1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Dënohet sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi

Bekim Shehu
25 Shkurt 2021

Persona të panjohur sulmuan gazetarin hulumtues Visar Duriqi, që punon në gazetën online Insajderi. Ky sulm dënohet në shkallë të gjerë në Kosovë.

https://p.dw.com/p/3pwEF
Visar Duriqi, investigativer Journalist im Kosovo
Fotografi: privat

Gazetari Duriqi sipas policisë u sulmua në hyrje të banesës së tij. Ai u trajtua në spital, sepse i janë thyer dhëmbët dhe hunda nga pasojat e sulmit.

"Në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e policisë. Tash për tash nuk dihen autorët apo motivet e sulmit.

Vetë gazetari hulumtues, Visar Duriqi, shkroi disa orë pas sulmit në facebook se ai është në gjendje stabile me shëndet.

"Sa i përket sulmit dhe tre personave që e kanë kryer atë mbrëmë pas mesnatës, ajo është çështje që i takon Policisë dhe Prokurorisë. Ata, deri tash po bëjnë çdo gjë që është e mundur me aq sa lejon ligji. Ata që e kanë porositur këtë sulm, e që për momentin ende nuk i di se kush janë, duhet ta dine që një hundë dhe disa dhëmbë të thyera na frikësojnë”, shkroi Duriqi në profilin e tij.

Sulm ndaj fjalës së lirë

Sulmi ndaj gazetarit hulumtues Visar Duriqi, u dënua në shkallë të gjerë në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bëri thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të sqarojnë këtë rast.

"Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t'i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medies. AGK-ja do t'i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t'i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Symbolbild Investigativer Journalismus
Fotografi: Imago Images/Panthermedia/A. Popov

Sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi e dënoi edhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë e cila u shpreh thellësisht e tronditur prej sulmit: "Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të lirë dhe të sigurt. U bëjmë  thirrje autoriteteve që të hetojnë me shpejtësi incidentin dhe të vënë autorët para drejtësisë”, thuhet në reagimin e BE-së.

Edhe kryeministri i Kosovës në detyrë Avdullah Hoti, e dënoi sulmin duke e cilësuar si sulm ndaj fjalës së lirë.  "Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet të tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj”, shkroi Hoti  në profilin e tij social facebook.