Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën urgjente për pezullimin e ligjit për vaksinim me detyrim | Gjermania | DW | 11.02.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gjykata Kushtetuese refuzoi kërkesën urgjente për pezullimin e ligjit për vaksinim me detyrim

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë hodhi poshtë kërkesat për pezullim urgjent të ligjit për vaksinim me detyrim të disa grupeve të punonjësve. Procesi i shqyrtimit me procedurë të rregullt vazhdon.

Akoma nuk janë marrë vendimet përfundimtare sipas kërkesave për kushtetutshmërinë në procedurat për vaksinimin me detyrim. Senati i Parë përgjegjës i drejtuar nga presidenti i Gjykatës Stephan Harbarth nuk e ka shqyrtuar ende në mënyrë gjithëpërfshirëse kërkesën për pezullimin e ligjit për vaksinim me detyrim, që do të futet në fuqi nga mesi i marsit. Edhe ky vendim do të merret me një procedurë, e cila duhet të trajtohet me prioritet të lartë. Por në vendimin e parë urgjent u tha se ligji mund të futet në fuqi nga mesi i marsit, siç është vendosur më parë.

Dëshmitë deri në mes të marsit

Qeveria federale dëshiron të fusë vaksinimin me detyrim për disa kategori, me qëllim që të mbrojë sa më mirë personat e moshuar dhe pacientët, të cilët janë veçanërisht në rrezik të lartë për t'u sëmurur rëndë ose për të vdekur nga infeksioni me virusin Corona. Ligji duhet të zbatohet për punonjësit në shtëpitë e të moshuarve dhe klinika e institucione shëndetësore, si për shembull tek mjekët familjarë dhe shërbimet në ambulanca, pastaj për mamitë, fizioterapistët dhe ata që ofrojnë masazhe. Punonjësit në këto institucione kanë kohë deri më 15 mars 2022 të ofrojnë dëshmi se janë vaksinuar apo shëruar nga virusi Corona. Dëshmitë për shërim në Gjermani vlejnë tre muaj.

Ndërsa punonjësit që zënë punë nga data 16 mars duhet të paraqesin edhe këto dëshmi, si kusht për të filluar punën. Nëse prova e vaksnimit mungon, duhet të informohet Enti i Shëndetësisë, i cili duhet ta hetojë rastin konkret. Pas hetimeve personit mund t'i ndalojë të hyjë në objekt ose të vazhdojë të punojë.

Ankesat e shumta

Vendimi për futjen e vaksnimit me detyrim për këta persona është marrë në Bundestag dhe Bundesratnë mes të dhjetorit. Prej atëherë janë paraqitur shumë padi dhe ankesa para Gjykatës Kushtetuese. Deri më 3 shkurt ka pasur 74 ankesa nga rreth 300 persona. Gjyqtarët zgjodhën një rast model për të vendosur me procedurë urgjente.

Qeveria federale e konsideron të justifikuar vaksinimin me detyrim dhe ndërhyrjen në integritetin fizik në këtë rast. Me këtë vaksinim mund të mbrohen nga infektimi personat e rrezikuar. Ndaj këta njerëz, siç thuhet, kanë një përgjegjësi të veçantë.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet së shpejti. Të hënën, kryeministri i Bavarisë Markus Söder (CSU) njoftoi se në këtë land do të pezullohet zbatimi i ligjit, për shkak të shumë paqartësive. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek disa homologë të tij në lande, sepe kryeministri i Bavarisë dhe ata që janë kundër, kanë votuar për miratimin e këtij ligji.

Shqetësime ka pasur kohët e fundit edhe për faktin që shumë raste personale nuk mund të shqyrtohen brenda kësaj kohe, deri në futjen në fuqi të ligjit. Ekziston edhe frika se zbatimi i këtij ligji do të shkaktonte probleme shtesë me mungesën e infermierëve dhe mjekëve, sepse në mesin e tyre ka një numër të konsiderueshëm personash që refuzojnë të vaksinohen. Deri tani nuk dihet si do të kompensohet ky numër i punonjësve, nëse ata refuzojnë të vaksinohen. Por shikuar nga vendimi urgjet i Gjykatës Kushtetuese, ligji do të futet në fuqi me 15 mars.

 

bc/haz/se (BVerfG, dpa, afp, rtr)