Hendboll: Gjermania humbi kundër Norvegjisë
26 Janar 2009Në kampionatin botëror të hendbollit që po zhvillohet në Kroaci, ekipi gjerman ka pësuar mbrëmë humbjen e parë, ndaj ekipit të Norvegjisë me rezultatin 24:25. Kualifikimi i Gjermanisë për në gjysëmfinale varet nga rezultati i ndeshjes ditën e martë kundër kampiones së Europës, Danimarkës. Franca, e cila është kualifikuar për në gjysëmfinale fitoi ndaj Koresë së Jugut me rezultatin 30:21. Ndërsa vendi nikoqir, Kroacia ka fituar mbrëmë ndaj Sllovakisë me rezultatin 31:25,duke siguruar edhe ky ekip kualifikimin për në gjysëmfinale.
Numri një i botës në tenisin për femra Jelena Jankoviç është eliminuar nga Australian Open pas një loje me francezen Marlon Bartoli. Takimi ka zgjatur 82 minuta dhe në fund Bartoli arriti të fitonte 2:0 në shifrat 6:1, 6:4.
Ndërkohë në tenisin për meshkuj, numri dy i botës Roger Federer arriti të bënte një kthim të pabesueshëm duke triumfuar tre me dy në lojën me Tomas Berdych. Takimi ka qenë shumë interesant, pasi Berdych fitoi dy setet e para, por më pas Federer mori drejtimin e lojës duke fituar tre sete rresht.