1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Ky nuk është më ligj migrimi"

Thomas Mösch29 Mars 2004

Studiuesit e ekonomisë të pakënaqur me kompromisin në Gjermani

https://p.dw.com/p/Ar74
Konservatorët kërkojnë të inkuadrojnë edhe aspektet e sigurisë në ligjin për migrimin
Konservatorët kërkojnë të inkuadrojnë edhe aspektet e sigurisë në ligjin për migriminFotografi: AP

Presidenti i institutit HWWA për kërkime ekonomike është i zhgënjyer. Për të propozimi i kompromisit i paraqitur tani në Berlin nuk mund të quhet më ligj për migrimin, por vetëm ligj për integrimin. Straubhaar kritikon para së gjithash faktin që koalicioni qeverisës dhe opozita me sa duket duan të heqin dorë nga përcaktimi në ligj i koutave të migrimit, nga përzgjedhja e migrantëve sipas sistemit të pikëve. Sipas tij, vetëm një sistem i tillë bën të mundur që migrimi të kontrollohet në mënyrë fleksible edhe sipas nevojave të ekonomisë:

"Migrimi është në gjendje të ndihmojë në plotësimin e boshllëqeve brenda një kohe të shkurtër në sektorë të veçantë, për profesione të veçanta ose në rast mungese specialistësh. Për ekonominë në përgjithësi ai paraqet mundësinë për të sjellë në vend nga jashtë personelin që mungon."

Duke qenë se edhe në Gjermani të gjitha forcat politike kanë arritur mirëkuptim, debati i tanishëm në Berlin është vetëm shprehje e matjes së fuqive midis partive, thotë Straubhaar. Këtu bën pjesë edhe përpjekja e partive konservatore CDU dhe CSU për ta lidhur çështjen e migrimit me aspekte të politikës së sigurisë. Prandaj Straubhaar vështron thuajse me zili drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pas 11 shtatorit 2001 atje tema e migrimit po diskutohet para së gjithash në aspektin ekonomik, thotë eksperti për migrimin Philipp Martin nga universiteti në Davis, pranë kryeqytetit kalifornian Sacramento. Ekonomia amerikane investon shumë para dhe energji për të vendosur me ligj kuota më të larta migrimi.

"Në përgjithësi bashkësia e biznesit tek ne ka qenë dhe është shumë pro imigrimit. Ka një ndarje. Industria e teknologjisë së lartë është për indianët, bujqësia është për meksikanët; por ata janë për më shumë dhe jo për më pak imigrantë."

Tani po diskutohet mbi atë se si duhet vepruar me numrin e përllogaritur prej 10 milionë të huajve, të cilët punojnë pa leje në Shtetet e Bashkuara. Martin shpjegon se presidenti Bush ka ndër mend t'u ofrojë atyre leje pune. Madje demokratët duan t'u garantojnë të drejtën përfundimtare të qëndrimit pas pesë vitesh pune të ligjshme. Megjithatë republikanët në fuqi janë thellësisht të ndarë në grupin liberal-ekonomik dhe në të atyre që kanë frikë nga infiltrimi i huaj. Prandaj, mendon Martin, nuk ka gjasa që të arrihet zgjidhje përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Por kaliforniani Philipp Martin dhe Thomas Straubhaar nga Hamburgu pajtohen se migrimi nuk ka atë ndikim që beson politika. Thomas Straubhaar thotë:

"Në aspektin afatgjatë është kështu: matur me gjithë rrethanat e tjera makroekonomike migrimi ka një peshë relativisht të vogël, pasi numri i njerëzve që emigrojnë dhe zënë vende pune është relativisht i vogël."

Migrimi i kontrolluar nuk do ti rrezokojë strukturat ekonomike dhe sociale. Por ai nuk mund të jetë edhe ilaçi i vetëm kundër plakjes së popullsisë.

"Për ta zgjidhur këtë problem me anë të migrimit duhet të vijë vit për vit një numër i jashtëzakonshëm njerëzish me përbërje të duhur moshe. Kjo do ta ndryshonte tërësisht popullsinë në Gjermani duke e rritur deri në një të tretën përqindjen e të huajve. Për mendimin tim, kjo nuk është e bërshme politikisht. Ndaj nuk duhen ngjallur shpresa të kota. Migrimi mund ta zbusë problemin e plakjes demografike, por nuk mund ta zgjidhë atë."

Megjithatë, kush heq dorë nga kontrolli fleksibël i migrimit, ai i heq ekonomisë mundësi të vlefshme manovrimi, beson Straubhaar.