Kosova feston dhe proteston në 18 vjetorin e pavarësisë
17 Shkurt 2026
Me aktivitete të shumta festive dhe ceremoniale gjithandej Kosovës, por edhe me një protestë me moton "Drejtësi jo Politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK që po gjykohen në Hagë, Kosova më 17 shkurt shënon 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ceremonitë nisën me ngritjen e flamurit të Kosovës në oborrin e qeverisë në prani të tre krerëve të shtetit, Presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetares së parlamentit Albulena Haxhiu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sot është një ditë "ku të gjithë bëhen bashkë për të festuar e edhe për t'i nderuar ata që dhanë jetën”. "Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, tha Osmani. Për kryeministrin Albin Kurti, siç thotë, "fuqia dhe ekonomia e shtetit të Kosovës po rriten, sikundër po rritet edhe numri i njohjeve të saj”. "Para 18 vjetëve lindi pavarësia e Kosovës por lindi e pjekur sepse shumë gjenerata sakrifikuan që ne të jemi të lirë e të pavarur. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, tha Kurti, derisa në oborrin e qeverisë që ai drejton ngrihej flamuri i Kosovës.
Protesta në Kosovë
Pavarësinë e Kosovës ndërkohë e kanë njohur 121 vende të botës, por jo ende pesë vende të Bashkimit Evropian. Kryeministri Kurti, në mbledhjen solemne të qeverisë, përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, të akuzuar nga prokuroria Speciale e Hagës për krime lufte. "Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë”, tha Kurti.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë, të martën (17.02.) pasdite platforma "Liria ka Emër”, organizon një marsh protestues. Kjo protestë është mbështetur thuajse nga të gjithë udhëheqësit politikë të Kosovës, organizata të ndryshme vendore, por edhe nga krerët e shtetit të Shqipërisë, Presidenti Bajram Begaj i cili qëndron në Kosovë dhe kryeministri Edi Rama, i cili një ditë më parë ishte në Kosovë. Rama në profilin e tij social Facebook, shkroi: "I uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s'mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”. Në shënimin e 18 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë njihet nga 121 vende, Presidentja Osmani, mori urime nga presidentë të ndryshëm të vendeve të botës, duke e veçuar atë të Presidentit Amerikan, Presidentit të Gjermanisë dhe atij të Francës dhe shumë të tjerë.