1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Joe Biden bëri betimin si Presidenti i 46-të i SHBA

20 Janar 2021

SHBA kanë një president të ri: demokrati Joe Biden dhe zëvendësja e tij Harris bënë betimin para Kapitolit në Uashington. Bideni premtoi se do të jetë "një president për të gjithë amerikanët".

https://p.dw.com/p/3oCR6
USA Washington | Amtseinführung: Joe Biden
Fotografi: Patrick Semansky/REUTERS

Joe Biden është Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e bëri betimin para gjykatësit më të lartë të SHBA, John Roberts, në anën perëndimore të Kapitolit në Uashington. Më parë, kishte bërë betimin si zëvendëspresidente zëvendësja e Bidenit, Kamala Harris.

Bidenin e shoqëronte gruaja e tij Jill. Edhe ajo mbante në duar Biblën, mbi të cilën u betua 78-vjeçari. Zëvendëspresidentja Harris e bëri betimin para gjykatëses kushtetuese Sonia Sotomayor. Harris është gruaja e parë në historinë e SHBA që merr postin e zëvendëspresidentes. 56-vjeçarja është gjithashtu gruaja e parë me ngjyrë në këtë post.

"President për të gjithë amerikanët"

USA Washington | Amtseinführung: Joe Biden - Amtseid: Kamala Harris
Fotografi: Saul Loeb/AP Photo/picture alliance

Në fjalën e tij të marrjes së detyrës, Biden u bëri thirrje amerikanëve që të bashkohen. Pa këtë nuk do të ketë paqe dhe asnjë përparim, vetëm hidhërim dhe zemërim, tha ai. Ai do të punojë me gjithë zemër për unitetin dhe pajtimin. "Unë do të jem një president për të gjithë amerikanët," premtoi Bideni. Vendi i ka kapërcyer me unitet, të gjitha sfidat e së kaluarës. "Le ta fillojmë nga e para", tha ai, dhe paralajmëroi që ata ta dëgjojnë njëri-tjetrin.

USA Washington | Amtseinführung: Joe Biden
Fotografi: Melina Mara/REUTERS

Ai evokoi forcën e demokracisë amerikane. "Në këtë orë, miqtë e mi, demokracia u imponua." Paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, i kishte paraqitur zgjedhjet si mashtrim. "Kjo është dita e demokracisë, një ditë e historisë dhe e shpresës për ripërtëritjen dhe vendosmërinë," tha Bideni. Fjala nuk është për fitoren e një kandidati, por për sundimin e popullit.

Luftë kundër racizmit

Presidenti i ri i SHBA lajmëroi një luftë të vendosur kundër racizmit dhe "terrorizmit brenda vendit". Ai gjithashtu u ndal në sulmet kundër Kapitolit nga mbështetësit e Trumpit në fillim të janarit. "Këtu ne po qëndrojmë vetëm disa ditë pasi një turmë e irrituar mendoi se mund të përdorte dhunë për të heshtur vullnetin e njerëzve, për t'i dhënë fund punës së demokracisë sonë dhe për të na dëbuar nga kjo tokë e shenjtë," tha ai. "Kjo nuk ndodhi. Asnjëherë nuk do të ndodhë. Jo sot, as nesër, kurrë".

USA Washington | Amtseinführung: Joe Biden
Fotografi: Patrick Semasky/REUTERS

Bideni foli gjithashtu kundër keqinterpretimeve dhe teorive konspirative. "Ne duhet të hedhim poshtë kulturën, në të cilën manipulohen dhe madje fabrikohen fakte," tha ai. Ai u bëri thirrje amerikanëve për një angazhim për sjellje të hijshme dhe për drejtësi. Është detyra e të gjithëve të mbrojnë të vërtetën dhe të mposhtin gënjeshtrat.

Biden iu drejtua edhe vendeve të tjera: SHBA do të kthehet përsëri nga bota, nën presidencën e tij. "Ne do të riparojmë aleancat tona," tha ai. Ai nuk e përmendi emrin e Trumpit në fjalimin e tij.

aud (tgsch, dpa)