Kosovë: Kurti do ta zëvëndësojë taksën ndaj Serbisë me reciprocitet të plotë | Ballkani | DW | 06.02.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: Kurti do ta zëvëndësojë taksën ndaj Serbisë me reciprocitet të plotë

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, tha se taksën ndaj produkteve serbe do ta zëvëndësojë me reciprocitet të plotë, por pa dhënë datë. BE-ja i kërkoi heqjen e taksës dhe rifillimin e dilalogut.

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti në ditët e para të punës së tij paralajmëroi zëvendësimin e taksës 100 % për produktet e Serbisë me masën e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Ai tha, se  zëvëndësimi i taksës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë ka qenë edhe premtim elektoral i tij dhe i partnerit të koalicionit Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100%. Pra, ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha kryeministri Kurti, pas një takimi që zhvilloi me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostollova. Kjo e fundit përsëriti kërkesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, se Kosova duhet ta heqë taksën ndaj Serbisë dhe të vazhdojë dilalogun për përmirësimin e marrëdhënieve.

"Konsiderojmë që taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet tjera në organizata si CEFTA, anëtare e së cilës është Kosova. Tash po presim që qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja, vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në sepse për ne është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë”, tha Apostolova.

Në mbështetje të kryeministrit Kurti për ta zëvëndësuar taksën me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë doli edhe kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, që vjen nga LDK-ja partnere në qeverinë Kurti. Sipas saj, Serbia duhet fillimisht dhe menjëherë ta ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës, kërkesë të cilën e kishte thënë gjatë vizitës në Beograd dhe Prishtinë ambassadori Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.

"Programi i përbashkët i koalicionit u prezantua nga kryeministri Albin Kurti në kuvend më 3 shkurt dhe aty u bë e qartë, se siç e kemi thënë se tarifa të zëvendësohet me masat e reciprocitetit. Për t'u larguar kjo tarifë, siç edhe e ka thënë ambasadori amerikan Grenell, Serbia duhet ta ndërpresë fushatën e çnjohjeve, që po bën përmes metodave ilegale, që e ka minuar rëndësinë e dialogut”, deklaroi Vjosa Osmani pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin gjerman në Kosovë Christian Held.

Kryeministri Albin Kurti është i bindur se zëvëndësimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë me masën e reciprocitetit, do ta mbështesë edhe opozita, ku bën pjesë edhe partia e ish-kryeministit Ramush Haradinaj AAK.

"Besoj se edhe ata që janë në opozitë dhe që nuk na votuan, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin do të jenë dakord”, shprehet i bindur Kurti.

Por, zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërnë e Kosovës nuk pajtohen me heqjen e taksës ndaj Serbisë. Daut Haradinaj, deputeti AAK-së në Kuvend thotë se heqja e taksës është gabim historik i Kosovës.

"Taksa është vendosur për shkak të fushatës agresive që Serbia ka përdorur kundër Kosovës. Është gabim historik heqja e taksës, përderisa nuk kemi njohje reciproke. Albin Kurti, po dërgon lajme të mira për Serbinë e të këqija për prodhuesit e Kosovës. Politikisht veprim tepër i dëmshëm për vendin, por duket që ato pritjet nga folklori patriotik po zbehen para se të mendonim”, ka deklaruar Daut Haradinaj, për gazetën online Telegrafi. Haradinaj paralajmëroi mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme në parlament, nëse qeveria Kurti e heq taksën ndaj Serbisë.

Në ditën kur parlamenti i Kosovës e votoi qeverinë Kurti, i dërguari i posaçëm i SHBA në dialogun Kosovë-Serbi, Richar Grenell, kërkoi nga qeveria e re e Kosovës - siç tha - që "taksa ndaj Serbisë të hiqet menjëherë".

Heqjen e taksës ndaj Serbisë, qeverisë Kurti ia kërkoi edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Joseph Borrell, i cili kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi që ta vazhdojnë dialogun për normalizimin e raporteve.

"Status-quoja aktuale është e padurueshme. Nuk ka asnjë alternativë për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. BE-ja kërkon fuqizim të bashkëpunimit rajonal dhe një angazhim të Kosovës në iniciativat rajonale, të cilat janë në dobi të Kosovës”, tha Joseph Borrel, në deklaratën e tij pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

Qeveria e kaluar e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në nëntorin e vitit 2018 vendosi taksë 100% ndaj produkteve të Serbisë, për shkak të një fushate diplomatike lobuese të Serbisë kundër njohjeve të Kosovës dhe kërkesës së saj drejtuar shteteve të ndryshme që ta tërheqin njohjen e Kosovës. Rikthimi i Prishtinës dhe Beogradit në dialog është kërkesë e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq siç shkruan agjencia serbe e lajmeve "Beta”, ka thënë se përfaqësuesit e Kosovës nuk duhet të presin që "Serbia të njohë sa më parë pavarësinë e Kosovës dhe t'u kërkojmë falje për diçka”.

"Nëse e mendojnë këtë, këtë lloj bisede e kemi përfunduar. Shpresoj se njerëzit në Prishtinë do të jenë të arsyeshëm e racionalë që ta kuptojnë se është e rëndësishme të bisedojmë dhe të tentojmë të gjejmë kompromis”, citohet të ketë thënë presidenti seb Aleksandër Vuçiq.