Kosovë: Sektet si kërpudhat pas shiut | Ballkani | DW | 11.06.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: Sektet si kërpudhat pas shiut

Nën tensionin e një kohe të kthesave të mëdha si dhe nën presionin e gjëndjes së rëndë ekonomike, një pjesë e popullatës kosovare kërkon shpëtimin në sekte të ndryshme, të cilat pas luftës në Kosovë kanë shpërthyer si këpurdhat pas shiut

Fëmijë kristianë, Kosovë

Fëmijë kristianë, Kosovë

Tradicionalisht, si religjion i njohur ndër shekuj në Kosovë është krishterizmi katolik. Me rënjen e Kosovës nën pushtues të ndryshëm, në territorin e saj u shtri edhe besimi ortodoks si dhe ai musliman, ndërsa, me përfundimin e luftës në vitin ’99, misionarë të ndryshëm si nga perëndimi poashtu edhe nga lindja, vërshuan me organizime të reja besimesh.

Bashkësia Adventiste apo Festa e Ditës së Shtatë, që nënkupton shfaqjen e dukshme të krijuesit, ka selinë në Gjakovë. Sipas Diana Dakës, pastore e kësaj
bashkësie: „Besimi jonë bazohet në Dhjatën e re dhe në Dhjatën e Vjetër. Saktësisht, besimi i njëjtë të cilin e besonte Adami dhe Eva, Noah, dhe vet Abrahami, baba i të gjitha feve. Të njëjtat rregulla, të njëjtin ligj, të cilin Zoti me gishtine vet ia dha Moisiut në Malin e Sinajit“.

Diana Daka, teologe e diplomuar e Bashkësisë Adventiste, nuk përjashton mundësinë se nga misionarë të pandërgjegjshëm po blihet shpirti e njerëzve të varfër, në Kosovë, në shkëmbim të besimit.

„Mjerisht, ka njerëz që veprojnë dhe ashtu. Një mënyrë shumë e cekët,e pahijshme dhe jo e drejtë“.

Numri i besimtarëve katolikë, në Kosovë arrin në 65.000, ndërkohë që në diasporë jetojnë edhe rreth 40.000 të tjerë. Dr. Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, mendon se Kosova nuk është vend I duhur për sekte.

“Nuk jam i mendimit se kanë gjetë një terren të plleshëm. Ju e dini se derisa të ketë fonde dhe leverdi ekonomike do mund të shtrihen. Por, me rimëkëmbjen ekonomike sekti në Kosove nuk ka ndonjë të ardhme e mos të flas se mund të ëndërrojnë besimin e besimtarëve, qoftë katolikë, muslimanë apo ortodoksë“.

Shpërndarja e sekteve të reja kërcënon respektin e ndërsjellë tradicional I cili ka ekzistuar në mes të përfaqsuesve të vërtet të të tria besimeve-mendon përfaqësuesi i Manastirit të Deçanit Sava Janjiç. Ati ortodoks, për Deutsche Welle-n para pak kohe pat deklaruar:

"Janë shumë të rrezikshme, se në njëfare mënyre, mund të rrënojnë respektin e ndërsjellë në mes të përfaqësuesve të vërtet të besimeve tradicionale. Mendoj se nga këto bashkësi do duhej te shihej rreziku nga sektet e reja, të cilat mund të sjellin
disharmoni. Por, ne besojmë dhe shpresojmë se besimtarët e kësaj ane do të ruajnë vullnetin e mirë dhe të mos lejojnë që besimi të keqpërdoret për çfarëdo qëllimi tjetër përveç atij që duhet t’i shërbejë: që njerëzit të jetojnë në paqe dhe në respekt të ndërsjelltë".

Dy besimet më të mëdha, islami dhe krishterimi, nga përfaqësues të sekteve akuzohen për hipokrizi. “Kuptohet, fetë më të mëdha; Flasin ndryshe-veprojnë
ndryshe. Nëqoftëse thuhet në Bibel: “Mos vraj!”, ai vret. Apo, “Mos u merr me politikë!”, në kisha bëhet politika më e madhe-thotë Besnik Ulnika, i cili ndonëse rrjedh nga familje myslimane, thotë se të vërtetën e ka gjetur në radhët e Dëshmitarëve të Jehovait.

Dhe, përderisa në mes të qytetit të Pejës veprojnë Dëshmitarë të Jehovait, krejt në perëndim të saj, vepron Misioni i Krishterë Evropian. Të ardhur para dy vjetësh në Kosovë, ku përkrah islamit, katolicizmit, ortodoksizmit dhe hebraizmit, me një ligj të ri ndër fetë e lira është pranuar edhe besimi protestant, ata veprojnë me emrin, “Rruga e Paqes“.

„Kisha protestante në Kosovë predikon se njerëzit mund të kenë një lidhje direkte me Jezusin, dhe përmes tij do t'u falen mëkatet. Kështu, ata mund të jenë të sigurt se do të jenë në parajsë. Pra, është ky një mesazh shprese, i domosdoshëm për kosovarët, ndërkohë të pashpresë për të ardhmen. Kështu, vështirësitë e jetës do t’i kalojnë me shpresën se kur të vdesin do të jenë me Zotin në parajsë“-thotë pastorja Primrose.

Besimi islam tashmë është një fe dominuese, në Kosovë, me 90 për qind të popullatës. Mirëpo, mbulesa e të rejave, mjekra e të rinjve e sidomos manifestimi i
besimit në veshje të parëndomta dhe në rite të ndryshme të faljes, bën që ata të etiketohen terroristë që veprojnë nën maskën e besimtarit. Një përgjigje për këtë kërkojmë në Qarshi-Gjaminë e Pejës, e ndërtuar që në vitin 1455.

"Një gjë e tillë nuk qëndron-mohon imami i kësaj xhamie, Musli Arifaj. Për këtë më së miri flet në ka pas probleme të këtij lloji, pas luftës në Kosovë? Definitivisht, jo! Unë mendoj se këtë po e plason armiku, në vazhdimësi; një bindje e krijuar nga njerëz të cilët nuk dinë asgjë për islamin, njerëz të cilët asnjëherë nuk ballafaqohen me profesionistët, për të marrë përgjigjen e duhur".

Në Kosovë ekziston një tradite e tri besimeve dominuese: besimi musliman, nën ombrellen e të cilit vepron edhe shoqëria e dervishëve; besimi katolik dhe besimi ortodoks.

  • Data 11.06.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArUO
  • Data 11.06.2007
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArUO
Reklamë