Kosovë: Kremtohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s | Ballkani | DW | 11.06.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kosovë: Kremtohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s

20 vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, Kosova synon anëtarësimin në këtë aleancë ndonëse ende pa ushtri të vetën.

Në Kosovë më 11 dhe 12 qershor me ceremoni të ndryshme po kremtohet 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, pas bombardimeve 78 ditëshe që i dhanë fund luftës dhe largimit të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.

Sekretari aktual i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, në këtë 20 vjetor ka thënë se "bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe ishin të domosdoshme dhe legjitime, për t'i dhënë fund dhunës dhe për t'ju mundësuar refugjatëve që të kthehen në shtëpitë e tyre”. Stoltenberg ka thënë se KFOR-i gjatë këtyre 20 vjetëve ka asistuar për një ambient më të sigurt në Kosovë për të gjithë pa dallim, përfshirë edhe serbët dhe komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. 20 vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, Kosova synon anëtarësimin në këtë aleancë, ndonëse, ajo akoma nuk e ka të formuar një ushtri të rregullt, pavarësisht ligjit të miratuar në kuvend.

Në Prishtinë ndërkaq, në një ceremoni të organizuar nga KFOR-i në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, i pranishëm ishte edhe Admirali James G. Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate me seli në Napoli të Italisë. Megjithë synimin e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë pjesë e NATO-s, admirali Fogo tha se vendimi duhet të jetë politik.

"Kur ka një kërkesë për anëtarësim, nga një shtet, nga një shtet aleat, apo nga një aleat i ardhshëm shembull si Maqedonia e Veriut, ajo është një proces politik dhe kjo është një gjë që duhet të diskutohet ndërmjet qeverive. Prandaj, këtë do ta përcaktojë politika”, tha admirali Foggo.

Sipas tij, "e rëndësishme është që e ardhmja e Kosovës dhe e shteteve të Ballkanit, të jetë e ndritshme duke shikuar drejt integrimeve euro-atlantike e kjo është paqja dhe prosperiteti dhe një treg që do të sillte të mira për këtë ekonomi dhe për një ekonomi më të mirë në rajonin e Ballkanit”.

Forca e Sigurisë së Kosovës FSK, u themelua në vitin 2009 një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Tranzicioni i FSK-së nga një forcë për emergjenca civile në ushtri, është një proces që po vazhdon, ndërsa nisjen formale e kishte në fund të vitit 2018 kur Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin që i ngriti kapacitetet e FSK-së në ushtri. Kjo nismë e kishte mbështetjen e SHBA-së. E Shtëpia e Bardhë në një deklaratë për medie nëpërmes zëdhënësit Judd Deere, i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të lenë mënjanë retorikën ekstremiste dhe të punojnë për një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve.

"Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit. E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t'i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere. Sipas tij, "Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi, por i takon Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm”.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë pritet të takohen më një korrik në Paris, vazhdim i Samitit të Berlinit, në përpjekje që të arrijnë një marrëveshje finale që do ti jepte fund mospajtimeve Kosovë-Serbi. Megjithatë palët duket se janë larg me qëndrimet e tyre. Serbia nga ana e saj, nuk pranon që të rikthehet në dialog, pa e hequr Prishtina taksën ndaj prodhimeve të Serbisë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës pas takimit të Parisit dhe sipas tij, nëse Prishtina nuk e heq taksën deri me një korrik, masat kundër Kosovës do të jenë të rrepta, por pa u dëmtuar siç thotë serbët e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë ndërprerë dialogun pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë. Kjo masë sipas udhëheqësve politik kosovar është vendosur për shkak të siç thonë "agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës.