Intervistë me shkrimtaren Anila Wilms | Shoqëria & Kultura | DW | 17.11.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Intervistë me shkrimtaren Anila Wilms

Kjo është rruga ime. Ndoshta pak më e gjatë dhe e vështirë se normalja. Por ështe origjinale dhe tepër e pavarur, thotë për Deutsche Wellen shkrimtarja Anila Wilms

DW: Ju keni dashur fillimisht të shkruanit një dizertacion për periudhën historike të viteve 20 në Shqipëri, por pastaj ndryshuat mendje dhe me informacionin e mbledhur nga hulumtimet e gjata vendosët të bënit një roman. Sa e vështirë është që faktet historike, të mbledhura për qëllime studimore, t‘i mbushësh me jetë, personalitetet e permendur historikë t'i bësh njerëz, që ndiejnë e gjykojnë? Dilnin figurat vetë, apo e kishit të vështirë në fillim.

Wilms: Më tepër se e vështirë, është një punë e gjatë, është një kërkim në thellësitë psikologjike të karaktereve. Kur bëhet fjalë për karaktere historikë, do të thotë se ekzistojnë dëshmi historike, fjalime, letra, kujtime të shkruara prej tyre vetë ose prej njerëzish të tjerë që i kanë njohur nga afër. Fillimisht jam mbështetur gjerësisht në dëshmitë historike. Sa për pjesën fiktive të tekstit, përqindjen subjektive të tij që përbën atë që quhet liri artistike e autorit, s'mund të mbështetesh veçse mbi bagazhin universal të arketipeve që zotëron çdo qenie njerëzore. Unë e vë veten në skenën të cilën po përshkruaj, futem në logjikën e saj, pastaj hyj në karakter, hyj në rol, dhe pastaj historia shkruhet vetë.

Kur ju ka lindur shtytja e brendshme për të shkruar letërsi?

Unë kam pasur gjithmonë një lidhje të thellë me letërsinë, librat ishin feja e fëmijërisë time. Momenti kur nga lexuese u shndërrova në shkruese librash erdhi krejt natyrshëm, diku andej nga viti 1995.

Romani ka notën e një romani policor? Përse vendosët t'i jepershit kötij drejtimi?

-Forma policore gjithnjë më ka tërhequr, atmosfera misterioze, sekretet e vjetra, tensioni i ngjarjes, instinkti gjurmues. Është gjithmonë e këshillueshme për një autor që të shkruajë një libër të cilin do ta lexonte edhe vetë me ëndje. Pastaj edhe nga ana statistikore dihet se publiku gjerman e adhuron romanin policor. Kështu u bashkuan dy arsye të mëdha që më shtynë drejt këtij vendimi.

Ju keni thënë se gjatë kërkimeve dhe shfletimeve në arkiva keni konstatuar se historiografia shqiptare në kohën e komunizmit ishte shtrembëruar dhe se patët dëshirën të sillnit në dritë historinë e vërtetë. Si e keni realizuar këtë synim në roman?

Unë kam studiuar për histori në Tiranë, pastaj erdha në Berlin për të thelluar studimet. Kontrasti mes lëndës që trajtohej në Universitetin e Tiranës dhe asaj që gjeta në Universitetin e Berlinit ishte themelor, ishte i tillë që s'mund të injorohej ose të kalohej me lehtësi. Në fakt ky kontrast më shtyu për vite me radhë në një krizë të thellë. M'u bë e qartë se s'di gjë prej gjëje nga historia e Ballkanit dhe e Shqipërisë megjithë medaljen e arit që mora nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, kuptova se pjesa më e madhe e interpretimeve historike s'ishte veçse propagandë dhe ideologji trushplarëse staliniste dhe nacionaliste. Kështu gjithë vitet e studimit në Berlin patën pastaj vetëm një qëllim: Të pastroj nga koka një nga një gjithë gënjeshtrat dhe fallsifikimet që kisha mësuar në Tiranë. Kjo bëhet duke i hyrë studimit të burimeve primare, pra akteve të institucioneve të ndryshme shtetërore, korrespondencës origjinale, dëshmive të kohës. Kështu krijova shtresë pas shtrese një tablo timen të pavarur të ngjarjeve historike. Të cilën pastaj e përpunova artistikisht në këtë roman.

Romanin e keni shkruar në shqip dhe gjermanisht. Cilat janë dallimet ndërmjet dy varianteve?

Varianti gjermanisht është shkruar pesë vjet më pas. Pata kohë pesë vjet të tjerë për ta përtypur akoma më mirë materialin. Pastaj, kur përpiqesh që një histori shqiptare, mbi shqiptarët dhe Shqipërinë t'ja shpjegosh një populli tjetër, në një gjuhë tjetër, vetvetiu krijohet një distancë e cila ndihmon për ta reflektuar atë nga një kënd më universal. Nga çdo pikëpamje varianti gjerman është më i ndërgjegjshëm dhe më i pjekur, ndonëse jo aq i kripur e piperosur sa varianti shqip. Gjermanët janë një popull që s'i pëlqejnë shumë erëzat.

Rrëfimi juaj në roman të kujton pak stilin e Kadaresë, a jeni ndikuar nga mënyra e tij e të shkruarit? Cilin shkrimtar shqiptar e shihni si shembull?

Cili prej nesh nuk është i ndikuar nga Kadareja? Kadareja është profeti i letërsisë moderne shqipe. Por njëkohësisht jam ndikuar thellësisht edhe nga Konica, Noli, Mitrush Kuteli, Mihal Grameno, kanuni, eposi e të tjera.

Në gjermanisht romanin vendosët të uleni e ta shkruani vetë, sepse nuk gjetët përkthyes. A mund të thoni sot se ky ka qenë një fat?

Pas kaq vjetësh që kanë kaluar çështja nuk shtrohet më kështu. Fat ose mosfat, kjo është rruga ime, është ndoshta pak më e gjatë dhe më e vështirë sesa normalja. Por është origjinale dhe tepër e pavarur.

Libri juaj “Nafta shqiptare, apo vrasje në rrugën e veriut”, është nderuar këtë vit me çmimin Chamisso, çmim për autorët e huaj, që shkruajnë në gjuhën gjermane. Pra ai është pëlqyer dhe vlerësuar. Çfarë mendoni se e tërheq lexuesin gjerman më shumë në romanin tuaj, përmbajtja e tij, gjuha e rrëfimit, ka klishe të caktuara në lidhje me Shqiperinë, apo Ballkanin?

Libri është vlerësuar mjaft, kjo është e vërtetë, dhe më ka befasuar edhe mua. Përveç historisë me karakter policor dhe gjuhës interesante me nota epike-groteske, që u pëlqen lexuesve mesatarë, nga njohësit është vlerësuar puna voluminoze kërkimore dhe më e rëndësishme, sinqeriteti, ndershmëria historike dhe politike që ka libri. Aty luhet me klishetë, por pa rënë pre e tyre. Kjo është fryma e re në letërsinë evropiane bashkëkohore, ku unë ndërkaq e radhis veten si autore.