Këhler dëshmon guxim | Studimi në Gjermani | DW | 14.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Këhler dëshmon guxim

Tema: Komente ndaj vendimit të presidentit Horst Këhler, që brenda dy javësh refuzoi të nënshkruajë dy ligje të koalicionit qeveritar

default

Gazeta "Schwarzwälder Bote", që botohet në Oberndorf komenton:

"Presidenti Këhler gjithnjë e më shumë po profilohet si një president i vërtetë i popullit dhe opozita më e fuqishme në vend. Megjithë kritikat e shumta që vijnë në drejtim të tij prej politikanëve dhe gazetave. Kancelarja Angela Merkel nuk duhet të shkojë në raport para presidentit, siç kërkon lideri i liberalëve Gido Vestervele. Kjo edhe nuk i duhet presidentit. Për dallim prej politikanëve të tjerë, ai e ka popullin pas vete. Prandaj duhet ta respektojnë të gjithë", pohon komentatori i kësaj gazete.

Edhe "Landshuter Zeitung/Straubinger Tagblatt" e Straubingut e vlerëson lartë punën e presidentit.

"Me mosnënshkrimin e dy ligjeve të koalicionit zi e kuq, presidenti Këhler duket se është betuar t'i mbetet besnik kushtetutës dhe ta mbrojë atë. Ai nuk i ka tejkaluar kompetencat, por ka treguar guxim, sikur edhe shumë paraardhës të tij që të ndalojë ligjet për të cilat mendon se janë antikushtetuese. Në këtë mënyrë, presidenti i ka hapur rrugën Gjykatës kushtetuese të bëjë vlerësimin e ligjeve, ndërsa presidenti ka vendosur të mos e ndjekë rrugën e rezistencës më të vogël", shkruan kjo gazetë.

Vëmendjen e komentatorëve gjermanë kanë zgjuar sot edhe mosmarrveshjet dhe dështimi i një vendimi në nivelin federal, për ndalimin e pirjes së duhanit në vendet publike.

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton:

"Fronti i politikanëve që pijnë duhan, dhe në radhë të parë duhanxhijtë e dikurshëm, është i mendimit se duhet ndaluar në tërësi pirja e duhanit në vendet publike. Udhëheqësit e kësaj fushate gëzohen edhe për faktin se vendimi është marrë përkundër vullnetit të disa politikanëve të tyre. Ministrat thanë se ka kaluar koha e vendimeve vullnetare. Ata shpresojnë se do të ndryshojnë mendjen edhe ata kryeministra të disa landeve që mendojnë se vendimi për pirjen e duhanit në vendet publike duhet të jetë vullnetar", shkruan "Frankfurter Allgeimeine Zeitung".

Me këtë çështje merret edhe "Nordsee - Zeitung" e Bremerhavenit.

"Tani pra duhen bërë modifikime. Kryeministrat kanë krijuar një grup pune, sipas motos: kur nuk e di se çfarë të bësh, krijo një grup pune. Ndërsa qeveria federale do të marrë vendimet që i takojnë. Po ku të çon kjo? Duket se politikanët nuk kanë guxim të përballen me industrinë e duhanit. Do të mjaftonte që ndalimi i pirjes së duhanit në vendet publike të justifikohet me ruajtjen e shëndetit", mendon komentatori i "Nordsee - Zeitung".

Për gazetën "Die Zeit" e cila botohet në Hamburg, strategjia amerikane në Irak është tema e cila e meriton më së shumti të komentohet.
"A thua pas "sindromit Vietnam" do të pasojë edhe "sindromi Irak"? A thua Amerika për shkak të një lufte të gabuar do të rraskapitet dhe do të tërhiqet prej të gjitha konflikteve tjera?", pyet gazeta dhe përgjigjet: "Kjo do të ishte fatale. Kompasi politik dhe moral amerikan megjithatë funksionon. Fuqia e vetme botërore është ajo e cila disponon mjetet e domosdoshme ushtarake. Apo ndokush beson se Izraeli do të mund të mbështetej tek evropianët?", pyet komentatori i gazetës "Die Zeit".

Më në fund, gazeta e Dyseldorfit më shumë vëmendje i kushton sot mundësisë së një marrëveshjeje për partneritet mes BE dhe Rusisë.

"Fillimi i bisedimeve për një partneritet të ri mes Rusisë dhe BE, do të jetë i mundur në kohën kur Gjermania të bëhet udhëheqëse e radhës e BE. Mirëpo, sikur edhe në rastin e Turqisë, rruga deri në nënshkrimin e një partneriteti të këtillë do të jetë e gjatë. Aktalisht nuk dihet se si mund të harmonizohen dëshira e evropianëve për një siguri energjetike dhe ajo e rusëve për kontrollimin e sektorit të tyre energjetik", konstaton "Handesblat".

  • Data 14.12.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmX
  • Data 14.12.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmX