Koment: Dështim i paralajmëruar në Chemnitz | Gjermania | DW | 28.08.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Koment: Dështim i paralajmëruar në Chemnitz

Policia dhe politika në Chemnitz të Gjermanisë kanë dështuar në luftën kundër ekstremizmit dhe neonazizmit. Koha është të reagohet ashpër, sa nuk është vonë. Historia e Hitlerit na mëson për rreziqet.

Kur në Chemnitz të Saksonisë bie nata përfundojnë edhe raportimet e gazetarëve. Gjendja është kaq e paparashikueshme dhe e rrezikshme. Gjithandej në qytet sillen vërdallë grupe radikale të djathta të gatshme për dhunë. Situata shkallëzon rregullisht. Një reporter është goditur dhe i është thyer hunda. Një person del para kamerave me përshëndetjen nga koha e Hitlerit dhe shtyn gazetarët. Qindra neoznazistë, huliganë dhe banorë të gatshëm për dhunë e kanë mbushur qytetin me agresivitet. Policia nuk është në gjendje të përballet me gjendjen. Mungojnë forcat. Kjo nuk është ditë e mirë për Gjermaninë dhe shoqërinë gjeramne.

Djathistët e organizuar

Është shumë çudi se si ka mundur të ndodhë diçka e tillë në Gjermani - në vendin e krimeve të Hitlerit, e djathta dhe ekstremistët vlerësohen kaq keq, minimizohen veprat e tyre dhe madje pranohet dhuna. Shkallëzimi në Chemnitz është një dëshmi tjetër për këtë. Dhuna nuk ka ndodhur spontanisht.

Deutsche Welle Pfeifer Hans Portrait (DW/B. Geilert)

Hans Pfeifer

Neonazistët organizohen prej vitesh në Chemnitz dhe rrethinë, në ndeshjet lokale të futbollit. Emri i tyre "NS Boys" flet për orientimin e tyre. Në disa qytete grupimet e djathta po përpiqen të marrin pushtetin në disa rrugë. Ato janë të ndërlidhura me grupe të tjera në Gjermani. Janë grupe të vogla, por të përgatitura mirë dhe efektive. Në këtë mënyrë janë përgatitur kaherë edhe për marshin e 27 gushtit 2018.

Policia e ka ditur për këtë marshim dhe për këto struktura. E megjithatë autoritetet nuk kanë qenë të gatshme të veprojnë dhe të garantojnë siguri dhe rend. Politika dhe organet e sigurisë nuk e kanë kuptuar seriozisht sa duhet këtë. Po pse? Sepse shumcia e autoriteteve dhe politikanëve nuk janë vet në shënjestër të djathtistëve të dhunshëm. Mungon mirëkuptimi dhe ndjenjat ndaj viktimave.

Policia dhe politika nuk kanë mirëkuptim

Duhet të pranohet edhe një gabim i rrezikshëm: Urrejtja e këtyre njerëzve nuk është e drejtuar vetëm kundër refugjatëve dhe kancelares Angela Merkel. Ajo drejtohet edhe kundër demokracisë në Gjermani. Këto njerëz nuk e respektojnë paragrafin e Kushtetutës ku thuhet se garantohen dinjiteti i njeriut, barazia e qytetarëve, ndalohet dikskriminimi mbi bazën e fesë, prejardhjes dhe gjinisë. Djathtistët e rinj luftojnë kundër atyre që mendojnë ndryshe, njerëzve me ngjyrë dhe myslimanëve. Ata e kanë vënë veten në traditën e Hitlerit, ushtrisë gjermane nga koha e Luftës së Dytë Botërore dhe i luftojnë kundërshtarët, kudo që janë. Ata duan ta sjellin terrorin sërish në rrugë.

Rreziku më i madh: Vitet e kaluara janë përzier në marshime të tilla si tani në Chemnitz edhe protestues të zhgënjyer - në gjendje të rëndë sociale. Këta të fundit nuk janë simpatizantë të neonazizmit. Por ata janë të afërt me mendimet raciste dhe anti demokratike. Kjo është alarmuese. Historia e Gjermanisë na mëson se turma e organizuar mund të shkojë larg, nëse ia del të bashkohet me zhgënjimet dhe zemërimin e shoqërisë. Këtë duhet ta di edhe politika gjermane.