1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi negociator- Rugova, Daci, Kosumi, Thaqi dhe Surroi

Bekim Shehu28 Shtator 2005

Parlamenti i Kosovës miraton grupin negociator

https://p.dw.com/p/AqiX
Ibrahim Rugova, President i Kosovës
Ibrahim Rugova, President i KosovësFotografi: AP

Shumica e deputëve të kuvendit të Kosovës i dhanë përkrahje përbërjes së delegacionit kosovar që do të zhvillojë bisedimet për statusin final të vendit dhe këtë mekanizëm ata e cilësuan si një institucion të veçantë. Në seancën e sotme kishte edhe kundërshtime të natyrave të ndryshme. Shembull rreth mënyrës së si është formuar grupi negociator, numri i anëtarëve dhe mungesa e një platforme të qartë se për çfarë duhet pranuar të bisedojë ky grup negociator.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, lexoi fillimisht deklaratën e presidentit Rugova, rreth përgatitjeve për bisedimet për statusin në të cilën kërkohet unitet dhe për këtë ai ka propozuar edhe delagacioni gjithpërfshirës. Në të bëjnë pjesë presidenti, Rugova, kryeparlamentari Daci, kryeministri, Kosumi, dhe dy udhëheqësit e opozitës, Hashim Thaqi dhe Veton Surroi.

Deklarata e presidentit dhe përbërja e delegacionit u përkrah pothuaj nga të gjithë deputët në kuvend, mirëpo, PDK-ja, në opozitë kishtë një propozim tjetër më konkret para se të fillohej me bisedimet për statusin.

Ky propozim i PDK-së në opozitë, nuk u përkrah nga shumica e deputetëve dhe si i tillë nuk u procedua në kuvend. Kryetari i partisë politike Ora në opozitë, Veton Surroi, ndërkaq, e përkrahu nismën e presidentit Rugova për formimin e grupit negociator, mirëpo, sipas tij nuk është nevoja që ajo të miratohet në kuvend. Megjithkëto propozime të opozitës, deklarata e presidentit Rugova dhe përbërja e delegacionit për bisedime u votua dhe mori shumicën e votave të deputëtëve. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, do të takojë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme të gjithë anëtarët e delegacionit për bisedime për statusin dhe në këtë mënyrë, sipas tij, do të fillojnë punët, qofshin ato edhe teknike, në përgatitjen e bisedime për statusin, të cilat besohet se do të fillojnë më së largu deri në fnd të këtij viti.