Kosovë: Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve | Ballkani | DW | 07.11.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Lëvizja Vetëvendosja është partia fituese e zgjedhjeve të gjashtë tetorit në Kosovë. Por për ta formuar qeverinë asaj i duhet një partner koalicioni.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas një muaji numërimi, rinumërimi në disa vende dhe shqyrtimi procedural, më në fund shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të gjashtë tetorit. Lëvizja Vetëvendosja doli partia e parë fituese e këtyre zgjedhjeve, mirëpo nuk ka mandate të mjaftueshme për ta bërë e vetme qeverinë.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për medie tha se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 44.72%, shifër kjo mjaft e lartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara.

"Në bazë të rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 26.12% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 24.45 %, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 21.16 %, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në koalicion me Partinë Socialdemokrate ka marrë 11.47 %, Lista Serbe 6.74 për qind të votave dhe Nisma Socialdemokrate 4.98 % për qind", tha Valdete Daka.

Nisma Socialdemokrate në bazë të ligjit për zgjedhje nuk e kaloi pragun zgjedhor prej 5% për t'u përfaqësuar në parlament. Kjo parti tha se do ta apelojë tërë procesin zgjedhorë në Gjykatën Kushtetuese.

Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës do të ketë 32 deputetë, LDK-ja 29, PDK-ja, 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 14, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende të rezervuara, kanë fituar partitë e minoriteteve.

Sipas KQZ-së, subjektet politike kanë 24 afat orë për të paraqitur ankesat e tyre të mundshme, pastaj, në fund të këtij procesi bëhet çertifikimi i zgjedhjeve. Dy partitë e para që morën më së shumti vota, lëvizja Vetëvendosja dhe LDK-së tashmë janë deklaruar për koalicion qeveritar dhe tashmë grupet e punës të të dyja partive janë duke harmonizuar programin qeveritar.

Sidoqoftë, për krijimin e qeverisë së re të Kosovës akoma duhet pritur çertifikimi i rezultatit tyre. Pas konstituimit të Kuvendit dhe betimit që duhet të bëjnë deputetët e rinj, Presidenti i Kosovës i kërkon partisë fituese të zgjedhjeve apo koalicionit paszgjedhor që duhet formuar më partinë fituese, emërimin e kandidatit të saj për kryeministër, i cili duhet të marrë të paktën 61 vota nga 120 vende në parlament, që të marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re. Pakicat kombëtare kanë 20 vende të garantuara në Kuvend, ndërsa, në qeverinë e re të paktën një dikaster qeveritar duhet t'i takojë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.  

Sfida e parë që e pret qeverinë e re është përballja në dialog me Serbinë, që me ngulm po kërkohet nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë nga SHBA-së. Albin Kurti gjatë fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka deklaruar se ai si kryeministër do ta udhëheqë vetë dialogun me Serbinë dhe jo Presidenti i Kosovës, dhe ka paralajmëruar rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash në dialogun Kosovë-Serbi.