Joe Biden një vit në detyrë: Ters dhe avari | Bota | DW | 20.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Joe Biden një vit në detyrë: Ters dhe avari

Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA me një rezultat rekord dhe shumë premtime. Shumicën e tyre ai nuk mundi t'i mbante, aktualisht mbështetja për të në SHBA ka rënë.

Shpresat e shumë amerikanëve ishin të mëdha, kur Joe Biden më 20 Janar 2021 u betua si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Vetëm pak javë më parë përkrahës të radikalizuar të presidentit të rrëzuar në zgjedhje, Donald Trump mësynë Kapitolin, simboli i demokracisë në SHBA: një simptomë e polarizimit të vendit, që Biden e trashëgoi nga Trumpi. Një nga premtimet më të rëndësishme të tij ishte bashkimi i kombit. Ai donte të guxonte një fillim të ri, kështu u shpreh Biden në fjalimin e tij të parë dhe "të ecë përpara me ritëm dhe vendosmëri", sepse "ka shumë për të riparuar, shumë për t'u rivënë në vend, shumë për t'u shëruar."

81 milionë votues e dhanë votën për Biden, asnjë president nuk ka marrë ndonjëherë kaq vota. Përveç kësaj Biden mundi të sigurojë një shumicë të ngushtë në të dyja Dhomat e Kongresit. Por tani një vit pas marrjes së detyrës duket se ka mbetur pak nga shkëlqimi i fillimit. Inflacioni është rritur, pandemia është jashtë kontrollit, vlerat në sondazhe të Bidenit kanë rënë nga 50% në verë, në 41% pak para krishtlindjeve.

"Mendoj që fjala më miqësore që mund them për një vit në detyrë të presidentit është 'zhgënjim'", shprehet Bret Stephens, opinionist, konservator, por kritik i Trumpit në "New York Times". Biden mori vendime të gabuara politike, si tërheqja nga Afganistani. Kjo ndikoi në imazhin e tij, në mungesën e suksesit në kongres dhe në fund në besueshmërinë e tij si drejtues i një fuqie botërore.

Visual Story 1. Jahrestag der Erstürmung des Kapitols

Mësymja e Kapitolit nga përkrahësit e Donald Trump tronditi botën

Trashëgimia e Donald Trumpit - rrënoja

Virginia Sapiro, profesore në pension e shkencave politike e Universitetit të Bostonit thotë se rënia e mbështetjes për Biden në shoqëri nuk lidhet vetëm me vendimet e gabuara. Biden e mori detyrën në kohë shumë të vështira. "Ai e ka pasur shumë më të vështirë, se çdo president para tij që nga Roosevelti, që e mori postin në kohën e një depresioni të thellë."

Gjendja e vështirë ekonomike e vendit, pandemia, një parti republikane, ku disa anëtarë me influencë ende pretendojnë, se Biden ia vodhi zgjedhjet Trumpit, të gjitha këto shumohen, sipas Sapiron "në një grumbull rrënojash, që duhet hequr mënjanë njëherë, për të arritur diçka." Një arsye tjetër është, se republikanët e moderuar e mbështetën Bidenin, se nuk donin Trumpin, por në thelb ata donin një politikë konservatore.

Politika e jashtme e pasuksesshme, shoqëri e përçarë

Por jo çdo gjë ka qenë kaq keq në vitin e parë të Joe Bidenit. Që në mars ai ia doli të miratojë një paketë ndihme prej 1,9 miliardë dollarësh për të mbështetur ekonominë, dhe familjet e prekura rëndë nga pandemia. Një sukses tjetër është mbështetja që Biden mori nga republikanët në fundin e vitit për paketën infrastrukturore prej 1,2 bilionë dollarësh. Mes këtyre të dyjave ndodhet gabimi më i madh i Bidenit, sipas shumë amerikanëve. Tërheqja amerikane nga Afganistani në gusht 2021. Si pasojë talibanët morën pushtetin me një shpejtësi të papritur dhe vendosën shkurtimin masiv të të drejtave të grave.

Seth G. Jones zëvendëspresidenti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare kritikon tek tërheqja amerikane mungesën e përgatitjes. "Si mënyra ashtu edhe rezultati i nxorrën Shtetet e Bashkuara si të paafta, jokompetente dhe në fund të dobta", thotë Jones. Edhe dëmtimi i imazhit ishte shumë i madh. Për shumë vende shtrohet sot pyetja, nëse SHBA është një partner i besueshëm.

Edhe premtimin e madh për bashkimin e kombit, Biden nuk arriti ta mbajë. Sipas sondazheve rreth 40% e amerikanëve ende besojnë, se ai nuk është president legjitim. Kjo tregon sa e thellë është përçarja në shoqëri. As me axhendën legjislative, Biden nuk pati sukses, sepse shumë shpesh senatorë dhe deputetë republikanë i kanë refuzuar projektet e tij. Tek dështimet më të mëdha llogaritet ligji "Build Back Better" - një program i zgjaruar investimesh për kujdesin ndaj fëmijëve, arsimin dhe mbrojtjen e klimës, që do kishte përmbushur disa nga premtimet e tij. Edhe përpjekjet  e tij për reformën në polici në shtatorin e shkuar dështuan, sepse partitë nuk ranë dakord se si të veprohet me imunitetin juridik të oficerëve të policisë.

Kush vjen pas Bidenit?

Viti 2021 nuk ishte vit i lehtë për Joe Biden, por as tre vitet e ardhshme nuk do të bëhen më të lehta. Ndër sfidat më të mëdha të politikës së jashtme të SHBA mbetet Kina, mungesa e stabilitetit në Lindjen e Afërt, kërcënimi për marshimin e Rusisë në Ukrainën lindore. Për të rifituar besueshmërinë, qeveria duhet "të tregojë kurajë dhe të veprojë seriozisht kundër Rusisë, Kinës apo Iranit", thotë Seth G. Jones. Sipas ekspertit "më shumë flitet se veprohet".

Në politikën e brendshme ky vit është vendimtar për Biden, sepse zhvillohen zgjedhjet mid-term në mesin e mandatit në nëntor, ku Biden edhe mund të humbasë shumicën e ngushtë në senat. Kjo do t'ia bënte atij më të vështirë të realizojë paketat e masave që janë në rend të ditës: me gjasë arritjen e një ujdie për një version të holluar të ligjit "Build Back Better" dhe një reformë zgjedhore.

Ende është e hapur pyetja: Do të kandidojë Biden sërish si president? Me shumë gjasa jo, kjo është në Uashington D.C. si një sekret që e dinë të gjithë, thotë opinionisti Bret Stephens. Këtu luan rol edhe mosha Bidenit. Në vitin 2020 ai ishte me 78 vjeç, presidenti më i moshuar i zgjedhur ndonjëherë në SHBA, në zgjedhjet e vitit 2024 ai do të ishte ndërkohë 82 vjeç. Bret Stephens mendon, se pikërisht për këtë, Biden do duhet të përqëndrohet tek detyrat e sfidat e mëdha të SHBA. Partia Demokratike duhet ndërkohë të gjejë kandidatë të mirë për vitin 2024. Sepse republikanët, për këtë është i bindur Stephens, do të jenë sfidues të fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.