Gjermania vend emigracioni & Irani dhe programi bërthamor | Studimi në Gjermani | DW | 07.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Gjermania vend emigracioni & Irani dhe programi bërthamor

Në Gjermani jetojnë 15,3 milionë të huaj. Sondazhi i fundit, Mikrocensus, i zyrës federale të Statistikave arrin në përfundimin, se Gjermania është një shoqëri më shumë multikulturore nga sa mendohej deri më sot. Kjo temë gjen jehonë në shtypin e sotëm. Komentatorët edhe sot i referohen temës së Iranit dhe programit të tij bërthamor.

Fëmijë gjermanë me prejardhje emigrante

Fëmijë gjermanë me prejardhje emigrante

Lidhur me temën e parë gazeta "Landeszeitung" që del në Lyneburg komenton: "Statistikat mund të zbulojnë gënjeshtrat e përjetshme. Një prej tyre është edhe pretendimi i politikanëve që merren me zhvillimet demografike, sipas të cilëve Gjermania nuk është vend emigracioni. Sondazhi Mikrocensus vërteton se Gjermania prej kohësh është një magnet për migrantët. Duke e mohuar prej kohësh këtë realitet, politikanët kanë bllokuar percepetimin e interesave gjermane. Në vend që të projektonin koncepte integrimi, që mund t´i rezistojnë ashpërsisë së të përditshmes, politikanët janë ngushëlluar me ëndrrat e shoqërisë multikluti. Rezultati ka qenë "vrasje në emër të kodeve kanunore" në shoqëritë paralele me vlera të tjera. Fëmijë emigrantësh pa perspektivë për të pasur sukses në shkollë dhe pa shanse për shkolla profesionale, apo vende pune. Mikrocensusi është si një alarm për t´u zgjuar. Sepse ai vërteton edhe, se Gjermania ka nevojë për emigrantët. Kjo edhe për arësye thjeshtë demografike për të ndalur plakjen e shoqërisë. Por, vetëm nëse Gjermania e pranon si fakt procesin e emigracionit, mund edhe t´a formësojë atë", analizon "Landeszeitung".

Në të përditshmen "Berliner Morgenpost" lexojmë: "Një vend, që karakterizohet kaq fort prej migracionit dhe që në përgjithësi funksionon mirë mund të jetë krenar për vetveten. Sepse shifrat që përfshijnë në vetvete edhe fëmijën e integruar më së miri të një nëne franceze, të imponojnë të flasësh qartë: Kushdo që do të tërheqë vëmendjen për problemet me migrantët, nuk duhet të zerë në gojë fajlën "i huaj", por duhet të thotë saktë, se kë ka parasysh me këtë. Gjithashtu bëhet e qartë, se problemet e integrimit nuk mund të zgjidhen me kufizime për emigrantët. Tashmë pjesa më e madhe e njerëzve me sfond emigracioni janë ata që posedojnë pasaportë gjermane, ndërkohë që numri i të porsardhurve ulet gjithnjë e më shumë. Kjo do të thotë, se në vend të një politike ndryshe për të huajt, ne kemi nevojë për një marrëveshje të re shoqërore të atyre që jetojnë këtu", tërheq vëmendjen komentatori i "Berliner Morgenpost".

Mbi këtë temë së fundi edhe një citat nga artikulli i "Recklinghäuser Zeitung": "Për fat të mirë ne kemi migrantë. Ata ripërtërijnë strukturën e moshës dhe së shpejti do të kemi edhe më shumë nevojë për ta për ta mbajtur në funksionim ekonominë. Bota e ftuar tek miqtë është sllogani i Botërorit 2006, por duhet ta kuptojmë, se kjo shprehje s´duhet të vlejë vetëm për kampionatin, ajo është e rëndësishme për të ardhmen tonë", thekson "Recklinghäuser Zeitung".

Ndër temat ndërkombëtare më e komentuar është sot çështja e Iranit.

Në të përditshmen e Pocdamit "Märkische Allgemeine" komentohet: "Regjimi i Mullahëve do të marrë teknologji bërthamore dhe teknologji tjetër të lartë për ripërtëritjen e ekonomisë së rënuar dhe përdorimin civil të energjisë bërthamore, në rast se heq dorë nga pasurimi i uranit brenda vendit. Por vetëm një gjë s´mund të ofrojë paketa e dërguar në Iran nga i ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Havier Solana: bomba atomike do ta bënte Iranin të paprekshëm si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë politik. Aktualisht s´ka gjasa që presidenti Ahmedinexhad do ta heqë prej dore këtë as. Ndaj prej ofertës së Solanës do të mësohet, nëse Teherani vërtetë mendon për furnizimin me energji, apo për të qenë superfuqi në Gjirin Persik. Bashkësia ndërkombëtare me një pohim kaq të qartë s´mund të shkojë larg, sepse as që duket të ketë mundësi praktike për ta ndalur Iranin që të bëhet një fuqi atomike", konstaton "Märkische Allgemeine".

Ndërsa "General Anzeiger" e Bonit shkruan: "Udhëheqja e Iranit do të bënte mirë për veten dhe për botën po ta pranonte ofertën e përbashkët për bisedime të ShBA, treshes së BE-së, Kinës dhe Rusisë. Mirëkuptimi në grindjen atomike mund të ndihmojë që të shmanget një kaos i paparashikueshëm në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Oferta është mëse korrekte. Ndoshta ka forca në Teheran, që janë realiste dhe me influencë të mjaftueshme, për ta shfrytëzuar shansin që hap kjo ofertë", nënvizon "General Anzeiger".

  • Data 07.06.2006
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArpZ
  • Data 07.06.2006
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArpZ