1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë:Kurti nuk certifikohet për të marrë pjesë në zgjedhje

Bekim Shehu
29 Janar 2021

Gjykata Supreme që është shkalla e fundit për ankesat e partive politike e vërtetoi se çdo kush që është i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit nuk certifikohet për zgjedhje.

https://p.dw.com/p/3obDt
Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, përfundimisht nuk do të mund të konkurojë për deputet në listën zgjedhore të partisë së tij për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që mbahen me 14 shkurt. Kjo për faktin se Gjykata Supreme e Kosovës, si shkalla e fundit e ankesave të partive politike për këto zgjedhje, e vërtetoi se çdo kush që është i dënuar në tri vitet e fundit me një vendim gjykate të shkallës së prerë nuk do të mund të konkurojë në këto zgjedhje. Lëvizja Vetëvendosja në listën e saj të verifikuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kishte pesë kandidatë që kishin probleme me ligjin. Dy nga ta sipas Gjykatës Supreme mund të kandidojnë.

"Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e lëvizjes Vetëvendosje, për kandidatët Liburn Aliun dhe Labinotë Demi -Murtezin, pasi është konstatuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3 vjeçar duhet të llogaritet duke ju referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, thuhet në njoftim të Gjykatës.

E kjo nënkupton që tre kandidatë të tjerë të Vetëvendosjes, Albin Kurti që kryeson listën dhe është kandidat për kryeministër, Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriqi në listë për deputet, nuk do të garojnë në këto zgjedhje. Albin Kurti ishte dënuar për shkak të hedhjes së gazit lotësjellës në kuvendin e Kosovës në vitin 2015. 

Gjykata Supreme po ashtu ndryshoi një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për një kandidat për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke urdhëruar KQZ-në që kandidati Shemsedin Dreshaj, të përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nga kjo parti nuk mund të certifikohen, bazuar në këtë vendim. Gjykata po ashtu refuzoi  ankesën e Nismës Socialdemokrate si të pabazë, duke lënë jashtë listës 12 kandidatë për deputetë të dënuar për vepra penale.

I menjëhershëm ishte reagimi i zyrtarëve të lëvizjes Vetëvendosja, pasi lideri i tyre Albin Kurti nuk do të mund të garojë në këto zgjedhje. Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, shkroi se "Qeveria Kurti 2 është realitet i ri, i pashmangshëm e i shumëpritur”.

"E nderuar që në rrugëtimin politik jam e rreshtuar drejt e në anën e duhur. Me 14 shkurt qytetarët do të tregojnë fuqishëm përkrahjen për Albin Kurtin, e kjo do të jetë jo vetëm përgjigjja më e mirë për institucionet e kapura, por dhe fillimi i punës për shtetin e së drejtës”, shkroi Nagavci në rrejtin e saj social.

Moscertifikimi i kandidatëve të partive politike që kanë probleme me ligjin është bërë në bazë të nenit 29 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton përshtatshmërinë e kandidatëve për t'u certifikuar. Për  zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt, në KQZ kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike,  2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.