Kosovë: Ramush Haradinaj jep dorëheqje të parevokueshme | Ballkani | DW | 19.07.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: Ramush Haradinaj jep dorëheqje të parevokueshme

Ramush Haradinaj ftohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar për krime lufte. Ai do të paraqittet në Hagë javën tjetër. Brenda 45 ditësh në Kosovë mbahen zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij. Lajmin për dorëheqje e bëri të ditur vet Haradinaj në një konferencë për medie pas një mbledhjeje të qeverisë. Ramush Haradinaj, tha se arsyeja e dorëheqjes është se ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit, ndonëse deri tash nuk ka njoftime nëse ndaj Haradinajt është ngritur ndonjë aktakuzë. Ai tha se javën tjetër do të paraqitet në Dhomat e Specializuara ku do të merret në pyetje nga hetuesit e Gjykatës Speciale, duke e ndërlidhur thirrjen e tij nga Gjykata Speciale si "një ҁmim që Kosova po e paguan për njohjen e saj nga Serbia”, apo "për një marrëveshje me Serbinë”.

"Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë. Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes”, thotë në letrën e tij Haradinaj, duke hedhur dyshime tek bashkësia ndërkombëtare për një presion siҁ thotë "të papërballueshëm për Kosovën”.

"Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet”, thotë Haradinaj. Ai thotë se "Kosova euro-atlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë”, thotë Haradinaj, duke siguruar që taksa ndaj Serbisë do të mbetet. Ramush Haradinaj, tha se mandatin ia kthen popullit, dëshiron të shkojë në Gjykatën Speciale si një qytetar i zakonshëm dhe jo si një kryeministër i Kosovës. Haradinaj i kërkoi Presidentit të vendit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t'i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të kryej detyrat deri në zgjedhjet e reja.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҁi, thotë se me keqardhje ka marrë lajmin për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.

"Si President i Republikës së Kosovës ju siguroj, se do të veproj bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cënojë askush”, shkroi në profilin e tij Presidenti Thaҁi.

Ndërkohë, njëri nga liderët e opozitës, Albin Kurti kryetar i Vetëvendosjes, dorëheqjen e Haradinajt e cilësoi si një "Dorëheqje e vonuar me arsye të gabuar”. Ai kritikon Haradinajn për shumë punë në qeverisjen e tij, ndërsa, thotë se "Kosova ka nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së”.

Sidoqoftë, tash për tash, Ramush Haradinaj, nuk tha që të ketë aktakuzë ndaj tij, por ai është i ftuar në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale. Ramush Haradinaj, edhe në vitin 2004 sa ishte kryeministër ishte akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime lufte. Dy herë Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës.

Ftesa nga Gjykata Speciale për kryeministrin Haradinaj, ishte lajm befasi, i tha DW një analist politik, Artan Muhaxheri, duke përmendur faktin që vet Haradinaj dy herë është shpallur i pafajshëm nga dejtësia ndërkombëtare.

"Eshtë një rast i paprecedent kur Ramush Haradinaj për të tretën herë ftohet nga drejtësia ndërkombëtare (ndonëse kësaj radhen si i dyshuar pa aktakuzë) kur në dy gjykime ndërkombëtare që zgjatën për tetë vjet, Haradinaj është shpallur i pafajshëm. Pra, shpreh habi të madhe dhe ky është një rast i paprecedent që nuk ka ndodhur në asnjë vend të ish-Jugosllavisë”, tha Artan Muhaxheri. Sipas tij, "ftesa për në Gjykatën Speciale është e lidhur direkt me taksën ndaj Serbisë dhe për bllokadën që kjo taksë po i bën dialogut me Serbinë”. Në mars të vitit 2004, pas tre muajsh pasi kishte marrë detyrën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë. Pas katër vjet gjykimi, ai u shpall i pafajshëm. Tribunali i Hagës sërish rastin e tij e ktheu në rigjykim në vitin 2012 dhe sërish ai shpallet i pafajshëm. Një rast tjetër kur Haradinaj u përball me një proces gjyqësor ishte ai i vitit 2017 në Kolmar të Francës, ku policia franceze e ndaloi atë mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia për krime lufte. Edhe në këtë proces gjyqësor Haradinaj u shpall i pafajshëm.