Kina: Nuk përjashtohet një marrje me forcë e Tajvanit | Bota | DW | 11.08.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Kina: Nuk përjashtohet një marrje me forcë e Tajvanit

Që nga java e kaluar, Kina ka tendosur ushtarakisht muskujt kundër Tajvanit. Udhëheqësit e Pekinit sapo kanë fiksuar me shkrim rolin që mund të luajnë mjetet ushtarake në një pushtim të mundshëm të Tajvanit.

Në një dokument të ri bazë për Tajvanin, qeveria kineze ripohoi synimin për të imponuar me forcë pretendimin e saj mbi ishullin po të jetë e nevojshme. Kina do të bëjë gjithmonë përpjekje të mëdha për të arritur ribashkimin paqësor me Tajvanin, thuhet në të. "Por ne nuk do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe rezervojmë të drejtën për të marrë të gjitha masat e nevojshme”. Përdorimi i forcës do të ishte "në rrethana imperative" "zgjidhja e fundit".

Asnjë ndërhyrje e huaj nuk do të tolerohet në Tajvan, kanë thënë udhëheqësit kinezë. "Ne do të mposhtim çdo përpjekje për të përçarë vendin tonë," shtuan ata. "Qëllimi historik i ribashkimit të atdheut tonë duhet dhe do të arrihet”. Në rast të ribashkimit me Republikën Popullore, dokumenti bazë premton përparim ekonomik në Tajvan. Ishulli do të përfitonte gjithashtu nga "rritja e sigurisë dhe dinjitetit". Hera e fundit që Kina publikoi një dokument bazë për Tajvanin ishte në vitin 2000.

Tensionet e fundit u ndezën javën e kaluar nga një vizitë e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, e cila udhëtoi në Taipe pavarësisht nga kundërshtimi i Pekinit. Udhëheqësit kinezë kundërshtojnë kontakte të tilla zyrtare nga vendet e tjera me Tajvanin, pasi ata e konsiderojnë ishullin si pjesë të Republikës Popullore. Në të kundërt, Tajvani e ka konsideruar veten prej kohësh të pavarur.

Që nga vizita e zonjës Pelosi, Ushtria Çlirimtare Popullore ka ushtruar në manovra të vazhdueshme jo vetëm një bllokadë detare dhe ajrore, por edhe një pushtim të mundshëm të ishullit. Nga ana e tij, Tajvani zhvilloi të martën një stërvitje ushtarake prej gati një ore për t'u mbrojtur nga një sulm i mundshëm.

Ministri i Jashtëm Tajvanez Joseph Wu: Kina dëshiron të dobësojë moralin tajvanez

Pelosi mbrojti udhëtimin e saj. "Ajo që kinezët bëjnë tani është ajo që bëjnë gjithmonë," tha ajo, duke iu referuar manovrave ushtarake në ngushticën e Tajvanit. Demokratja tha se mori "mbështetje të madhe nga të gjitha partitë" për vizitën e saj.

Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu akuzoi Kinën se "përgatitet për një pushtim të Tajvanit". Vizita e Pelosit do të ishte vetëm një pretekst për Pekinin. Synimi i vërtetë i Kinës është "të ndryshojë statuskuonë në ngushticën e Tajvanit dhe në të gjithë rajonin", vazhdoi Wu. Bëhen presionet ekonomike për të dobësuar moralin publik në Tajvan".

Ndërkohë, Kina i ka shpallur të përfunduara manovrat ushtarake pranë Tajvanit. Megjithatë, për të ardhmen janë planifikuar "patrullime të rregullta”. Stërvitja ushtarake dhe përgatitjet e tjera do të vazhdojnë gjithashtu. Ushtria "do të ruajë me vendosmëri" sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, u tha.

aud (bri,as, dpa, afp, rtr)