Iir Meta jep dorëheqjen - koalicioni qeveritar vazhdon
14 Janar 2011Ilir Meta nuk ndryshon mendim duke e hedhur poshtë, siç thotë ai me përbuzje videon e transmetuar të martën në mbrëmje në njërin prej televizioneve kryesore në Shqipëri. Por ai vendosi që të dorëhiqet nga posti i zëvënskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë. Pasi ia kishte treguar këtë vendim kryeministrit Sali Berisha, ai e bëri publik dhe nëpërmjet medias. Sipas Metës "para ligjit do të paraqitem si qytetar i thjeshtë duke pasur besim që drejtësia do të zbardhë të vërtetën."
“Pasi nuk mund të konsideroj se është e mjaftueshmë vetëm lënia e imunitetit për t'u përballur me ligjin dhe drejtësinë. Por njëkohësisht është shumë e rëndësishme lënia e detyrave qeveritare, për të shkuar në Prokurori dhe në organet e zbatimit të ligjit si një qytetar i barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë”.
Meta akuzon opozitën
Meta ka kritikuar ish-nënkryetarin e LSI, Dritan Prifti, i cili sipas tij është i lidhur me krimin e organizuar. Gjithashtu Meta ka akuzuar opozitën si orkestruese të publikimit të videos për qëllime shantazhi politik në prag të fushatës elektorale. Më vonë, gjatë pasdites së të premtes forumet e LSI-së do të mblidhen për të shqyrtuar situatën pas këtyre zhvillimeve dhe të marrin vendime për plotësimet në qeverinë e koalicionit.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi pasdite se e kishte pranuar dorëheqjen e zëvëndësit të tij në kabinet.
“Duke pranuar dorëheqjen shpreh natyrisht vlerësimin më të lartë për gatishmërinë e zotit Meta për t'u paraqitur para organeve kompetente pa imunitet parlamentar. Por tani, në mënyrën dhe më të qytetëruar, pa asnjë lloj pushteti ekzekutiv dhe besimin e tij të plotë në organet kompetente të këtij vendi.”
Koalicioni me LSI do të vazhdojë
Pasi akuzoi opozitën dhe kreun e saj Edi Rama për montazhin dhe stisjen e videos, kryeministri tha se pavarësisht dorëheqjes së Metës “koalicioni me LSI-në do të vijojë” dhe se ky koalicion do të jetë fituesi i zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011.
“Zonja dhe zotërinj, ky është koalicioni më i suksesshmëm në historinë e vendit. Ky është koalicioni më eficient që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë vend”.
Ndërkohë partia më e madhe e opozitës, PS, ka mbledhur nga mesdita e së premtes forumet drejtuese të saj mbi situatën politike në vend. Të premten e ardhshme, socialistët kanë paralajmëruar fillimin e protestave popullore për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Autor: Arben Muka
Redaktoi: Auron Dodi