1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtete teokratike vrastare

Kersten Knipp5 Janar 2016

Pas ekzekutimit të predikuesit shiit Al-Nimr janë shtuar tensionet midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Për të dyja shtetet konflikti është i mirëpritur, mendon Kersten Knipp. Sepse të dyja ndjekin një politikë cinike.

https://p.dw.com/p/1HXu0
Iran - protesta kunder ekzekutimeve ne Arabine Saudite
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Kenare

Momenti i ekzekutimit nuk është rastësi. Shteti saudit e di shumë mirë se çfarë bën. Dhe po kaq mirë e di se kur e bën. Kaq naiv nuk është askush në Riad, që të mos i parashikojë pasojat e ekzekutimeve masive. Kjo do të thotë se zbatimi i dënimit me vdekje përfaqëson edhe një mesazh politik, madje ndoshta në radhë të parë. Dhe ky mesazh është: askush të mos guxojë të matet me ne. As brenda dhe as jashtë Arabisë Saudite.

Sinjal brenda dhe jashtë vendit

Ky mesazh drejtohet në radhë të parë ndaj opozitës në vend. Për të, ekzekutimet janë paralajmërimi më i ashpër që mund të bëhet. Aktualisht, drejtësia saudite po ndjek një kurs të ashpër kundër kundërshtarëve të të gjitha ngjyrave. Me blogerin Raif Badawi para gjyqit doli një liberalM; me poetin Ashraf Fayad, një përfaqësues i kulturës moderne; dhe me Nimr al-Nimrin që e vranë tani - njëri nga përfaqësuesit më të lartë të shiitëve sauditë. Edhe nipi i Al-Nimrit, Ali al-Nimr është dënuar me vdekje për shkak të protestave kundër regjimit; në momentin e "shkeljes" që bëri ai ishte vetëm 16 vjeç. Këto raste të shquara janë shembuj për kërcënimet, para të cilave e sheh veten Arabia Saudite. Ndaj tyre me sa duket ajo reagon krejtësisht sipas modelit të kasapit sirian Bashar al-Assad.

Në politikën e jashtme, ekzekutimet me sa duket synojnë të dërgojnë një sinjal të fuqisë dhe të vendosmërisë. Që prej të tërheqjes së pjesshme të fuqisë mbrojtëse SHBA, Arabia Saudite përpiqet që nën kryeministrin 30 vjeçar dhe zëvendësin e princit trashëgimtar të kurorës Mohammed Bin Salman të prezantohet si fuqi e madhe në rajon. Që prej muajsh, ushtria saudite ka ndërmarrë sulme nga ajri ndaj vendit fqinj Jemen, i cili është bërë prej kohësh fushë beteje e një lufte me prokurë me Iranin shiit. Regjimit me sa duket aq i bën për rreth 3000 civilët që humbën jetën dhe rreth dy milionë e gjysmë refugjatët e brendshëm.

Kersten Knipp
Kersten Knipp

Para pak kohësh, Arabia Saudite u vu në krye edhe të një aleance të re: një "aleance-antiterroriste" në Siri- e vëmë në thonjëza këtë koncept, për shkak të ekzekutimeve. Trazirat e provokuara qëllimisht në Iran me ekzekutimet, por edhe në Irak dhe tek Hisbollatë e mbështetur nga Irani me sa duket i shërbejnë shtrëngimit të radhëve midis aleatëve sunitë të Arabisë Saudite edhe në lidhje me Sirinë. Konflikti merr ngjyra fetare, duke u nxehur edhe më tepër. Të para kështu, ekzekutimet janë edhe një përllogaritje strategjike. Dhe drejtësia vihet në shërbim të politikës.

Reagime të diskutueshme në Teheran

Natyrisht që edhe protestat në Iran janë më tepër se të diskutueshme. Rrethana që udhëheqja iraniane lejon sulmin dhe shkretimin e ambasadës saudite, tregon edhe që regjimi i mullave në Teheran nuk është i interesuar për qetësimin e konfliktit. Edhe ai vendos përllogaritjet politike mbi të drejtën ndërkombëtare. Sepse e drejta ndërkombëtare do të kishte kërkuar që të garantohet me çdo kusht mbrojtja e ambasadës. Në vend të kësaj, Irani e shpall veten me prepotencë si "fuqi mbrojtëse" të shiitëve - edhe të shiitëve nënshtetas të vendeve të tjera. Edhe ky është shkallëzim dhe i kalon kufijtë e protestave. Skeptik të bën reagimi edhe sepse Irani pas Kinës është vendi që i zbaton më shumë në botë dënimet me vdekje - i ndjekur drejtpërdrejt nga Arabia Saudite.

Ekzekutimet si dhe reagimi ndaj tyre tregojnë edhe njëherë më shumë se si janë ndërtuar të dyja regjimet, që përcaktojnë tonin në Lindjen e Afërt. Dhe për regjimet perëndimore shtrohet edhe njëherë më shumë pyetja nëse duhen thirrur vërtet "partnere" të dyja regjimet e armiqësuara në Gji.