1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të forcohet kultura e mirëseardhjes

Baha Güngör10 Qershor 2014

Vetëm zbardhja e vrasjeve të grupit terrorist të NSU-së premton për besim të ri në shoqërinë gjermane, komenton Baha Güngör, drejtues i redaksisë turke të Deutsche Welle-s.

https://p.dw.com/p/1CFBH
Baha Güngör - drejtues i redaksisë turke në DWFotografi: DW

Dielli u fsheh për pak kohë pas reve gri si një simbol për dështimet gjatë hetimeve të vrasjeve të NSU-së - në kohën kur presidenti gjerman, Joachim Gauck shkeli në rrugën Keupstraße. Aty ku para dhjetë vitesh shpërtheu një biçikletë ku ishte vendosur një bombë me gozhdë duke plagosur rëndë 22 vetë, Gauck e kishte të vështirë të gjente fjalët e duhura për të shprehur hidhërimin e zemërimin.

Në vendin e atentatit, Gauck ecte përpara me hap të ngadaltë para njerëzve që nën çadra pyesnin me sy: Përse? Gjermania e ka borxh përgjigjen për këtë pyetje jo vetëm për shkak të të metave të pafalshmeve në zhvillimin e hetimeve dhe dyshimeve të paturpshme të ngritura ndaj familjarëve të shkurajuar të viktimave të NSU-së.

Zbardhjen e plotë të krimeve me sfond ekstremist të djathtë e presin si familjet e viktimave, ashtu edhe shumica dërrmuese e gjermanëve - ata duan e mund të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, me njerëz nga vende dhe vatra të ndryshme kulturore.

"Urrejtja juaj është motivimi ynë"

Në kontekstin e forcimit të frymës djathtiste në zgjedhjet për Parlamentin Europian në fund të Majit, gjermanët duhet të japin të parët shembullin e mirë në Europë. Ata duhet të mbrohen ndaj sulmeve kundër demokracisë dhe dinjitetit të njeriut me të gjitha mjetet e shtetit të së drejtës. Në emër të të gjithë gjermanëve presidenti gjerman u foli turqve të zhgënjyer dhe zemëruar dhe duke iu drejtuar ekstremistëve të djathtë tha - "Urrejtja juaj është motivimi ynë!"

Krimet e terroristëve të NSU-së nuk duhe të çojnë edhe një herë tjetër në një letargji vetëshkatërruese. Kush hesht sot për aktet mizore të ekstremistëve të djathtë e ekspozon ndaj një rreziku të madh rendin tonë pluralist. Turqit dhe bashkë me ta miliona vetë nga kultura të tjera e kanë bërë Europën Qendrore të larmishme. Një spektër i tillë shumëngjyrësh kulturor është garancia për sigurimin e nivelit të jetesës në Europën e sotme dhe shembulli më i mirë për demokracitë e luhatshme në periferinë e kontitentit, si për shembull Turqia. Për këtë arsye nuk duhet të ndodhë kurrë më një zgjim i tillë nga një ëndërr e keqe, vetëm pse krimet nuk merren seriozisht.