1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Trumpi nxitës i dhunës dhe shpëtimtar!

Ines Pohl
24 Korrik 2020

Ndryshe nga paraardhës të tij në kohë rënieje të elektoratit në sondazhe Trumpi po i shpall luftë jo vendeve të tjera, por vendit të vet. Tani ai po grindet me popullin e vet, mendon Ines Pohl.

https://p.dw.com/p/3frWe
USA Präsident Trump
Fotografi: Reuters/L. Millis

Për Donald Trumpin situata nuk duket aspak mirë. COVID-19 në SHBA po përhapet me shpejtësi mjaft të madhe. Numri i të infektuarve po rritet, sallat me trupat e të vdekurve janë mbushur kaherë në shumë qytete. Para spitaleve janë parkuar maune të mbushura me të vdekur. Presidenti i cili nuk do të marrë asnjlloj përgjegjësie për planet nacionale të shpëtimit, bën thirrje për vetvaksinime të dyshimta dhe për një kohë të gjatë ai i përqeshte ata që thonin se duhet mbajtur maska. Kjo ka zemëruar shumë jo vetëm kundërshtarët poilitikë. Edhe mbështetësit e tij brenda partisë kanë nisur të flasin kundër Trumpit. Pas çdo lajmi horror me shtimin e numrit të infektimeve dhe vdekjeve, Trumpi po humbet mbështetjen në krahasim me Joe Biden. Në shumë sondazhe flitet ndërkohë për një epërsi dyshifrore të Bidenit.

Madje edhe vet Donald Trump, i cili shpesh e interpreton botën sipas qefit të tij, e ka të qartë ndërkohë se ekonomia amerikane nuk do të rimëkëmbet deri në nëntor, kur mbahen zgjedhjet. Përkundrazi, gjendja e rëndë ekonomike po shihet gjithnjë e më shumë, nga java në javë. Qeveria nuk ka aq shumë para për të shtyrë krizën deri pas zgjedhjeve. E parulla "Kina është fajtore për të gjitha", nuk mjafton më ër t'i fituar zgjedhjet.

Ines Pohl Kommentarbild App
Ines PohlFotografi: DW/P. Böll

Nxitja e dhunës dhe loja e shpëtimtarit

Presidentët e tjerë amerikanë në situata të tilla kanë nisur ndonjë luftë. Armiku i jashtëm gjithmonë bashkon. Presidentët e luftës rizgjidhen gjithmonë.

Donald Trump po ndjek një rrugë tjetër. Ai me qëllim po përhap pasiguri dhe frikë tek shumë amerikanë. Në mënyrë perfideai po shfrytëzon përçarjet në shoqërinë amerikane për ta përçarë vendin edhe më shumë. Pavarësisht çmimit që duhet paguar ai po nxit dhunë, me qëllim që më pas të paraqitet si shpëtimtar.

Ai po e bën këtë me të njëjtën taktikë politike si edhe në vitin 2016 kur fitoi zgjedhjet - të tjerët janë ata që kërcënojnë vendin. "Të tjerët" janë fajtorë. Ai paraqitet si shpëtimtar i mbështetësve të vet prej "të tjerëve".

Ky është një koncept i thjeshtë. Por që funksionon në këtë vend, që ka humbur busullën brenda vendit. Kjo lë përshtypje tek njerëzit, tek të cilët zemërimi ka zëvendësuar shpresën për realizimin e ëndrrës amerikane, në një kohë kur SHBA po e humbet statusin e superfuqisë. Në këtë situatë Trumpi përpiqet të paraqitet si shpëtimtar.

Paknaqësitë me politikën e Trumpit

Fillimisht thuhej se trupat anonime të Trumpit do të mbrojnë përmendoret historike. Presidenti ka lëshuar në qershor një dekret me të cilin lejohet angazhimi i policisë federale në qytetet ku mbaheshin protesta kundër dhunës policore dhe diskriminimit të njerëzve me ngjyrë. Në ditën e festës kombëtare, me 4 korrik, ai u shpalli luftë "të gjithë majtistëve", të cilët duan të cënojnë monumentet historisë së lavdishme amerikane. Dhe vërtet, pamjet nga Portlandi dëshmojnë një situatë të ngjashme me luftën. Ajo që po përjetohet për momentin është më keq se në Afganistan, tha Trumpi në Dhomën Ovale para disa ditësh. Taktika e Trumpit duket se ka lënë përshtypje tek mbështetësit e tij.

Por guvernatorët dhe kryetarët e bashkive nuk e kanë kërkuar këtë lloj mbështetjeje. Ata e dinë se policia me unifroma të maskuara nuk do ta qetësojë situatën por do të provokojë incidente. Ata nuk duan forca anonime që rrahin njerëzit në rrugë dhe i fusin ata me dhunë në automjete.

Por Trumpi i duhen pikërisht këto imazhe. Ai do sa më shumë pamje të tilla. Ky është shansi i tij i fundit që të mbetet në postin e presidentit edhe pas zgjedhjeve të ardhshme - me dhunë në rrugët amerikane, me të cilën provokon kundërdhunë. Këto imazhe e ndihmojnë atë të paraqitet si shpëtimtar. Vendimi për dërgimin e trupave të tjera federale do t'i ndohmojë atij në këtë drejtim.