Kosovë: Anulohen votat e boshnjakëve në komunat serbe
8 Mars 2021Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në komunat e banuara me shumicë serbe, në Zubin Potok, Shtërpc, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot, Novobërdë, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Kjo për faktin që besohet se me 14 shkurt në zgjedhjet e përgjithshme serbët e Kosovës në këto komuna në disa prej të cilave nuk jetojnë fare boshnjakë, votuan disa parti boshjake në mënyrë që me pas t'i kontrollojnë vendet e tyre të fituara në parlament të cilat në fakt janë të rezervuara për pakicat jo serbe.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i pranoi ankesat e subjekteve politike Iniciativa Jonë (Nasha Iniciativa), Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike, të cilat kërkuan që të anulohen votat e ardhura nga komuniteti serb në komunat me shumicë serbe për partinë e re Komuniteti i Bashkuar që udhëhiqet nga Adrijana Hoxhiq. Kesaj partie ju anuluan 4,205 vota që me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve kishte siguruar vende në parlament. 583 vota ju anuluan koalicionit Vakat, ndërsa, Unionit Socialdemorkat të deputetës së disa legjislaturave Duda Baljes, ju anuluan 165.
Mbi 800 vota ju anuluan edhe një partie të re rome (Iniciativa Rome) e cila kishte siguruar dy vende në parlament me votat e fituara më ndihmën e siç thuhet Listës Srpska.
"Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që votat e përfshira në fletëvotimet e anuluara t'i largojë nga rezultati përfundimtar”, thuhet në vendimin e PZAP-së. Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme.
PZAP-ja ka konstatuar se votat e Komunitetit të Bashkuar që udhëhiqet nga Adrijana Hoxhiq dhe të koalicionit Vakat, "janë në disproporcion me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak të cilët i përkasin, dhe paraqesin vota të pavlefshme, për faktin se është standard jo demokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër”.
Njohës të çështjeve juridike thonë se vendet e garantuara që iu takojnë komuniteteve joshumicë, pa u respektuar autenticiteti i votës, jo vetëm që e humbin kuptimin e tyre, por edhe bëhen pengesë serioze për funksionimin e demokracisë.
Më herët akuzat se partia Komuniteti i Bashkuar boshnjak i Adriana Hoxhiq, ka bashkëpunuar me listën Srpska i ka hedhur poshtë udhëheqësja e këtij subjekti politik Adrijana Hoxhiq dhe përfaqësues të listës Srpska. Hoxhiq ka thënë se nuk ka pasur asnjë marrëveshje me Listen Serbe, siç është pretenduar ditëve të fundit nga përfaqësues politikë të pakicave në Kosovë.
"Nuk jemi marrë vesh që me na sjellë votat. Lista Serbe është legjitime në Kosovë. Nuk është e vërtetë që kam marrëveshje me Listën Serbe. Bashkëpunimi im me përfaqësuesit e Listës Serbe në komunën e Mitrovicës Veriore nuk e ka dëmtuar asnjë komunitet. Nëse unë marr besimin e qytetarëve, do të punoj vetëm për interesat e komunitetit tim e komuniteti im është komuniteti boshnjak”, ka thënë Adriana Hoxhiq.
Shqetësimin e saj për siç thotë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar përmes listës Srpska në procesin zgjedhor në Kosovë e pati shprehur edhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se "në zgjedhjet e 14 shkurtit, te votat e komuniteteve ka ndërhyrje të drejtpërdrejtë të shtetit serb”.
"Për fat të keq, ndërhyrja nuk mund të reduktohet këtu në ndërhyrje të Listës Serbe, kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Vuçiqit, pra është ndërhyrje e një shteti, pra shtetit serb në një proces elektoral të një shteti tjetër, në këtë rast të Republikës së Kosovës, gjë që ndalohet edhe me drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Vjosa Osmani, duke shtuar se ajo këtë shqetësim e ka shprehur edhe te komuniteti ndërkombëtar.
Me kushtetutën e Kosovës nga 120 vende sa i ka parlamenti i Kosovës 10 vende janë të garantuara për serbët e Kosovës, ndërsa 10 të tjera për komunitetet jo serbe.