1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapni kufinjtë dhe dërgoni avionë!

Christiane Sternberg22 Korrik 2006

Qipro e mbingarkuar me refugjatët nga Libani

https://p.dw.com/p/ArAY
Refugjatë nga Libani në portet e Qipros
Refugjatë nga Libani në portet e QiprosFotografi: AP

Rreth 500.000 vetë sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara kanë braktisur zonat e pasigurta në jug të Libanit. Shumë prej tyre janë nisur drejt Sirisë, të tjerë përpiqen të largohen nga vendi me rrugë detare. Ishulli jo i largët mesdhetar Qipro po kthehet gjithnjë e më shumë në eipqendër për refugjatët. Ishulli në fakt ka provuar se është vend i sigurt strehimi por infrastruktura nuk është përgatitur të përballojë një numër të tillë refugjatësh. Kështu të enjten dhe të premten qeveria qipriote i drejtoi thirrjet e para për ndihmë BE-së.

Qiproja në muajin korrik është zakonisht qendër e turistëve. Por këtë vit gjërat janë ndryshe. Që prej ditës së martë ishulli mesdhetar është kthyer në spirancë shpëtimi për mijëra refugjatë që janë larguar nga Libani për shkak të luftës. Çdo ditë mbërrijnë rreth 4.000 vetë për anije në portet qipriote Larnaka dhe Limasol. Deri 60.000 refugjatë presin autoritetet qipriote ditët e ardhshme. Pasi mbërrijnë në ishull transportohen me autobusë në aeroportet Larnaka dhe Pafos dhe prej aty fluturohen në atdhe.

Pjesa më e madhe e tyre ishin me pushime pranë familjeve në Liban kur shpërtheu lufta. Prapa kanë lënë netë plot ankth. Shumë prej tyre u është dashur të kryejnë udhëtime aventureske në kryeqyetin e Libanit Bejrut. Miriam Bakar nga Jülich-i në afërsi të Köln-it ka udhëtuar me makinë me të shoqin dhe tre fëmijët 60 kilometra nga Tripoli në Bejrut për tu regjistruar për evakuimin. Por ambasada gjermane i ka kthyer mbrapsht. Me lot në sy ajo kujton: "Na thanë se jemi të sigurtë në Tripoli. Dhe ne morën sërish rrezikun për t’u rikthyer, kunati im i jepte makinës si i çmendur. Por kur arritëm në Tripoli bombardimet vazhduan gjithë natën."

Por në fund familja arriti të merrte një vend në anije në drejtim të Qipros.

Në portet qipriote janë në gatishmëri ekipet e ndihmës të kombeve të ndryshme. Francezët kanë si shenjë dalluese ngjyrat kombëtare të stampuara në bluza. Holandezët mbajnë lart një tabelë ku krahas një tulipani është shkruar "Holandë". Në gardhin që kufizon kalimin nga autobusi në terminal varet një flamur i madh me ngjyrat gjermane e zezë-e kuqe-e verdhë. Por vlera e tyre simbolike në këtë situatë është krejt e ndryshme nga ajo në kampionatin e futbollit. Në Qipro këto ngjyra do të thonë siguri. Të ardhurit gjermanë psherëtijnë të lehtësuar kur i shohin dhe drejtohen me shpejtësi drejt tyre.

Hiham Solh nga Gjeneva me familjen i ka shpëtuar për pak vdekjes rrugës për në Bejrut: "Arrita në Bejrut rreth orës 10:30. Në orën 11 rruga u bombardua, vetëm gjysmë ore pasi arritëm ne."

Në kampet mbledhëse ata pritën me refugjatë të tjerë për vende të lira në një nga anjiet e shumta që lundrojnë mes Bejrutit dhe Larnakës - fregata, anjie luksoze apo katamarane. Gjithçka që mund të lundrojë shfrytëzohet për shpëtimin.

Kush mbërrin në Qipro dërgohet fillimisht në dhomat e pritjes nga bashkëpunëtorët e ambasadave të tyre. Aty ka pije, pelena dhe lodra për fëmijë, përkujdesje mjekësore e para së gjithash fjalë miqësore. Disave vetëm tani u bëhet e qartë se çfarë kanë përjetuar. Kështu edhe Natali Weiss nga Dyseldorfi:

"Të mërkurën isha ende me shoqen time duke pirë në klub deri në orën katër të mëngjesit. Nuk e dinim fare se çfarë po ndodhte. Ne ishim ulur në bar ndërkohë që aeroporti bombardohej. Ditën tjetër gjithçka kishte marrë fund, kishte filluar lufta."

Se sa pasagjerë ndodhen në bordin e çdo anijeje është gjithnjë e më e vështirë të përcaktohet. Në fillim kishte lista pasagjerësh por sa më hektike bëhet nisja aq më pak vëmendje u kushtohet formaliteteve. Evakuimi i rregullt po bëhet gjithnjë e më shumë një lëvizje arratie. Autobuzët në Qipro po bëhen të rrallë, vende në hotele ishte e vështirë të gjeje edhe përpara valës së refugjatëve për shkak të sezonit turistik dhe tani janë të vyera si pluhuri i arit.

Për këtë arsye prioritet kryesor është të dërgohen refugjatët sa më shpejt në shtëpi. Po mbytemi nga refugjatët e shumtë deklaroi të premten ministri i jashtëm qipriot George Lilikas. Të enjten ai i ishte drejtuar BE-së:

"Kemi drejtuar dy kërkesa zyrtare. Nga një anë duhet që edhe vendet e tjera europiane të hapin kufijtë për të kontribuar në evakuimin nga Libani të europianëve dhe njerëzve nga vende të tjera."

Nga ana tjetër ka thënë Lilikas nevojitet ndihmë konkrete nga shtetet europiane: ata duhet të vënë në dispozicion një numër më të madh avionësh për të mundësuar tranzitin e shpejtë të refugjatëve në vendet e tyre pasi Qipro nuk ka infrastrukturën e duhur. Refugjatëve nuk mund t’u ofrohet qëndrim afatgjatë më ishull ka thënë ministri i jashtëm qipriot.

Solidariteti i qipriotëve me të ardhurit është i madh. Kjo edhe sepse ishulli vlerësohej vend i sigurtë strehimi edhe gjatë luftës së fundit në Liban.