Komuniteti Politik Europian dhe qëndrimi gjerman ndaj tij | Evropa | DW | 03.09.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Komuniteti Politik Europian dhe qëndrimi gjerman ndaj tij

Kancelari gjerman Olaf Scholz mbështeti në Pragë idenë e Presidentit francez Macron për një Komunitet Politik Europian. Por Gjermania e pranon atë jo si alternativë ndaj zgjerimit të BE, shkruan Auron Dodi.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbështeti të hënën (29.08.) në fjalimin për Europën në Pragë propozimin për një Komunitet Politik Europian, të prezantuar në maj nga presidenti francez Emmanuel Macron. Scholzi tha se vërtet ekzistojnë tashmë disa forume në Europë, ku evropianët bashkëpunojnë përtej BE, siç janë "OSBE, OECD, Partneriteti Lindor, Zona Ekonomike Evropiane dhe NATO". Por deri tani ka munguar një forum i liderëve politikë me BE. Në këtë rol e kupton Scholzi Komunitetin Politik Europian.

Kancelari i Gjermanisë tha se kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE mund të takohen me ata jashtë BE në këtë kuadër, në formën e një forumi, "një herë apo dy herë në vit". Ai u shpreh edhe për temat, që mendon se ka kuptim të diskutohen në forum. Janë „tema që prekin kontinentin në tërësi: siguria, energjia, klima ose konektiviteti". 

Mbështetja që i jep kancelari gjerman iniciativës franceze ndikon që ajo të mbetet në diskutim. Gjermania tregon solidaritet me një ide franceze, për të cilën Këshilli Europian u pozicionua në qershor. Pozicionimi i kancelarit gjerman është i ngjashëm me konkluzionet e Këshillit Europian, por të dyja dallohen nga idetë, sidomos fillestare të presidentit francez.

Olaf Scholz në Pragë, 29.08.2022

Olaf Scholz mban fjalimin në Pragë, 29.08.2022

Komuniteti Politik Europian – pa struktura fikse institucionale

Komuniteti Politik Europian (KPE) thërret në kujtesë Komunitetin Europian (të themeluar më 1993 me Marrëveshjen e Mastrihtit e që përfundoi më 2009 me Marrëveshjen e Lisbonës), por nuk është i ngjashëm me të. Ai nuk ka struktura fikse institucionale ose një kornizë juridike, siç kishte Komuniteti Evropian.

Sipas përfytyrimeve aktuale, ai do të ishte i ngjashëm më tepër me forume ekonomike si G7-a apo G-20. Në to takohen liderët e shteteve anëtare për të diskutuar temat e mëdha të politikës. Komuniteti Politik Europian do të ofronte po ashtu "takime në nivelin e liderëve": në një version të gjerë të tij ,"të të gjitha shteteve me të cilat BE ka marrëdhënie të ngushta"; ose në një version më të ngushtë të tij, ai do të ishte "platformë për koordinimin e politikave të vendeve evropiane në të gjithë kontinentin". Kështu u tha në konkluzionet e Këshillit Evropian në qershor. Pas një "shkëmbimi të parë mendimesh" për një orë e gjysëm për këtë temë, Këshilli Evropian tha atëherë se diskutimi për këtë projekt mund të vazhdojë.

Kur e përmendi për herë të parë në maj Komunitetin Politik Europian në Parlamentin Europian, Presidenti Macron e paraqiti atë si një mjet tjetër për të strukturuar Europën. Macroni tha se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i vetmi mjet, për të strukturuar kontinentin. Kjo për shkak të shkallës së integrimit dhe ambicjeve të BE. Por forumi, për të cilin po diskutohet tani, nuk duket i mjaftueshëm për synimin fillestar të Macronit.

Përfytyrimet franceze për Komunitetin Politik Europian

Synimi i Macronit ishte t'i shtonte Bashkimit Europian një nivel tjetër, apo një rreth tjetër. Veç shteteve anëtare në BE dhe rrathëve të tjerë siç janë shtetet e Eurozonës dhe ato të Shengenit, do të shtohej edhe një rreth i jashtëm shtetesh: shtete me të cilat sipas Macronit BE "ndan të njëjtat vlera." Macroni kërkoi më tej që bashkëpunimi të mos jetë vetëm në politikë. Por edhe në siguri, në energji, në transport, në investime, në infrastrukturë, në lëvizjen e lirë të personave dhe te rinia.

Bruksel, 23.06.2022 (Charles Michel, Macron, von der Leyen) Scholz mbështeti në Pragë Komunitetin Politik Evropian. Por precizoi si e përfytyron Gjermania atë, shkruan Auron Dodi.

Bruksel, 23.06.2022

Liderëve të shteteve ballkanike kandidate në BE, Macroni u tha në qershor se në platformën që propozonte ai, ata nuk do të ishin vetëm formalisht të barabartë me BE, siç janë aktualisht, kur në fakt zbatojnë vetëm rregullat juridike të BE dhe respektojnë kërkesat e të tjerëve. Frankfurter Allgemeine Zeitung e komentoi këtë si një përpjekje të Macronit për t'i bërë për vete liderët ballkanikë.

Ai dhe më vonë Presidenti i Këshillit Europian, belgu Charles Michel folën edhe për një integrim selektiv në fusha të caktuara të shteteve kandidate në BE. Një shtet që p.sh., i kishte reformuar tregjet energjetike, mund të ftohej në samitet e ministrave të Energjisë të BE.

Kjo duket e pranueshme për të gjithë, por nga përvoja projekte si këto duan kohë që të nisin. Një difekt i procesit të tanishëm të anëtarësimit në BE është padyshim që shtetet kandidate i gëzojnë vetëm në fund shumë rezultate për të cilat përpiqen me vite.

Projekti i Macronit ecën në drejtimin e duhur, për këtë nuk ka dyshim. Kjo shpjegon edhe mbështetjen e Gjermanisë. Ia vlen që në procesin e zgjerimit të ecet në dy shina, me KPE ose me një Hapësirë Evropiane Politike dhe Ekonomike, konkludoi në maj Fondacioni Shkenca dhe Politika, që këshillon qeverinë gjermane.

Megjithë deklaratën e tërhequr të qershorit të Këshillit Europian, ministri francez i Evropës, Laurence Boone deklaroi javën e kaluar (26.08.) se Komuniteti Politik Europian duhet të përqëndrohet "në politikën e jashtme dhe të sigurisë” dhe "në tregti, kërkime dhe arsim”.

Kancelari Scholz skicon kufijtë e "Europës gjeopolitike”

Që në maj, kancelari Olaf Scholz e quajti në Berlin propozimin e Macronit propozim "shprehimisht interesant". Por linja të qarta si e përfytyron Gjermania Komunitetin Politik Europian Scholzi përcaktoi në fjalimin e tij të hënën në Pragë.

Që në krye ai bëri të qartë se zgjerimi i BE duhet të ndodhë. "Unë angazhohem për zgjerimin e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, me Ukrainën, Moldavinë dhe në perspektivë edhe me Gjeorgjinë". Komuniteti Politik Europian është për kancelarin "një forum" për tema të caktuara të mëdha.

Takimi i G-7 në Kështjellën Elmau, 26.06.2022. Scholz mbështeti në Pragë Komunitetin Politik Evropian. Por precizoi si e përfytyron Gjermania atë, shkruan Auron Dodi.

Takimi i G-7 në Kështjellën Elmau, 26.06.2022

Kancelari Scholz i përmendi me arsye kufijtë e një „Europe gjeopolitike", sipas përfytyrimit gjerman. Komuniteti Politik Europian nuk është "alternativë ndaj zgjerimit të ardhshëm të BE", tha ai. "Sepse u kemi dhënë fjalën kandidatëve tanë për anëtarësim - vendeve të Ballkanit Perëndimor madje që prej 20 vjetësh." Kancelari e theksoi çështjen e zgjerimit, sepse këtu kanë qenë pikëpyetjet për synimin final apo shoqërues të propozimit francez.

Shkaqet për rezervat ndaj propozimit francez

Kur e paraqiti propozimin e tij Macroni në të njëjtën frymë ai tha se për shtete si Ukraina do të duhen dekada që të anëtarësohen në BE. Pasi Ukraina dhe Moldavia e morën në qershor statusin e kandidatit të BE, Macroni u shpreh se në plan afatgjatë kjo nuk është strategjia e duhur. As për shtetet kandidate, që lodhen nga procesi i gjatë, dhe as për Bashkimin Europian, i cili thellohet dhe zhvillon një "intimitet strategjik" "që nuk duhet ta sakrifikojmë për këtë".

Honi soit qui mal y pense (= E mbuloftë turpi, atë që mendon keq) kur dëgjoi këto deklarata dhe kujt iu kujtua ftesa e francezit tjetër, presidentit François Mitterrand në vitet 1990, për shtetet ish-komuniste lindore (dhe Rusinë): ato ftoheshin të hynin në një "konfederatë evropiane". Por këtë ftesë shtetet lindore e kuptuan si një truk për të mos hyrë kurrë brenda, në Bashkimin Evropian. Edhe presidentit Macron i njihet aftësia për t'i shprehur me narrativë tërheqëse evropiane synimet franceze.

Kur foli për integrimin e shteteve që kryejnë reformat energjitike në BE, mbështetësi tjetër i idesë së Komunitetit Politik Europian, Charles Michel tha se ata që i braktisin reformat mund të përjashtohen. Te disa vëzhgues kjo ushqeu edhe më tepër dyshimin se platforma mund të përdoret më tepër si mjet përjashtues, madje edhe për shtete që janë në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, nga grupet potenciale përfituese të një Komuniteti Politik Europian, Britania e Madhe deklaroi se nuk ka interes për këtë. Kandidatja për kryeministre e Britanisë së Madhe, Liz Truss deklaroi javën e kaluar (27.08.) për propozimin e Macronit se nuk e kanë mbështetur dhe personalisht nuk beson në "komunitetin e tij politik dhe ekonomik."

Në qershor, Emmanuel Macroni shtoi se, nëse forumi do të mbetet vetëm takim për të pirë kafe me kryetarët e shteteve dhe të qeverive, apo do të bëhet më shumë, këtë do ta vendosin shtetet. Nëse ky forum, ndryshe nga iniciativat e tjera të ngjashme të mëdha franceze do të zhvillojë - në fund - një dinamikë të qëndrueshme, kjo mbetet të shihet.