për mbështetjen që na kanë dhënë në firmosjen e marrëveshjes së asociim-stablizimit".

Dy politikanët i premtuan njëri tjetrit edhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy parlamenteve. Lamert tha, se shpreson që një në një të ardhme të afërt të gjejë një mundësi për të ardhur në Shqipëri. "Premtuam që do t'i intensifikojmë marrëdhëniet ndërmjet dy parlamenteve. Sapo kemi ndërtuar një grup parlamentar për Evropën Juglindore dhe kolegët do ta ndjekin me vëmendje këtë çështje," - përfundoi Lamert.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ndodhet që të martën për një vizitë dyditore në Gjermani. Krahas takimit me kryetarin e Bundestagut, është planifikuar për të mërkurën edhe një takim me kryetarin e Komisionit Parlamentar të marrëdhënieve me jashtë, Ruprecht Polenc, si edhe një bisedë informuese në Institutin Gjerman për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, "Shkenca dhe Politika" në Berlin. Topalli viziton Gjermaninë me detyrën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë pë herë të parë.

  • Data 04.04.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0y
  • Data 04.04.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0y