1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova sërish çështje në Këshillin e Sigurimit

Aida Cama
14 Nëntor 2018

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të merret sot, të mërkurën, me Kosovën. Pritet modifikim i misionit të UN në Kosovë.

https://p.dw.com/p/38G4w
UN-Sicherheitsrat
Fotografi: picture-alliance/Photoshot/Li Muzi

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të merret sot, të mërkurën, me Kosovën. Ndërkohë është publikuar raporti i Sekretarit të Përgjithshëm Guterres, për zhvillimet në Kosovë, në bazë të të cilit zhvillohen diskutimet. Raporti, që është një lloj iventari, është përkthyer përveç anglishtes, frëngjishtes, spanjishtes, rusishtes dhe arabishtes, edhe në kinezçe. Në kinezçe duhet kësaj radhë edhe më shumë, sepse Kina mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit (KS) këtë nëntor. Kina është po ashtu anëtari i KS, që e futi sërish Kosovën në linjën që vendet e tjera të KS e shohin si të pakuptimtë, linjë që u ndërpre në muajin gusht. Kështu raporti ka të bëjë me zhvillimet në Kosovë nga mesi i prillit në mes të korrikut.

Raporti me nëntë pika, fillon me hyrjen dhe prioritetet e UNMIK-ut, që janë të njëjta që prej vitit 2008, kur u bënë disa ndryshime të rezolutës 1244. Me siguri kjo pjesë kopjohet çdo tre muaj. Pika e dytë, flet për zhvillimet politike dhe sigurinë, ku situata vlerësohet stabile. Këtu rreshtohen kronologjikisht zhvillimet si arrestimi i Marko Duriqit, apo fokusimit të partive shqiptare në pushtet dhe në opozitë tek dialogu Prishinë Beograd, organizuar nga BE. "Disa incidene tregojnë për potencialin që ekziston për rihapje tensionesh”, shkruhet në raport. Këtu përmenden dy dëmtime të Kishës serbe në Ferizaj dhe masat, që janë marrë për mbrojtjen e saj.

Gjendja në Kosovë stabile, me potenciale tensionimi

Pika e tretë merret me Mitrovicën veriore. Këtu përmendet moshapja e urës për automjetet për shkaqe sigurie nga kryetari i Bashkisë së Mitrovicës, dhe moszgjidhja e vrasjes së Oliver Ivanoviçit. Pika tjetër, ajo e katërta i dedikohet dialogut Prishtinë Beograd. Mbas tre muajsh, përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE ka asistuar në një takim më 24 qershor, Thaçi Vuçiq. "Divergjencat e palëve për zbatimin e marrëveshjes së 2013, për çështjen e komunave serbe, kanë penguar progresin në bisedim,” thuhet në raport. Pika tjetër i dedikohet kthimeve, ripajtimit, trashëgimisë kulturore dhe marrëdhënies së komuniteteve. 77 vetë janë kthyer vullnetarisht në këtë periudhë, duke e çuar në 27 884 numrin e të kthyerve. Të zhvendosur gjithsej janë 89 480 vetë, prej të cilëve 72 mijë në Serbi, 16357 brenda për brenda Kosovës, 729 në Mal të Zi dhe 294 në Maqedoni. Raporti thotë se Komisariati i Lartë për refugjatët, agjenci e OKB, ka vazhduar mbështetjen e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve.

Në pikën e gjashtë të raportit, kemi të bëjmë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Gjatë periudhës në fjalë ka pasur dy raste korrupsioni dhe dy krimi lufte, ajo e Enver Hasanit, president i Gjykatës Kushtetuese, dhe e Ilir Tolajt, ish sekretar në ministrinë e shëndetësisë. Në krimet e luftës, ajo e Darko Dasiqit, për krimet e bëra në Krushë të Madhe, dhe rasti kundër dhjetë anëtarve të Grupit të Drenicës. Po ashtu Gjykata në Prishtinë u morr me rastin "medicus” të trafikimit të organeve.

1647 vetë vazhdojnë të mbeten të pagjetur, thuhet në raport. Në maj një varrezë masive u gjet në Gjakovë, me pesë trupa të varrosur në të. Në këtë periudhë Fondacioni Jahjaga, mbështetur nga UNMIK, OKB-gratë dhe UNDP, filloi implementimin e një projekti për të luftuar paragjykimet për dhunën me bazë seksuale gjatë luftës. 200 viktima nga Kosova dhe Shqipëria u mblodhën në një takim për të marrë mbështetje. UNMIK do të vazhdojë të mbështesë viktimat me ndihmë sociale, psikologjike dhe ekonomike. Gruaja dhe paqja e siguria, quhet pija e shtatë e raportit, që raporton për një konferencë grash në veri të Kosovës dhe një samit grash të Europës Juglindore. Pika tjetër merret me partneritetin dhe bashkëpunimin dhe raportohet se UNMIK në bashkëpunim me ekipin e Kosovës në OKB, ka vazhduar punën në zbatimin e ligjit, krijimin e besimit midis komuniteteve, të drejtat e njeriut, forcimin e rinisë dhe grave.

Guterres mbështet dialogun Prishtinë Beograd drejtuar nga BE

Pika e fundit i dedikohet vëzhgimeve. Këto janë interesante të mësojmë çfarë ka vëzhguar Sekretarin e Përgjithshëm. Ai përshëndet dialogun Prishtinë- Beograd, të organizuar nga Bashkimi Europian. Takimi i 24 qershorit nuk solli rezultate, një rast ky për të parë se diferencat midis palëve janë të mëdha. Guterres, i kërkon Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojnë angazhimin e tyre dhe zbatimin e marrëveshjeve, në kuadër të dialogut të organizuar nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë që këto janë përpjekjet institucionale për tu marrë me Kosovën, grupe të ndryshme interesash në Nju Jork, merren me lobimin e ideve të tyre. Në një aktivitet të organizuar nga Dritan Haxhia, emër të Vatrës, Federatës mbarëshqiptare, shqiptarë u mblodhën të diskutonin çështjen e Kosovës me Prof. David Phillips, i cili është prerë kundër ndarjes së Kosovës. Kurse në një aktivitet tjetër, organizuar ditën e enjte, NCAFP, një shoqatë që sipas të dhënave të veta, i dedikohet zgjidhjes së konflikteve që kërcënojnë interesat e SHBA, kishte thirrur Cameron Munter, drejtorin e Institutit East West, dhe dy ambasadorët, atë të Austrisë në Kombet e Bashkuara, Jan Kickert, dhe të Finlandës, Kai Sauer. Cameron Munter dhe Jan Kickert, mbrojtën idenë e këmbimit të territoreve. Atyre, iu bashkangjit duke treguar se nuk është i sigurt, edhe Kai Sauer. Kur flisnin të gjithë kishin përballë, ambasadoren e Shqipërisë në OKB, Besjana Kadare, e cila foli nga vendi që kishte zënë në publik, vetëm për përshpejtimin e procesit të pranimit të Shqipërisë në BE.