1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Gjykata Kushtetuese hedh poshtë dekretin e Osmanit

25 Mars 2026

Kosovë: Sipas Gjykatës Kushtetuese dekreti i Presidentes Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik. Gjykata i dha Kuvendit 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri.

https://p.dw.com/p/5B7jT
Gjykata Kushtetuese e Kosovës
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e hodhi poshtë dekretin e 6 marsit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e KuvenditFotografi: DW

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i dha Kuvendit të Kosovës një afat prej 34 ditësh duke filluar nga sot, që të zgjedhë presidentin apo presidenten, në të kundërt parlamenti shpërndahet. Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë dekretin e 6 marsit të Presidentes Vjosa Osmanipër shpërndarjen e Kuvendit, dekret ky që u nxor nga ajo pasi Kuvendi në seancën e 5 marsit dështoi të zgjedhë Presidentin.

Gjykata konstatoi se dekreti i presidentes Osmani nuk ka asnjë efekt juridik. Sipas vendimit të Kushtetueses nëse brenda 34 ditëve nuk zgjidhet Presidenti, organi ligjvënës shpërndahet dhe Kosova duhet të zhvillojë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese

Në vendim thuhet se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati i përcaktuar në pikën 2 të nenit 86 të Kushtetutës, që përcakton se zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, "është detyrues dhe përfundimtar, dhe se marrë për bazë karakterin detyrues të këtij afati, ky nuk mund të relativizohet”. Por Gjykata kësaj radhe konstatoi se "Kuvendi i konstituar më 11 shkurt nuk i ka pasur 60 ditë në dispozicion, koha brenda së cilës duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit, afat ky i përcaktuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës.

Presidentja Vjosa Osmani
Me njjë dekret presidencial Presidentja Vjosa Osmani urdhëroi më 6 mars shpërndarjen e Kuvendit të KosovësFotografi: Press office of the Kosovo presidency/DW

"Duke iu referuar nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, përmes të cilit përcaktohet që Kuvendi shpërndahet në rastin kur ‘nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës', Gjykata merr për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026 dhe vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë (60) ditë në dispozicion, brenda së cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në vendim.

Procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri

Më tej sqarohet se "procedura procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë, duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Presidentja Vjosa Osmani, e përfundon mandatin e saj me 04.04, ndërsa, sipas kushtetuës si ushtruese e detyrës së presidentes deri në zgjedhjen e presidetes/it të ri, është kryetarja e Kuvendit të Kosovës.   

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësishtderi më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit dhe në të njëjtën kohë kishte ndaluar çdo veprim të presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit të masës së përkohshme. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretittë Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar në emër të qeverisë nga kryeministri i Albin Kurti.