1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Julian Nagelsmann: Rënia e një trajneri të talentuar

3 Korrik 2026

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) dhe trajneri Julian Nagelsmann janë ndarë pas performancës së dobët të në Kupën e Botës. Po tani?

https://p.dw.com/p/5GW6R
KB 2026 | Julian Nagelsmann
Julian NagelsmannFotografi: Martin Meissner/AP Photo/dpa/picture alliance

Siç e prisnin shumë menjëherë pas eliminimit tronditës të Gjermanisënga Paraguai në Kupën e Botës, Julian Nagelsmann nuk është më trajneri i ekipit kombëtar. Ai edhe zyrtarisht dha dorëheqje, pas një marrëveshje me DFB.

38-vjeçari largohet pas gati tre vitesh - ndonëse kontrata e tij do të skadonte në vitin 2028. Një ditë pas një takimi krize me udhëheqjen e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) të enjten, Nagelsmann pranoi "zgjidhjen për të shpëtuar fytyrën" që iu ofrua pas dështimit në Kupën e Botës. Tani edhe zyrtarisht shpalli dorëheqjen.

Nagelsmann ka fituar 23 nga 37 ndeshjet si trajner i Gjermanisë. Por humbjet ishin shumë të dhimbshme, ndër të tjera nga Spanja para dy vitesh në Kampionatin Evropian, Portugalia e Franca. E në Kupën e Botës - humbi me Ekuadorin dhe më pas me Paraguain, që ishte një dështim me larginm nga Kampionati.

Largimi i Nagelsmann është një tjetër pengesë në karrierën e tij si trajner - e cila dikur pritej të arrinte kulmet më të larta.

Trajneri i ri bën historinë në Bundesligë

Një dekadë më parë, Julian Nagelsmann debutoi në Bundesligë si trajner i Hoffenheim, me një barazim 1-1 kundër Werder Bremen. Në atë kohë, ai ishte fytyra e një brezi të ri trajnerësh gjermanë. Ai udhëhoqi një ekip që luftoi kundër rënies nga kategoria deri në krye të tabelës. Ata mposhtën madje edhe Bayernin e Mynihut. Pastaj erdhi Liga e Kampionëve. Ai i tha Süddeutsche Zeitung: "Tridhjetë përqind e stërvitjes është taktikë, 70 përqind është aftësi sociale." Ata e konsideronin atë përpara kohës së tij dhe një nga trajnerët më të mirë të kohës së tij.

KB 2026 | Sechzehntelfinale | Nagelsmann kokëulur pas ndeshjes me Paraguain
Julian Nagelsmann largohet nga kreu i kombëtares gjermaneFotografi: Markus Ulmer/Ulmer/Teamfoto/IMAGO

Më pas Nagelsmann u transferua te RB Leipzig, ku u bë trajneri më i ri që fitoi një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Me Leipzig ai arriti në gjysmëfinale. Ndërsa një vit më vonë, ai e udhëhoqi Leipzigun në finalen e Kupës së Gjermanisë - por humbi.

Pavarësisht se përfundoi dy vjet në Leipzig pa një trofe, Bayern thuhet se pagoi 25 milionë euro për shërbimet e tij dhe i ofroi një kontratë pesëvjeçare. Ai fitoi Bundesligën me ta, por një humbje tronditëse ndaj Villarreal në Ligën e Kampionëve dëmtoi si klubin ashtu edhe reputacionin e tij.

Vitin pasardhës, gjërat filluan të ndërlikoheshin. Shkarkimi i trajnerit të portierëve Toni Tapaloviq shkaktoi mjaft trazira. Portieri Manuel Neuer tha se shkarkimi ndjeu sikur "zemra e tij ishte shqyer". Stërvitja e Nagelsmann u konsiderua shumë e ndërlikuar dhe ai pati vështirësi të lidhej vërtet me lojtarët.

Në mars të vitit 2023, ndërsa ishte me pushime për skiim, Nagelsmann u shkarkua, pas vetëm 20 muaj. Pas shtatë sezonesh të plota si trajner në Bundesligë, ai mbeti pa punë dhe kishte vetëm një titull në Bundesligë.

Trajner i kombëtares

Gjashtë muaj më vonë, ai u emërua trajner i Gjermanisë. Pas një fillimi jo shumë të mirë - humbje ndaj Turqisë në Berlin dhe më pas ndaj mentorit të tij Ralf Rangnick jashtë fushe në Vjenë - Nagelsmann e vuri ekipin në formë për Euro 2024.

Pavarësisht një humbjeje në çerekfinale ndaj Spanjës, turneu u konsiderua një sukses. Lidhja midis ekipit dhe tifozëve u rivendos. Nagelsmann u pa si një faktor kyç në suksesin e Gjermanisë. Fjalimi i tij emocional nga ajo kohë ishte prekës, në të cilin ai foli për bashkimin e njerëzve në vend. Këto ishin fjalët e një njeriu që është i vetëdijshëm për ndikimin që ka ekipi kombëtar.

Në janar të vitit 2025, Nagelsmann e zgjati kontratën e tij deri në vitin 2028. Vendimi u prit me shumë lëvdata. Jurgen Klopp tha se "i pëlqente mënyra se si punon Julian" dhe mendonte se Nagelsmann e kishte shndërruar Gjermaninë në favoritin për turneun e ardhshëm.

Megjithatë, shumë veta ngritën vetullat kur vetë Nagelsmann deklaroi pak më vonë se qëllimi i tij ishte të fitonte Kupën e Botës. Një performancë zhgënjyese në Finalen e Ligës së Kombeve e kishte prishur humorin dhe u përkeqësua më tej kur Gjermania filloi kualifikueset e Kupës së Botës me një humbje kundër Sllovakisë.

KB 2026 | Nagelsmann & Undav gjatë një ndeshje
Julian Nagelsmann dështoiFotografi: Bahho Kara/Kirchner-Media/picture alliance

Gjermania megjithatë u kualifikua, por shumëçka rreth Kupës së Botës u komplikua. Vendimet dhe stili i komunikimit të Nagelsmann ngatërruan shumë. Oliver Bauman u zhvendos nga numri një në stol pas rikthimit të Manuel Neuer në portë. Joshua Kimmich ishte fillimisht mesfushor, pastaj mbrojtës i djathtë. Leon Goretzka duhej të ishte titullar, por nuk e bëri. Deniz Undav shënonte gola në Bundesligë, por ishte në stol për ekipin kombëtar.

Problemet në Kupën e Botës

Pavarësisht fitores në ndeshjen e parë kundër Curacao, skuadra e Nagelsmann ishte më shumë reaktive sesa aktive. Ata nuk e shfrytëzuan vrullin nga fitorja në Toronto. Nuk mundën ta mbanin epërsinë e tyre kundër Ekuadorit. Më në fund, humbën në penallti nga Paraguai, që ishte goditja më e rëndë. Lojtarët meritojnë kritika, por mbi të gjitha, Nagelsmann dështoi.

Sot dha dorëheqje. Reputacioni i tij sigurisht që është goditur pas kësaj performance. Duke pasur parasysh se sa shpejt largohen dhe ripunësohen trajnerët në Premier League, Nagelsmann mund të rikthehet në stolin e një skuadre angleze brenda një periudhe jo të largët.

Megjithatë, për momentin ka konfuzion rreth asaj se si ndodhi e gjithë kjo. Shumë nuk prisnin që karriera e Julian Nagelsmann, një trajner me aftësi të tilla, të zhvillohej në këtë mënyrë.

Si pasardhës i tij në stolin e kombëtares më së shpeshti përmendet Jürgen Klopp.