1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina miraton vaksinën e saj të parë

31 Dhjetor 2020

Ka kaluar saktësisht një vit që kur Kina informoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë për infeksionet e para me Corona. Tani Kina miratoi vaksinën e saj të parë.

https://p.dw.com/p/3nPsT
China Peking | Sinopharm Impfstoff
Fotografi: Zhang Yuwei/AP/picture alliance

Sinopharm, një prodhues farmaceutik kinez për herë të parë në Kinë tani mori miratimin për përdorimin e gjerë të një vaksine kundër Covid-19. Të dhënat treguan se vaksina plotëson standardet përkatëse të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Administratës Kombëtare të Ushqimit dhe Medikamenteve, thuhet në një deklaratë zyrtare.

79 për qind mbrojtje

China Peking | Sinopharm Impfstoff
Fotografi: Tingshu Wang/REUTERS

Vaksinës së Sinopharm-it i është dhënë "miratimi me kusht". Në të ardhmen, qëndrueshmëria dhe efekti mbrojtës i vaksinimit duhet të monitorohen vazhdimisht. Sinopharm ka njoftuar se vaksina e saj ofron më shumë se 79 përqind mbrojtje ndaj COVID-19. Ky informacion është konfirmuar nga autoritetet kineze.

Në Kinë vetë, krahas Sinopharmit ka edhe tre kompani të tjera, Anhui Zhifei Longcom, Cansino dhe Sinovac, të cilat janë në fazën përfundimtare të zhvillimit të vaksinave. Republika Popullore e Kinës kishte caktuar objektivin se do të nxirrte 600 milionë doza në treg deri në fund të vitit. Kohët e fundit, media shtetërore foli gjithashtu për dëshirën për të vaksinuar 50 milionë kinezë deri në mes të shkurtit.

Vaksinimi me leje emergjente

Megjithëse nuk ka pasur ende ndonjë aprovim për publikun e gjerë, vaksinimet po në Kinë po bëhen që nga vera. Sipas vlerësimeve mbi një milion njerëz tashmë janë vaksinuar përmes lejeve emergjente për vaksinën.

Sipas të dhënave të ofruara nga Sinopharm, vaksina kineze e aprovuar tani është më pak e efektshme se të ashtuquajturat vaksina mARN të BioNTech-Pfizer dhe Moderna, të cilat, sipas prodhuesve, kanë një efektshmëri prej 95 përqind. Sidoqoftë, sipas prodhuesit, vaksina kineze mund të ruhet në temperaturën normale të frigoriferit. Shumë vende- veçanërisht në Afrikë dhe Amerikën e Jugut - kanë bërë porosi për vaksinat kineze.

China Peking | Sinopharm Impfstoff
Fotografi: Zhang Yuwei/Xinhua/imago images

Lajmi i parë erdhi një vit më parë

Kjo e enjte shënon përvjetorin e ditës në të cilën Kina informoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për infektimet e para me Corona. Më 31 dhjetor 2019, autoritetet kineze informuan zyrën e OBSH-së në Pekin se një lloj i ri virusi me sa duket kishte shkaktuar një sëmundje të frymëmarrjes në disa njerëz në metropolin milionësh të Wuhanit. Më 7 Janar patogjeni i njohur sot si Sars-CoV-2 u izolua dhe Kina e publikoi sekuencën e tij gjenetike në 12 Janar.

Infektimet e para, të cilat OBSH më pas i klasifikoi si infektime me Corona, datohen që në 8 Dhjetor 2019. Që atëherë, patogjeni është përhapur me shpejtësi. Rreth 82 milionë infektime janë zbuluar ndërkohë në të gjithë botën, dhe më shumë se 1.79 milionë njerëz të infektuar kanë ndërruar jetë. Pandemia dhe kundërmasat po ndikojnë jetën e njerëzve dhe ekonomitë në të gjithë botën. Në Kinë, virusi është vënë kryesisht nën kontroll me masa të rrepta të tilla si mbyllja e qyteteve të tëra dhe testet masive.

aud (rtr, afp)