EU-Reformprozess Chronik
20 Nëntor 2009Para së gjithash BE duhet të bëhet më efiçient dhe kjo jo vetëm përmes ndryshimit të procedurave në marrjen e vendimeve. Në të ardhmen presidenca e radhës së BE-së nuk do të zgjasë vetëm gjashtë muaj siç ndodh aktualisht, por do të zgjidhet nga Këshilli i presidentëve dhe kryeministrave për një mandat dy vjetë e gjysëm. Pas një ngurrimi të gjatë më në fund edhe presidenti çek Vaclav Klaus nënshkroi marrëveshjen e cila do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor.
Kushtetutë të përbashkët në Evropë ?
Qysh para fillimit të zgjerimit në Lindje politikanët kryesues evropianë kanë filluar të mendojnë për një reformë të brendshme të Bashkimit Evropian. Proceset vendimmarrëse konsideroheshin si të plogështa, struktura e BE-së si jo shumë demokratike. Megjithatë me pranimin e dhjetë anëtarve të rinj në vitin 2004 u konfirmua argumenti se marrëveshja aktuale e Nisës nuk është e përshtatshme për një Bashkim Evropian të madh. Kjo bëri që të mendohet seriozisht për një kushtetutë të përbashkët në Evropë. Nga njëra anë ajo do të duhej të kufizojë mundësitë e vetos së vendeve anëtare me çka Bashkimi Evropian do të bëhej më funksional dhe nga ana tjetër të forcojë kompetencat e Parlamentit Evropian.
Në vend të kushtetutës një "Marrëveshje për reformat"
Megjithatë francezët dhe holandezët e refuzuan marrëveshjen përmes referendumeve popullore në vitin 2005. Pasi që të dyja shtetet bënin pjesë tek kombet themeluese të BE-së dhe konsideroheshin si motor të unitetit evropian çorientimi tek qeveritë e vendeve evropiane ishte e madhe. Pas një pauze të menduari Këshilli Evropian vendosi gjatë presidencës gjermane të BE-së në vitin 2007 që në vend të kushtetutës të miratojë një 'Marrëveshje për reformat". Pasi që vendimi për të u morr në fund të vitit 2007 në Lisbonë ajo quhet "Marrëveshja e Lisbonës".
Irlanda mezi u bind
Edhe Marrëveshja e Lisbonës dështoi fillimisht në një referendum të organizuar në Irlandë në vitin 2008 ndërkohë që procesi i ratifikimit ishte në vlugun e tij. Kësaj radhe u krijua për një farë kohe përshtypja se të gjitha përpjekjet për reformimin e BE-së dështuan përfundimisht. Megjithatë qeveria irlandeze pas disa lëshimeve të bëra nga vendet e tjera anëtare organzoi edhe një referendum në tetor të vitit 2009. Kësaj radhe shumica e irlandezëve ishin pro marrëveshjes.
Pas Irlandës erdhi Çekia
Pengesa më e madhe përfundimisht ishte Çekia. Edhe pse të dy dhomat e parlamentit e kishin ratifikuar marrëveshjen dhe gjykata kushtetuese e cilësoi atë si të padëmshme, presidenti çek Vaclav Klaus ngurronte të hidhte nënshkrimin e tij. Klaus nuk e ka fshehur kurrë se është kundër kësaj marrëveshje duke e arsyetuar qëndrimin e tij me humbje të sovranitetit kombëtar. Vetwm pas marrjes së një vendimi të dytë pozitiv të Gjykatës Kushtetuese dhe lëshimeve politike të 26 vendeve anëtare Klaus lëshoi pe përfundimisht më 3 nëntor. Në këtë mënyrë u përmbyll edhe procesi i ratifikimit.
Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi më 1 dhjetor
Autor : Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti
Redaktoi : Aida Cama