1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

IAEA Stichwort

2 Korrik 2009

Dy të tretat e anëtarëve të këshillit të guvernatorëve të IAEA votuan për Amanon si shef të ardhshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

https://p.dw.com/p/IfXn
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike IAEA, flamuri
IAEA është përgjegjëse për kontrollin dhe rishqyrtimin e gjendjes së impianteve atomike dhe të armëve nukleareFotografi: AP

Japonezi Yukiya Amano, kishte kohë që konsiderohej si kandati më me shanse si pasardhës i drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, IAEA, Mohamed el Baradeit. Me mirësjelljen e tij të përhershme diplomati japonez është një ekspert i njohur në fushën e çarmatimit atomik dhe të energjisë bërthamore.

Yukiya Amano
Yukiya AmanoFotografi: AP

62-vjeçari ishte që prej vitit 2005 ambasador i Japonisë pranë IAEA (International Atomic Energy Agency) dhe ka qenë edhe kryetar i radhës i këshillit të guvernatorëve të IAEA. Përpara kësaj detyre ai ka punuar në ambasadat e Japonisë në Uashington dhe Bruksel.

Amano arriti të merret dy të tretat e votave në këshillin e guvernatorëve dhe do të fillojë nga detyra në muajin nëntor, kur mbaron periudha e tretë e El Baradeit në postin e drejtorit të përgjithshëm të IAEA.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike IAEA (International Atomic Energy Agency) u themelua në vitin 1957 me iniciativën e SHBA-së. Shkaku ishte shqetësimi për shtimin e vazhdueshëm të armëve bërthamore. Kjo agjenci e ka selinë në Vjenë dhe punëson momentalisht afro 2.200 punonjës nga më shumë se 90 vende. Ajo është një organizatë tekniko-shkencore autonome, e cila ka një status të posaçëm brenda sistemit.

Agjencia ka për të detyrë të mbështesë shfrytëzimin e energjisë bërthamore dhe përdorimin e lëndëve radioaktive për qëllime paqësore dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar. Njëkohësisht ajo pengon përmes masave të kontrollit, të ashtuquajturat "safeguards“ shfrytëzimin për qëllime ushtarake të kësaj teknologjie (p.sh. përhapjen e armëve atomike). Përveç kësaj IAEA mbikqyr respektimin e marrëveshjes për ndalimin e armëve atomike e cila ka hyrë në fuqi në vitin 1970, përmes së cilës synohet të nxitet shfrytëzimi i energjisë atomike për qëllime paqësore.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike IAEA ka programe konkrete për përmirësimin e sigurisë së impiantëve me teknikë bërthamore dhe vë në dispozicion një forum për përcaktimin e standardeve ndërkombëtare në këtë fushë. Ajo merret me mbrojtjen fizike të lëndëve bërthamore nga shpërdorimi, p.sh. përmes kontrabandës. Përveç kësaj IAEA kontrollon edhe shfrytëzimin dhe depozitimin e materialeve bërthamore në impiantet me teknikë bërthamore në kuadër të marrëveshjes "safeguards", të cilën e ka nënshkruar me të gjitha vendet anëtare. Në këtë mënyrë garantohet, që impiantet e kontrolluara t'i shërbejnë vetëm shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime paqësore.

Agjencia ndërkombëtare në Vjenë informon rregullisht Asamblenë e përgjithshme të OKB-së dhe përveç saj edhe KS të OKB-së, kur konstaton rrezikim të sigurisë ndërkombëtare. Forumi i saj kryesor së këshilli i 35 guvernatorëve, i cili mblidhet deri në pesë herë në vit. Asambleja e përgjithshme, ku mund të marrin pjesë të 144 anëtarët (sa ka aktualisht), mblidhet vetëm një herë në vit.

Kohët e fundit IAEA u vu në qendër të vemendjes sidomos përmes misioneve në Irak para fillimit të luftës në vitin 2003 si dhe për punën në Korenë e Veriut dhe Iran. Për angazhimin e saj ajo dhe drejtori i saj të përgjithshëm, Mohammed el-Baradei, u nderua në vitin 2005 me çmimin Nobel të paqes.

Autor: Sonila Sand/Ina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani