Konferenca për Islamin: Platformë dialogu me grindje
27 Shtator 2016Me një ceremoni festive festohet sot (27.09) 10-vjetori i themelimit të Konferencës për Islamin në Gjermani, ku fjalimin kryesor e mbajti ministri i Financave, Wolfgang Schäuble (atëherë ministër i Brendshëm), i cili në 2006-n thirri Konferencën e parë të Islamit në Gjermani. Më parë nuk ekzistonte një dialog i institucionalizuar me shtetit gjerman dhe shoqatave e organizatave të myslimanëve - ky ishte një vendim mjaft pozitiv për të ardhmen, pra një platformë që duhej të çonte përpara integrimin e përgjithshëm shoqëror e fetar të rreth 4 milionë myslimanëve në Gjermani.
Myslimanët gjermanë merren seriozisht
Suksesi kryesor i kësaj konference shihet tek futja e mësimit të islamit në shkollat shtetërore dhe krijimi i katedrave të teologjisë së islamit në universitete. Me ardhjen e ministrit të Brendshëm, Thomas de Maiziere kjo konferencë u përqëndrua tek çështje konkrete të jetës së përditshme të myslimanëve. Kështu është punuar për ngritjen e kujdestarëve shpirtërorë në ushtri, në burgje që të rinjtë që ndodhen aty të mos radikalizohen.
Sipas bashkëthemeluesit e organizatorit të dikurshëm të kësaj konferencë, Markus Kerber, një nga sukseset është rritja e perceptimit për myslimanët. "Që nga kjo kohë, pa shumë zhurmë në opinionin gjerman, myslimanët gjermanë perceptohen e merren seriozisht, politika ballafaqohet me ta. Edhe ata vetë e kanë kuptuar këtë. Për mua kjo është një ndër arsyet, pse në Gjermani nuk ka pasur akte terrori nga të ashtuquajturit "terroristë të lindur këtu".
Kritika në 10-vjetorin e themelimit të konferencës vijnë nga publicisti gjermano-maroken, Sineb El-Masrar që shprehet për Deutschland Radio se Këshilli Qëndror i Myslimanëve, i përfaqësuar në konferencë shpërndan përmbajtje salafiste.
Një nga problemet e konferencës ka qenë gjithmonë përfaqësimi i myslimanëve aty, duke qenë se ka shumë organizata përfaqësuese, shpesh në grindje me njëra-tjetrën. Ekspertja Seyran Ates i tha Deutsche ëelles se për fat të keq në këtë konferencë të islamit përfaqësohen vetëm 15% e myslimanëve, sepse vetëm kjo pjesë është e përfshirë në organizata, të cilat shumica përfaqësojnë turqit në vend. Por tani me ardhjen e qindra-mijëra myslimanëve në Gjermani, jo turq, do të ketë ndryshime edhe në përfaqësimin e konferencës.