Hamburgeri nga epruveta - pothuajse si mishi | Shkenca & Edukimi | DW | 06.08.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shkenca & Edukimi

Hamburgeri nga epruveta - pothuajse si mishi

Studiuesit e Universitetit të Mastriktit prezantuan me shumë zhurmë hamburgerin e parë nga epruveta. Prodhuar nga qelizat e muskujve të një lope. Objektivi është të plotësohet kërkesa në rritje për ushqim në botë.

Nga pamja e jashtme mishi i grirë nga laboratori nuk ndryshon nga malli i zakonshëm në fast food-e. Dhe sipas atyre që e hëngrën të parët për provë, shijon thuajse si mish i vërtetë. Mënyra se si është prodhuar hamburgeri i parë nga qeliza burimore e bën atë megjithatë një mall luksi. Ai kushton rreth 300.000 euro. Por nëse punët shkojnë ashtu si mendon kultivuesi i mishit në epruvetë, Mark Post nga Holanda, ky mish më e vonëta brenda dy dekadash do të mbërrijë në raftet e supermarketeve dhe do të ushqejë popullsinë në rritje të globit.

Shtresa shumë të holla mishi

Për vite me radhë Mark Post dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kryer kërkime në një laborator të Universitetit të Mastriktit. Nga qeliza të veçanta të muskujve të një lope, ata kanë kultivuar rripa të imët indesh muskulare në një lëng ngjyrë rozë. Nën kujdes të vazhdueshëm qelizat burimore nga muskujt e lopës ndaheshin vazhdimisht. Kështu u krijuan shtresa shumë të holla, vetëm pak centimetra të gjata dhe të trasha vetëm pak të mijëta të milimetrit. Për të prodhuar një hamburger të zakonshëm 140 gramësh, shkencëtarëve iu nevojiteshin plot 20.000 shtresa të tilla të holla. Atyre ata u dhanë ngjyrën e duhur nga lëngu i panxharit dhe safrani.

Shtim i magjishëm i mishit

Në të ardhmen nga qelizat burimore të një lope të vetme mund të prodhohen 175 milionë hamburgera, premton eksperti i biologjisë mjekësore Mark Post. Ky shtim i magjishëm i mishit nga pak qeliza të kujton mrekullinë e Biblës, kur Jezusi me dy peshq dhe pesë bukë ushqeu një masë të tërë njerëzish. Por ndryshe nga mrekullitë, shkencëtari Post ka nevojë për laboratorë të shtrenjtë, punonjës të kualifikuar dhe shumë energji për të kultivuar në laborator një grusht qelizash lope.

Të mëdha janë vetëm premtimet. Thuhet se me anë të mishit të prodhuar në laborator, konsumi i tokës mund të reduktohet me 98 për qind dhe sasia e gazrave të efektit serrë me 80 deri 95 për qind. Këto janë përllogaritjet e studiuesve të Universitetit të Oksfordit. Dhe një efekt anësor pozitiv: kjo metodë e re mund t'u shpëtojë jetën miliona lopëve.

Mish nga laboratori në vend të kultivimit masiv të kafshëve

Por ka disa pengesa. Qelizat burimore kanë nevojë për kushte konstante dhe temperatura rritjeje rreth 37 gradë celcius. Ato duhet të rriten të mbrojtura nga bakteret dhe kërpudhat dhe të jenë vazhdimisht të izoluara nga bota e jashtme. Kjo është e mundur kur është fjala për sasi të vogla në laborator, por krejtësisht e papërshtatshme për prodhimin në masë. Edhe në vetë laboratorët e specializuar ka herë pas herë vështirësi në kultivimin e qelizave burimore. Në prodhimin e organeve nga qelizat burimore ka pasur dhe ka vazhdimisht kthime prapa.

Jo mish lope tridimensional

Furnizimi me lëndë ushqyese dhe rritja e indeve tridimensionale është diçka e zakonshme në natyrë. Për këtë kafshëve dhe njerëzve u shërbejnë enët e gjakut. Të arrish këtë në një kulturë qelizash në laborator është një sfidë madhore për shkencën. Një gjë e tillë do të kushtojë shumë mijëra dollarë edhe dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Dhe prodhimi i një bifteku apo shniceli është shumë më i ndërlikuar se prodhimi i një sasie të vogël mishi të grirë. Të shpenzosh shuma të tilla parash për prodhimin artificial të organeve që mund të shpëtojnë jetë njerëzish, është financiarisht dhe etikisht e përgjegjshme, por jo në rastin e prodhimit të mishit për konsum.

Mish lope pa lopë

Mark Post synon t'i sjellë në supermarkete hamburgerat nga qelizat burimore brenda dhjetë ose njëzet vjetshëm, me çmimin një dollar ose më pak. Ky nuk duket objektiv realist përballë pengesave të shumta që duhen kapërcyer. Për të bërë realitet vizionet e shkencëtarëve nevojiten shumë milionë para për kërkime shkencore. Shkenca ka objektiva më të rëndësishëm. Pra dekadat që vijnë atyre që pëlqejnë mishin nuk u mbetet veçse të kënaqen me më pak hamburgera dhe biftekë. Kjo është jo vetëm më ekonomike por edhe më e shëndetshme.

  • Data 06.08.2013
  • Autor M. Lange/Eliana Xhani
  • Opinioni Juaj: Na shkruani!
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/19KYo
  • Data 06.08.2013
  • Autor M. Lange/Eliana Xhani
  • Feedback
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/19KYo