Interesat ekonomike fitojnë rregullisht mbi ato moralo-etike | Studimi në Gjermani | DW | 15.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Interesat ekonomike fitojnë rregullisht mbi ato moralo-etike

Në gazetat e sotme gjermane mbizotërojnë artikuj, ku diskutohen deklaratat e fundit të presidentit iranian, Ahmadinexhad për Izraelin dhe politika e tij bërthamore, si dhe diskutimi në Bundestag i rrëmbimit për ta marrë në pyetje nga CIA, i gjermano-libanezit El Masri

Diskutim për aferën e CIA-s në Bundestag, 14 dhjetor 2005.

Diskutim për aferën e CIA-s në Bundestag, 14 dhjetor 2005.

Fillimit FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND për Iranin:

"Para së gjithash evropianët duhet të shtrojnë seriozisht pyetjen, se çfarë çmimi janë të gatshëm të paguajnë, për t'i dalë përballë Ahmadinexhadit. Hapi më afër mendsh do të ishte vendosja e sanksioneve tregtare. Ato vërtet që do t'i dhimbnin ekonomisë së këtushme, ndoshta më shumë se sa radikalët e regjimit të mullave. Por sanksione të tilla sidoqoftë mund të korrigjonin një vlerësim, që duket se është më se i përhapur në rrethin e Ahmadinexhadit. Sipas kësaj teze, perëndimi dekadent dhe veçanërisht Evropa nuk është kurrë në gjendje, që të bëjë ndonjë sakrificë konkrete për idealet e saj të shpallura me të madhe. Një sinjal evropian i vendosmërisë mund të bënte më shumë efekt, se sa disa formula të detyruara të njeriut të prekur."

Në këtë linjë është edhe WESTDEUTSCHE ZEITUNG që del në Essen:

"Nëse Gjermania është e mendimit se nxitja iraniane nuk mund të tolerohet, atëherë duhet të ndërpriten kontaktet. Po kjo nuk do të ndodhë. Interesat ekonomike fitojnë rregullisht mbi ato moralo-etike. Kjo vlen për Kinën, Rusinë dhe Iranin. Eksportet prej 2,2 miliardë eurosh vetëm në gjysmën e parë të vitit 2005 flasin gjuhën e tyre. Në rastin e një shkallëzimi të situatës, Izraeli do të ishte i vetëm. Në fund të fundit, izraelitët mund t'i besojnë vetëm një gjëje: fuqisë së vet ushtarake."

Ja edhe mendimi i analistit të FRANKFURTER NEUE PRESSE:

"Udhëheqja iraniane e ka më se seriozisht me sulmet e saj kundër Izraelit. Ajo, me guximin e saj për të thënë atë që mendojnë padyshim shumë vetë në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, synon të bëhet altoparlant i botës islamike. Ahmadinexhad dhe Co duan ta shkruajnë historinë nga e para, të kundërshtojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe dikur edhe ta sulmojnë këtë shtet. Ai që nuk e merr seriozisht këtë, ai duhet të mendojë për vitin 1933. Edhe atëherë në Gjermani thanë shumë vetë, këto që flet Hitleri, ai nuk do të dojë t'i zbatojë kurrë. Por pastaj punët erdhën mizorisht ndryshe. Kur janë në pushtet, fanatikët është shumë e vështirë t'i frenosh."

Ndërrojmë temë. Për diskutimin në Bundestag mbi hollësitë e rrëmbimit nga CIA të gjermano-libanezit të pandehur gabimisht si terrorist, El Masri, gazeta DIE WELT e Berlinit shkruan:

"Kjo duhet të ishte dita e sqarimit. Në vend të kësaj, që dje kanë dalë pyetje të tjera lidhur me rrëmbimin e El Masrit. A e kanë informuar amerikanët ministrin e atëhershëm të brendshëm Shili vetëm pjesërisht, e kështu edhe në mënyrë të gabuar? A është përpjekur CIA ta blejë heshtjen e El Masrit për gabimin e saj të rëndë? Detaje delikate të këtij rasti mbeten të errëta. Çështje qëndrore duhet të sqarohen para publikut: a ka edhe el Masra të tjerë? Çfarë bën qeveria gjermane për shembull për atë "talibanin e Bremerit", Murat Kurnaz, i cili mbahet prej vitit 2002 në Guantanamo pa u dënuar dhe pa status juridik? Qeveria federale vazhdon të ecë në këtë aferë në tehun e thikës."

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG reflekton për punën e shërbimeve të fshehta në demokracitë në përgjithësi:

"Në demokraci, të cilat bazohen në transparencë, shërbimet e fshehta i shoqëron gjithmonë diçka antisistem. Leja e tyre për të ndërhyrë në të drejtat bazë të qytetarëve, ngushtohet nga instancat e kontrollit - në Gjermani ka një dyzinë të tilla. Në konfrontimin me armiqtë tradicionalë të brendshëm dhe të jashtëm, megjithatë ka funksionuar mirë që populli, megjithë defektet e ndodhura, ka krijuar në thelb një besim për shërbimet e tij të fshehta. Të paktën, ato nuk kanë ofruar ndonjë shkas për të supozuar se janë bërë mashë për rrëmbime dhe tortura."

Dhe së fundi SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që del në Mynih:

"Terroristët islamikë kanë arritur diçka, të cilën ata nuk duhet ta kishin arritur kurrë: ata helmuan frymën e ligjeve dhe besimin në shtetin juridik. Ata i kanë bërë shtetet juridike, që të sakrifikojnë parimet e tyre, ata i kanë bërë organet e sigurisë të shteteve demokratike që të veprojnë përtej legalitetit. Ata i pushtuan komandot e demokracive perëndimore më parë mendërisht dhe pastaj i bënë që fillimisht t'u vënë pikëpyetjeve parimeve bazë kundër terroristëve dhe pastaj t'i tradhëtojnë ato. Ndoshta ky është edhe suksesi më i madh që kanë arritur terroristët deri tani."

  • Data 15.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsN
  • Data 15.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsN