Horst Seehofer kërkon t′i japë fund karrierës politike | Gjermania | DW | 12.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Horst Seehofer kërkon t'i japë fund karrierës politike

Kryetari i Partisë Kristiansociale, CSU, dhe ministri i Brendshëm federal, Horst Seehofer do të dorëzojë vitin e ardhshëm postin si kryetar partie. Por ai do të qëndrojë si ministër i Brendshëm.

Kryetari i Partisë Kristiansociale, CSU, dhe ministër i Brendshëm federal, Horst Seehofer i është nënshtruar presionit që i bëhet brenda partisë. Ai ka thënë se viti i ardhshëm do të jetë "viti i të rejave", dhe se do të dorëzojë postin e kryetarit të partisë. Kjo ndodh si reagim ndaj atmosferës së keqe në bazën e partisë.

"Viti 2019 do të jetë viti i risive për CSU," tha Horst Seehofer në këshillimet e zhvilluara në rrethet e ngushta drejtuese të Partisë në Mynih, bënë të ditur pjesëmarrësit. Sipas të dhënave në mbledhjen e partisë të zhvilluar të dielën në mbrëmje, gati të gjithë kryetarët e rretheve kanë marrë fjalën dhe kanë informuar për atmosferën e shkatërruar në bazë. Një nga pjesëtarët e takimit tregoi se "kjo ishte shumë e qartë". Seehofer me sa duket nuk ka qenë i përgatitur që fjalimet të kenë një forcë të tillë.

Seehofer bëhet nga partia e tij përgjegjës për humbjet masive të partisë CSU, në zgjedhjet e landit të Bavarisë të mbajtura në muajin tetor. Atij po ashtu i është ngarkuar faji për grindjet e ashpra me partinë simotër, CDU, dhe kryetaren e partisë, kancelaren Angela Merkel pranverën e shkuar, si dhe "dorëheqje nga dorëheqja" e fillimit të korrikut

Dorëheqje me etapa?

Një kryetar i ri partie do të zgjidhet në Kongresin e partisë që pritet të mbahet në fillim të 2019-ës, në janar ose maksimumi në shkurt, bëhet e ditur sipas mediave.

Seehofer vetë nuk ka dhënë deklarata pas takimit të kryesisë së CSU. Por ai bëri të ditur se do të japë shpjegimet gjatë javës në vijim. Si kandidati më i mundshëm për postin e kryesisë së CSU, vlerësohet të jetë kryeministri bavarez, Markus Söder. 51-vjeçari do marrë postet e Seehoferit për herë të dytë, pasi i mori atij postin e kryeministrit të landit, në muajin mars.