1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Globalizimi pranohet

9 Prill 2006

Të shtunën dhe të dielën (08. - 09.04) u zhvillua në Vjenë takimi i ministrave të financave të vendeve të ASEM-it, vendet evropiane dhe ato aziatiko-jugore. Në qendër të konsultimeve ishte gjendja e ekonomisë botërore dhe masat për parandalimin e larjes së parave si dhe shkëmbimi i mendimeve lidhur me kontributin e ASEM-it për një proces të sukseshëm globalizimi.

https://p.dw.com/p/ArBQ
Ministri austriak i financave Karl-Heinz Grasser flet me kolegun luksemburgas Jean-Claude Junker
Ministri austriak i financave Karl-Heinz Grasser flet me kolegun luksemburgas Jean-Claude JunkerFotografi: AP

Në ekonominë e globalizuar botërore evropianët dhe aziatikët janë në të vërtetë konkurrentë e megjithatë ata janë të varur prej bashkëpunimit, kështu u shpreh kryetari i këshillit të ministrave të financave të BE-së, ministri austriak Karl Heinz Graser, në takimin me 13 kolegët e vendeve aziatiko-jugore. Ky raund u shpreh qartë për liberalizimin e mëtejshëm të tregjeve, duke theksuar, se proteksionizëm nuk duhet të ketë as në Evropë dhe as në Azi.

Në sfondin e frikës së shumë evropianëve prej globalizimit ministri austriak i financave Graser tha, se një zgjerim i rrjetit të ekonomisë botërore hap vende të reja pune:

"E rëndësishme është që ne jo vetëm theksuam, "liberalizim, globalizim dhe çrregullim!", por ne një zëri thamë, se qëllimi ynë duhet të jetë, që të gjithë të përfitojnë prej globalizimit dhe me këtë kemi parasysh jo vetëm vendet tona dhe ndërmarrjet, por në radhë të parë edhe punëmarrësit."

Në lidhje me importimet me çmime fare të lira të prodhimeve të tekstileve dhe të këpucëve nga Azia, evropianët tërhoqën përpara këtij takimi vërejtjen se kemi të bëjmë me një konkurrencë të padrejtë. Si shembuj të konkurrencës së padrejtë përfaqësuesit e BE-së sollën çmimet tepër të ulta nën nivelin e tregut si dhe shkeljen e të drejtës mbi patentat dhe autorin. Megjithë protestat në rritje të sindikatave të cilat kërkojnë ngritjen e mureve mbrojtës ndaj konkurrencës aziatike, ministrat e finanacave të vendeve të BE-së u shprehën kundër izolimit dhe proteksionizimit.

Proteksionizimi i zmadhon problemet, u shprehën ministrat në Vjenë.

Në lidhje me këtë Ministri gjerman i financave Per Shteinbryk u shpreh: "Proteksionizimi nuk është përgjigjia e drejtë ndaj asaj që po përjetojmë ne të gjithë prej globalizimit, proteksionizmi është i lidhur me rënie të mirëqënies."

Kurse Kryeministri i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker u përqëndrua në pasojat e këtyre zhvillimeve për tregjet e punës në BE: "Tani ne duhet të shtrojmë pyetjen, se si do të ndikojë e gjitha kjo në ardhmen ndaj tregjeve të punës. Pra duhet të shtrojmë për diskutimin çështjen e koncepteve industriale. Qeveritë nuk hiqen thjeshtë, sepse kemi globalizimin", tha Junker.

Sipas mendimit të ministrave, Evropa ka nevojë për tregje pune më fleksibël dhe jo për proteksionizëm.

Sa u përket vendeve aziatike këtej e tutje ministrat e financave duan të përqëndrohen më fort tek pasojat sociale të bumit ekonomik dhe duan të fillojnë me zgjerimin e sistemeve sociale, si sigurimet për shëndetësinë, pensionet dhe asistencën e papunësisë. Nga perspektiva e BE-së lidhur me fleksibilitetin dhe novacionet mund të mësohet shumë prej Azisë, rajoni ky me zhvillimin më të fuqishëm në ekonominë botërore. Takimi mes BE-së dhe vendeve aziatike qysh nga viti 1996 zhvillohet rregullisht. Në vjeshtë do të takohen kryetarët e shteteve dhe të qeverive në samitin e gjashtë të ASEM-it që do të zhvillohet në Finlandë.