Kush i ka vjedhur projektet e ndërtimit të qendrës së re të Shërbimit Informativ Gjerman (BND)?
13 Korrik 2011Një gardh i lartë dhe me dërrasa të ngjeshura, një derë hyrjeje prej çeliku, në krahë katër tabela metalike me udhëzime të qarta: Hyrja në kantierin e ndërtimit është rreptësisht e ndaluar për personat e paautorizuar, ndërtesa vëzhgohet nga video-kamera, përdorimi i celularëve dhe aparatëve fotografikë është i ndaluar. Në kryqëzimin Chauseestraße/Habersaathstraße në lagjen Berlin - Mitte, ku në një sipërfaqe prej 260 mijë metrash katrorë është duke u ndërtuar një ndërtesë e madhe për qendrën e Shërbimit Informativ gjerman (BND), sundojnë rregulla të ashpra. Kush punon këtu, ka kaluar nëpër kontrollin e sigurisë dhe zotëron një dokument që i lejon shkallë-shkallë hyrjen në ndërtesë. Megjithatë, është arritur që pjesë e projekteve të ndërtimit të vidhen bën të ditur revista informative Focus. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert flet për një proces i cili duhet marrë seriozisht.
"Qeveria gjermane është shumë e interesuar që kjo ngjarje të sqarohet. Shërbimi Informativ Gjerman ka krijuar një komision, i cili duhet të hetojë këtë rast. Ata do të kontrollojnë me imtësi të gjitha institucionet, që kanë të bëjnë me ndërtimin. Komisioni do të kontrollojë me imtësi ku ndodhen të dhënat delikate, kush ka patur të drejtë të shohë të dhëna të tilla. Përveç kësaj, i është kërkuar autoriteteve gjermane që të bëjnë vlerësimin e sigurisë", tha ai.
E thënë qartë, kjo do të thotë se megjithëse vjedhja është bërë një vit më parë, ajo nuk është sqaruar deri më sot dhe me sa duket nuk janë vetëm politikanët ata, që nuk dinë gjë. Kritika vijnë nga të gjitha palët. Drejtuesit e Shërbimit Informativ Gjerman duhet të sqarojnë rastin pa u vonuar, thonë politikanët e të gjitha partive. Kur e ka mësuar BND se i janë vjedhur kopje të projekteve të ndërtimit? A janë informuar menjëherë qeveria federale dhe organi kontrollues? Këtë pyetje bën për shembull Obmann-i i Të gjelbërve në komisionin parlamentar të kontrollit të shërbimeve sekrete, Hans-Christian Ströbele. Është shumë e turpshme që të vidhen dokumenta të shërbimit informativ, thotë politiani kristiandemokrat dhe kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e brendshme, Wolfgang Bosbach. Por, sa sekrete janë projektet e vjedhura nga qendra e re e Shërbimit Informativ, qendrës gjoja më moderne të Evropës? Sipas informacioneve të Focus-it, ato japin të dhëna për funksionet e dhomave, madhësinë e mureve, vendndodhjen e pengesave të sigurisë dhe e daljeve emergjente, deri vendndodhjen e WC-ve.
Kritikat e opozitës
Deputeti Wolfgang Neskovic, i Të majtëve flet për pakujdesi të madhe: "Sipas informacioneve që kemi në dispozicion ka dalë se të prekura janë qendra e teknikës dhe e logjistikës. Kjo është pjesa qendrore e një shërbimi informativ. Dhe për agjentët dhe terroristët, të hedhin shikimin në të dhëna të tilla është sikur të kenë fituar llotarinë."
Ekspertët për çështjet e brendshme të socialdemokratëve dhe Të gjelbërve nuk besojnë se projektet e marra janë shumë të rëndësishme. Në një projekt të dimensioneve si ai për ndërtimin e ri të një qendre të Shërbimit Informativ, ekzistojnë sigurisht disa kopje të projekteve, sepse çdo pjesë e procesit të ndërtimit ka nevojë për një ekzemplar, thotë deputeti i socialdemokratëve, Michael Hartmann. Dokumentet nuk janë shumë sekrete, ato vlerësohen me gradën më të ulët të klasifikimit të sekretit: "Kodifikimi- Vetëm për përdorim të brendshëm". Megjithatë disa politikanë supozojnë se prej vjedhjes do të rriten kostot e ndërtimit. Parlamentari i Të gjelbërve Ströbele thotë:"Dëmet mund të jenë në miliona, sepse sistemet e alarmit do të duhen për shembull të instalohen krejt ndryshe, ose që dhomat të duhet të riorganizohen, ose pjesë të ndërtesës duhet të ndryshohen."
Kostot e përgjithshme për ndërtimin e qendrës së re dhe transferimin e 4 mijë bashkëpunëtorëve nga Pullach për në Berlin janë llogaritur me 1,5 miliardë euro. Sipas planeve aktuale, qendra e re e Shërbimit Informativ gjerman do të fillojë punën në Berlin në fillim të vitit 2014.
Autor: Sabine Kinkartz / Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani