Koment: Si të veprohet me të përjashtuarin | Bota | DW | 18.11.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Si të veprohet me të përjashtuarin

Presidenti rus, Vladimir Putin po izolohet gjithnjë e më tepër. Kjo mund ta bënte atë edhe më agresiv. BE duhet t'i përmbahet një linje të përbashkët, mendon Christoph Hasselbach.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Vladimir Putini i ka bërë me sa duket dy herë gabim llogaritë. Izolimi i tij ndërkombëtar pas aneksimit të Krimesë nuk mbeti i kufizuar te G-8-a ekskluzive. Jo, edhe në grupin më të madh, G20 ai është i huaji, ngatërrestari. Dhe tani probleme ekonomisë ruse po i shkaktojnë jo vetëm sanksionet e BE, por edhe rënia e madhe e çmimit të naftës. Dhe nëse në plan afatgjatë bie standardi i jetesës në Rusi, mbështetja e popullit për Putinin shpejt mund të marrë fund.

Koncepti i shpërdoruar i realpolitikës

Për fat të keq, konflikti me Rusinë nuk do të zgjidhet në formën, që Putini, pasi ta jetë menduar me mendje të kthjellët të arrijë në përfundimin se kostoja e politikës së tij deri tani ka qenë shumë më e lartë se fitimi. I vënë me shpatulla pas muri ai mund të bëhet përkundrazi, më agresiv. Bëhet fjalë për çështje prestigji, për krenari të plagosur nacionale, për ruajtjen e fytyrës. Pjesërisht kemi të bëjmë edhe me një njeri që nuk shpëton dot më nga "shpirtrat që ka thirrur vetë".

Në BE ka njerëz që ngulin këmbë që t'u jepet së shpejti fund të gjitha sanksioneve; ata do të ishin të gatshëm që t'i pranonin Rusisë një sferë ndikimi. Sipas kësaj, shtetet e kësaj zone do të kishin vetëm një sovranitet të kufizuar, nuk do të ishin të lira t'i zgjidhnin lirisht aleancat e tyre. Për lëshime të tilla shpërdorohet koncepti i realpolitikës. Në të vërtetë këtu do të kishim të bënim me një shitje të vlerava demokratike, një deklarim falimentimi i Berlinit.

Sferë ndikimi ruse në Ballkanin Perëndimor?

Kancelarja federale, Angela Merkel tha në fjalimin e saj në Sidney në mënyrë të pazakontë të ashpër, se çfarë është në lojë për të. Ajo, që shmang çdo fjalë të pamenduar, që edhe në Brisbane kërkoi të bisedonte me Putinin, e di si ish-qytetare e RDGJ-së që ka qenë se çdo të thotë të jetosh në sferën e ndikimit rus. Ajo druhet se Rusia, po të shpëtojë paq me aneksimin, furnizimin me armë dhe destabilizimin e Ukrainës mund të bëjë të njëjtën gjë edhe në Gjeorgji dhe në Moldavi. Edhe vetë në Serbi dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, pra në një territor të rrethuar me shtete të BE, ajo nuk e përjashton një politikë të qëllimshme interesash të Rusisë, për ta penguar afrimin e rajonit me BE. Kaq larg nuk ka shkuar askush nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të vjetra të BE. Është e padrejtë, por po ta kishte bërë deklaratën e Merkelit një President i shteteve baltike, atë do ta akuzonin shumë shpejt për paranojë dhe përhapje paniku. Duket se ndërkohë edhe Merkeli llogarit më të keqen nga Putini.

Vendimtar është shtrëngimi i radhëve

Me fjalimin e saj, Merkeli donte jo së fundi të forconte shtrëngimin e radhëve në Evropë. Sepse ajo e di, që Putini përpiqet të përçajë. Në BE ishte shumë e vështirë që të miratoheshin sanksionet e gjera ekonomike. Sa më shumë që zgjat konflikti, aq më e vështirë mund të bëhet mbajtja e sanksioneve. Po nuk bëhet fjalë për asgjë më pak se për mbrojtjen e rendit të paqes të shtetit juridik, në të cilin kufijtë nuk mund të shtyhen thjesht me dhunë. Një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë, Perëndimi e përjashton. Sanksionet janë mjeti më i ashpër që ka ai. Por ato kanë efekt vetëm në plan afatgjatë. Pra nevojitet durim.

Reklamë