1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Misioni EULEX ndërmerr një sërë arrestimesh

Bekim Shehu / Prishtinë6 Shkurt 2014

Deputeti i kuvendit të Kosovës Ukë Rugova dhe nëntë persona të tjerë të arrestuar nga EULEX të enjten paraqiten para gjykatës. Deputeti Ukë Rugova dyshohet të jetë i përfshirë në katër vepra penale.

https://p.dw.com/p/1B3fV
Fotografi: DW

Deputeti i kuvendit të Kosovës Ukë Rugova dhe nëntë persona të tjerë, u arrestuan të mërkurën më datën 05.02. nga misioni EULEX, të dyshuar të jenë të përfshirë në krim të organizuar. Ukë Rugova është djali i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Ai udhëheqë subjektin politik” Lista Ibrahim Rugova”, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.

“Dhjetë të pandehurit dyshohet se janë të përfshirë në një grup të krimit të organizuar të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, përfshirë, krim të organizuar, ushtrim ndikimi dhe mashtrim kundër ambasadës italiane në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e misionit EULEX. Prokurori i çështjes ka kërkuar masën e ndalimit prej 30 ditësh për të gjithë të dyshuarit.

Ambasada italiane në Prishtinë është duke punuar në bashkëpunim të ngushtë dhe reciprok në këto hetime që po vazhdojnë.

Mediat në Prishtinë, shkruajnë se deputeti Ukë Rugova, dyshohet se ka qenë në krye të një grupi të madh kriminal prej 10 personash që kanë gjetur klientë dhe u kanë shitur viza Schengen. Në këtë grup thuhet të jetë i përfshirë edhe një zyrtarë i ambasadës italiane në Prishtinë, shtetas i Shqipërisë.

Zyrtarë nga subjekti politik që e udhëheqë deputeti Ukë Rugova, “Lista Ibrahim Rugova”, nuk kanë dashur të flasin shumë lidhur me arrestimin e Ukë Rugovës, por vetëm thonë se “është drejtësia ajo që do ta thotë fjalën e fundit”.

Misioni EULEX shumë aktiv gjatë kësaj jave në Kosovë

Në një rast tjetër, misioni EULEX, bën të ditur se një gjyqtar ndërkombëtar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka urdhëruar një muaj paraburgim për Dragoljub Delibasic, i arrestuar të martën në mbrëmje më 4 shkurt në veri të Mitrovicës. Në njoftimin e misionit EULEX, thuhet se “gjyqtari i procedurës paraprake ka gjetur prova se ekziston rreziku substancial që i pandehuri të ikë nga hapësira e juridiksionit dhe se po ashtu ekziston rreziku konkret i kërcënimit të dëshmitarëve”.

“I dyshuari, Dragoljub Delibasic, duke vepruar në cilësi të komandantit të policisë serbe në Mitrovicë në vitin 1999/2000, akuzohet për, nxitje për vrasje të rëndë me paramendim duke i privuar nga jeta personat e tjerë për shkak të motivit nacional, të kryer në bashkëpjesëmarrje me Oliver Ivanovic, udhëheqësin e pretenduar të 'Rojeve të Urës', thuhet në njoftimin e misionit EULEX.

Dyshimet kundër Dragoljub Delibasic, lidhen edhe me ngjarjet e muajit shkurt të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës, kur dhjetë shqiptarë humbën jetën gjatë trazirave të dhunshme që ndodhën atje.