1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

21 vjet burg për katër aktivistë të Vetëvendosjes

Bekim Shehu
17 Nëntor 2017

Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulm me mortajë dore ndaj ndërtesës së kuvendit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/2np93
Symbolbild Justiz Richter Gericht Richterhammer
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë Frashër Krasniqin, deputet i Vetëvendosjes, Atdhe Arifin, Adea Batushën dhe Egzon Halitin. Ata u dënuan gjithsej me 21 vjet heqje lirie. Deputetit Frashër Krasniqi, iu shqiptua dënimi me tetë vjet heqje lirie, Atdhe Arifit me gjashtë vjet, Egzon Halitit me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha u dënuar me dy vjet burgim. Tomë Gashi, avokat i deputetit Frashër Krasniqi, shqiptimin  e dënimit të sotëm nga Gjykata Themelore  në Prishtinë e cilësoi si "një masakër të drejtësisë”. Sipas tij, prokuroria nuk ka sjellë prova që arrijnë ta dëshmojnë "fajësinë” e të akuzuarve. Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës sipas avokatit Gashi do të apelohet.  

Sulmi me mortajë dore mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ka ndodhur sipas policisë më katër  gusht të vitit 2016, pak kohë pasi Qeveria e Kosovës e dërgoi në Kuvend marrëveshjen për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Në atë kohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës me anë të një deklarate politike e patën dënuar sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në një deklaratë ku thuehej: "Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike.”

Në dhjetor 2016 Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzoi katër aktivistët e Vetëvendosjes "që janë përfshirë në veprim në një grup të organizuar, që për qëllim kishin frikësimin e popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës”.

I akuzuar për këtë rast ishte edhe një aktivist tjetër i Vetëvendosjes Astrit Dehari, i cili vdiq në nëntor të vitit të shkuar në një Qendër  Paraburgimi në Prizren. Sipas një ekspertize të prokurorisë, "Astrit Dehari kishte bërë vetëvrasje”, ndërsa lëvizja Vetëvendosje rastin e Astrit Deharit vazhdon ta cilësojë si "vrasje”.