1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Rasti Lübcke duhet të jetë një thirrje për zgjim

Fabian von der Mark
28 Qershor 2019

Gjermania duhet t‘i japë prioritet të lartë luftës kundër ekstremizmit të djathtë. Rreziku është shtuar, tani edhe rezistenca duhet të rritet, mendon Fabian von der Mark.

https://p.dw.com/p/3LDWR
Rechtsextremismus Deutschland Symbolbild
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Schlueter

Një politikan gjerman vritet nga ekstremistët e djathtë për shkak të qëndrimit të tij. Ajo që Gjermania përjetoi para 110 vjetëve me vrasjen e Walther Rathenau, përsëritet në vitin 2019: Walter Lübcke qëllohet për vdekje nga një njeri, i njohur për ideologjinë dhe aktivitetin e tij. Lübcke kishte marrë kërcënime, por nuk u mbrojt. Çfarë tragjedie!

Sado të mëdha të jenë tronditja dhe shoku për rastin e vrasjes së Lübkes, vërtetë i befasuar nuk është askush në Gjermani. Nga viti 2000 deri 2007 ndodhën dhjetë vrasje të të ashtuquajturit Ilegaliteti Nacionalsocialist (NSU), një organizatë e djathtë terroriste, e cila kishte në shënjestër kryesisht migrantët.

Nxitja e urrejtjes është bërë e përditshme
 

Por përveҫ këtyre akteve, gjuha e urrejtjes është e përditshme dhe kërcënimet fizike po ashtu. Ky nuk është aspak vetëm një problem dixhital, edhe pse rrjeti është plot me neonazistë. Demonstratat në Chemnitz apo tek Pegida, tek të ashtuquajturit „Evropianët Patritotë kundër Islamizimit të Perëndimit", nuk ishin takime të qytetarëve të zemëruar, por të predikuesve të urrejtjes. Këtu glorifikohej pikërisht dhuna, pre e së cilës ra tani Walter Lübcke.
 

Kundërshtimi i kësaj urrejtjeje është detyrë për të gjithë Gjermaninë. Këtu kërkohet angazhimi i shoqërisë civile, e cila në shumë vende është duke vepruar me guxim dhe vendosmëri. Kërkohet edhe angazhimi i shtetit gjerman, me policinë e tij, drejtësinë dhe shërbimet e tij të inteligjencës. Këtu ka patur dobësi në të kaluarën.
 

von der Mark Fabian Kommentarbild App
Fabian von der Mark

Si është e mundur që NSU deri kohët e fundit u trajtua si një trio, edhe pse për të gjithë duhej të ishte e qartë se sa e madhe ka qenë skena e mbështetjes për këtë seri vrasjesh? Si është e mundur që islamistët monitorohen më mirë se ekstremistët e djathtë? Si është e mundur që ekstremisti Stephan Ernst, i dënuar disa herë më parë, mundi të krijojë pa u vënë re një depozitë armësh, ndërsa bënte thirrje për vrasje në youtube?
 

Është e vërtetë që Gjermania ka një problem shumë të madh me të djathtën. Raporti i ri i Entit për Mbrojtjen e Kushtetutës liston më shumë ekstremistë të djathtë se kurrë më parë në Gjermani. Dhe 12.700 prej tyre janë të gatshëm për dhunë. Të vëzhgosh gjithҫka dhe të bësh dallimin mes mburracakëve dhe terroristëve është një problem, që shërbimet sekrete e njohin nga skena islamike. Por që shefi i shërbimit sekret të brendshëm pohon se entit të tij i mungojnë „kapacitetet për analizën" e ekstremizmit të djathtë është nga njëra anë e sinqertë e nga ana tjetër e frikshme.
 

Fiksimi tek terrorizmi islamik

Një arsye është edhe fiksimi i entit për mbrojtjen e kushtetutës tek terrorizmi islamik. Që ky kërcënim është marrë dhe merret seriozisht, është në parim e drejtë. Dhe falë këtij serioziteti kanë mundur të pengohen disa sulme në Gjermani. Por edhe nga e djathta autoritetet duhet ta hedhin vështrimin të paktën po aq seriozisht. Ata duhet të bëhen më vigjilentë online dhe offline, ta mbajnë skenën nën vëzhgim, të konfiskojnë armët dhe të dënojnë nxitësit.

Se sa mbështetës ka patur vrasësi i Lübckes, Stephan Ernst, është ende e paqartë, së paku armët ai i ka marrë me ndihmën e dikujt. Por fakt është se dorasi ka përfituar nga fryma e dhunës, nga agresioni verbal, nga simpatitë politike deri brenda në parlamentin gjerman. Është detyrë urgjente e gjithë shoqërisë, që të pengojë këtë barbarizim. Pas vdekjes së Walter Lübckes edhe ai më i fundit duhet ta ketë kuptuar, se sa urgjente është kjo.