1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ikona e re: Bibiana Steinhaus arbitrja gjermane me shumë cilësi

24 Qershor 2011

Në kupën e botës për futbollin e femrave, Gjermania do të ketë një protagoniste më shumë, Bibiana Steinhaus arbitren më të mirë të saj që do të gjykojë elitën e futbollit të femrave.

https://p.dw.com/p/11iqw
Bibiana SteinhausFotografi: picture alliance / dpa

Një grua arbitre në ligën kombëtare të futbollit gjerman, Bundesliga? Pak vjet më parë do të ishte e pamendueshme, por tashmë trajneri kampion në fuqi i Borussia Dortmund, Jürgen Klopp mendon se është koha e duhur për këtë ndryshim.

"Koha është gjithmonë e duhur për arbitre të mira femra pasi dhe gjinia e gjyqtarit është gjithmonë në plan të dytë“ tha Klopp. Kolegët e tij në divizionin e dytë gjerman, janë mësuar me arbitret femra, ose më mirë me një të tillë. Bibiana Steinhaus, agjenten bjonde të policisë, e cila prej 21 Shtatorit të 2007, ka drejtuar rregullisht ndeshje profesioniste. Ajo njihet për rolin komandues, autoritar dhe ka gjithashtu aftësi me topin. "Unë mendoj se të dy këto profesione janë shumë të mirë për mua. Të dy këto role bazohen në marrjen e vendimeve dhe në aftësinë për të komunikuar“ shpjegon vetë arbitrja.

Bibiana Steinhaus
Bibiana Steinhaus arbitron ndeshjen FC Augsburg - VfL BochumFotografi: picture alliance/dpa

Një karrierë e pamenduar më parë drejt ngritjes

Arbitrja Bibiana Steinhaus fitoi çmimin si arbitrja më e mirë në sezonin 2007-2008. Bjondja 32 vjeçare asnjëherë nuk e kishte menduar se do të bëhej një arbitre. Në fillim ajo e nisi si një futbolliste mbrojtëse për klubin e saj të vendlindjes SV Lauterberg. Ishte babai i saj, gjithashtu një arbitër, ai që e bindi Bibiana Steinhaus që të merrte bilbilin.

Nga ajo ditë, një karrierë gjithmonë në ngritje ka ardhur për policen-arbitër, dhe këtë, presidenti i skuadrës së Lauterberg, Klaus Henkel e ka ndjekur me kujdes. "Nga hera e parë që ajo e tregoi veten, gjithçka më pas eci shumë shpejt. Në fillim në ligën rajonale dhe tashmë në Bundesliga“ tha Henkel.

Edhe ish-arbitri Eugen Strigel u impresionua shpejt nga takimi i parë me Bibiana Steinhaus, asokohe 18 vjeç, për herë të parë në një seminar në Duisburg. Sot, Strigel është inspiruesi i saj dhe e shikon Bibiana Steinhaus nga shkallët e stadiumit në shumë ndeshje. Ai ende e ndihmon Steinhaus duke analizuar videot e ndeshjeve të saj. Steinhaus e kompletoi testin fizik të „meshkujve“ pa asnjë problem“ tha ish-arbitri, duke shtuar se Bibiana është 1.81 metra e gjatë dhe shumë e fortë.

Bibiana Steinhaus
Bibiana Steinhaus si arbitre në kupën e botës për femraFotografi: picture alliance/dpa

Shkallët e një karriere ndërkombëtare

Që prej vitit 2005, arbitrja kryesore femër në Gjermani, ka drejtuar edhe ndeshje ndërkombëtare si dhe një fazë të UEFA Champions League. Një prej netëve më të paharruara të karrierës së Bibiana Steinhaus, ka qenë arbitrimi në 2009, në Europianin e futbollit në Finlandë. Gjithashtu, në futbollin e meshkujve, ajo ka qenë aktive prej 2008-s në kupën e Gjermanisë dhe në Bundesliga. Ajo ka fituar 4 herë çmimin si arbitrja e vitit.

Ish-arbitri i njohur i Bundesligës, Herbert Fandel i atribuon Steinhaus shumë cilësi dhe beson se asnjë femër nuk ka qenë në lartësinë e saj më parë në arbitrim. „Ajo është një ikonë e arbitrimit të femrave“ tha ai. Në një kohë që femrat përbëjnë vetëm 2% të 80,000 arbitrave që janë në Gjermani, gjykimi profesionist sipas ekspertëve duhet të mbështetet edhe në seksin e dobët. Pikërisht për këtë FIFA ka shpenzuar shumë vjet në përgatitjen e arbitreve femra për kupën e botës këtë verë në Gjermani.

Author: Olivia Fritz/Aurel Boriçi

Redaktoi: Lindita Arapi