Kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit
24 Shkurt 2012Shefi i delegacionit serb në bisedimet për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit Borisllav Stefanoviq sqaroi në përfundim të bisedimeve që zgjatën tre ditë në Bruksel se përfaqësimi i Kosovës në takimet rajonale do të jetë asimetrik "në atë mënyrë siç edhe është kërkuar nga Serbia". Kjo asimetri është pasqyruar përmes një fusnote e cila i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe vendimit të GJND-së për deklaratën e pavarësisë së Kosovës.
Stefanoviq shprehu kënaqësinë e tij për marrëveshjen e arritur dhe shtoi se me të "mbrohen interesat e Serbisë dhe Rezolutës 1244". Ai shtoi se me arritjen e kësaj marrëveshjeje "Serbia ka plotësuar të gjitha kushtet për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim javën e ardhshme."
Udhëheqësja e grupit negociator nga Prishtina Edita Tahiri ashtu si gjatë dy ditëve të kaluara të bisedimeve nuk i është drejtuar përfaqësuesve të mediave.
Raundi më i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit filloi të mërkurën, ndërsa vazhdoi të enjten, dhe sot (e premte).
Autorë / Agj. / Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi