1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Shtetli ligjorEuropë

GJED: E drejta e BE me përparësi ndaj kushtetutës kombëtare

Gigi Deppe
21 Dhjetor 2021

Është një gjykim historik: e drejta e BE ka përparësi, thotë Gjykata Evropiane e Drejtësisë, edhe kur shtetet anëtare u referohen kushtetutave kombëtare. Mesazhi i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese gjermane.

https://p.dw.com/p/44esf
EuGH in Luxemburg
Fotografi: Arne Immanuel Bänsch/dpa/picture alliance

Në pamje të parë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ndërhyri vetëm në një mosmarrëveshje të brendshme rumune. Por në realitet, gjyqtarët e Luksemburgut bënë një konstatim shumë të qartë për të ardhmen e të gjithë BE: gjykatat kushtetuese kombëtare mund të shpërfillen, BE ka përparësi. Dhe ky është gjithashtu një mesazh interesant për Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane. Sepse deri tani ka qenë gjithmonë e qartë se fjalën e fundit e kanë gjyqtarët në Karlsruhe. Në raste urgjente, ata përdorin Ligjin Themeltar Gjerman për të kontrolluar se deri në çfarë mase mund të vendosë BE në Gjermani.

Konkretisht, vendimi i Gjykatës ka të bëjë me një mosmarrëveshje ndërmjet gjykatave të rregullta të Rumanisë dhe Gjykatës Kushtetuese të atjeshme. Gjykata e Lartë e rregullt kishte dënuar disa deputetë dhe ministra për korrupsion. Por Gjykata Kushtetuese rumune më pas e anuloi vendimin për arsye formale. Si pasojë, procedurat e reja penale janë bërë më të vështira, në mos të pamundura, sepse ato ndër të tjera do të ishin të parashkruara.

Luxemburg Schild des Europäische Gerichtshofs
Fotografi: Horst Galuschka/dpa/picture alliance

Gjykata e Lartë, e cila konstatoi qartë probleme masive të sundimit të ligjit në Rumani, më pas iu drejtua GJED-së dhe pyeti se kë duhet të ndiqte: BE, i cili i kushton rëndësi të madhe luftës kundër korrupsionit, apo Gjykatën Kushtetuese Kombëtare.

E drejta evropiane ka gjithmonë përparësi

Nuk është për t'u habitur që Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë tani përcakton se nëse ekziston rreziku që veprat e rënda të mashtrimit të mos dënohen më sistematikisht, dhe kjo veçanërisht në dëm të BE, atëherë gjykatat e rregullta në Rumani nuk duhet të ndjekin më Gjykatën e tyre Kushtetuese.

Gjyqtarët evropianë shkojnë shumë prapa në kohë me vendimin e tyre: që në traktatin e vitit 1957 për Komunitetin Ekonomik Evropian, askush nuk kundërshtoi apo paraqiti ndonjë rezervë zyrtare dhe prandaj që atëherë është bërë e qartë që përparësi ka gjithmonë e drejta e BE. Gjykata Evropiane e Drejtësisë është organi që përcakton se deri ku shkon kjo. Dhe duke qenë se e njëjta e drejtë duhet të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare, disa vende thjesht nuk mund të devijojnë prej kësaj.

Luxemburg Gebäude des Europäischen Gerichtshofs
Fotografi: Horst Galuschka/dpa/picture alliance

Një mesazh për të gjitha gjykatat kushtetuese

Ky është gjithashtu një sinjal i qartë ndaj Gjykatës Kushtetuese të Polonisë dhe të gjitha shteteve të tjera anëtare, tek të cilat sundimi i ligjit çalon dhe që rregullisht vënë në dyshim BE.

Madje edhe gjyqtarët kushtetues gjermanë mund të nxjerrin udhëzime nga ky vendim. Në të vërtetë, vitin e kaluar ata për herë të parë patën një diskutim të nxehtë me Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe vendosën që GJED nuk kishte punuarsi duhet gjatë kontrollit të Bankës Qendrore Evropiane dhe se për këtë arsye autoritetet gjermane nuk duhet t'i binden automatikisht BE.

Puna shkoi aty sa Komisioni Evropian nisi edhe një procedurë shkeljeje kundër Gjermanisë. Kjo procedurë ndërkohë është ndërprerë. Qeveria gjermane ka deklaruar zyrtarisht, si një ofertë paqeje, se autoriteti i GJED sigurisht që do të njihet.

Mos ndiqni gjykatat tuaja kushtetuese kur jeni në dyshim

Deri tani, vendimet e Gjykatës më të lartë të BE janë zbatuar pothuajse gjithmonë në vendet anëtare. Vetëm në raste të izoluara kanë bërë dallime gjykatat kushtetuese kombëtare vitet e fundit. Mesazhi nga Luksemburgu është tashmë i qartë: jeni të detyruar të na ndiqni. Kur jeni në dyshim, nuk ka kuptim t'i referoheni kushtetutës suaj. Gjyqtarët dhe autoritetet duhet të zbatojnë atë që thotë BE, është BE që ka përparësi. Dhe askush nuk duhet të dënohet që ndjek BE, në vend të gjykatës së tij kushtetuese.