Gjermania - një rast rimëkëmbjeje? | Gjermania | DW | 23.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania - një rast rimëkëmbjeje?

Parlamenti gjerman ka miratuar buxhetin për vitin fiskal 2006

Kancelarja gjermane Merkel shpjegon në Bundestag situatën kritike buxhetore

Kancelarja gjermane Merkel shpjegon në Bundestag situatën kritike buxhetore

Me rreth gjashtë muaj vonesë parlamenti gjerman miratoi këto ditë buxhetin federal për vitin 2006. Arsyeja e vonesës: për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe krijimit të qeverisë së re vjeshtën e kaluar, buxheti duhej rihartuar. Ai parashikon shpenzime në masën 262 miliardë euro. Borxhi i ri është më i lartë se kurrë më parë. Kancelarja gjermane Angela Merkel për këtë arsye e ka cilësuar Gjermaninë "një rast rimëkëmbjeje".

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka përdorur me qetësi një fjalë shumë të ashpër. "Rast rimëkëmbjeje" është Gjermania sipas kancelares. Situata buxhetore sipas saj është "kaq e mjerë sa nuk mund të përfytyrohet". Dhe vërtet: në nivel federal, landesh dhe komunash shpenzimet i tejkalojnë të ardhurat buxhetore me rreth 60%. Borxhi i lartë shtetëror i grumbulluar prej vitesh arrin tani rreth 1500 miliardë euro, një shumë me përmasa të papërfytyrueshme. Shpenzimet e federatës për interesat janë sa borxhi i ri për këtë vit, rreth 38,2 miliardë euro. Kjo do të thotë se pa barrën e borxheve buxheti federal do të ishte i balancuar pa qenë nevoja për kredi të reja; janë pra pikërisht borxhet që rëndojnë buxhetin.

Gjermania është në rrugën e grackës së borxhit. Situata është vërtet dramatike. Kancelarja Merkel ia hedh fajin qeverisë paraardhëse, dhe i njëjtë është argumentimi i ish- kancelarit. Zinxhiri i argumentimit mund të zgjatej kështu pafundësisht: edhe vetë ish-kancelari Kol ankohej për "barrën e trashëguar" menjëherë pas marrjes së postit. Argumentimi i politikës funksionon si një sistem papërgjegjshmërie të organizuar. Por kjo nuk ndihmon! Koalicioni i madh duhet të pranojë pyetjen, se përse nuk ndërmerr që tani masa për rimëkëmbjen e financave shtetërore, por i shtyn ato sërish për të ardhmen. Pikërisht kjo qeveri me shumicën në parlament dhe në përfaqësinë e landeve, Bundesrat, do të ishte në gjendje ta bënte këtë e përkrahur edhe nga situata ekonomike që bën të gurgullojnë burimet e të ardhurave fiskale siç nuk ndodhte prej kohësh.

E megjithatë vazhdon të praktikohet një politikë në dëm të aftësisë mbijetuese në të ardhmen dhe para së gjithash në kurriz të fëmijëve dhe nipërve të brezave të sotëm. Kreditë e reja i tejkalojnë investimet me 15 miliardë euro, diçka e ndaluar shprehimisht nga kushtetuta. Prishja e ekuilibrit makroekonomik që deklarohet nga ministri i financave nuk është bindëse përballë situatës ekonomike dhe të ardhurave fiskale në rritje. Kjo vlen edhe për premtimin se vitin e ardhshëm gjithçka do të bëhet më mirë. Kufiri i huamarrjes i përcaktuar në kushtetutë duhet të respektohet ashtu si kriteri i defiçitit i paktit europian të stabilitetit. Por mesa duket kjo qenka e mundur vetëm përmes rritjes më të madhe të taksave në historinë e Republikës Federale Gjermane.

Megjithatë Gjermania nuk është aspak një rast rimëkëmbjeje. Ajo është kampion në eksporte; ekonomia ka hyrë së rrish në një cikël rritjeje dhe burimet e të ardhurave fiskale gurgullojnë me zhurmë. Gjermania zotëron një nga ekonomitë më produktive dhe inovative në të gjithë botën, një standard të lartë jetese dhe një infrastrukturë të shkëlqyer.

Rast për rimëkëmbje mbetet megjithatë buxheti federal si dhe sistemi social shtetëror. Për shkak të menaxhimit të gabuar për dekada me rradhë të tregut të punës, të reformave të vonuara ose hezituese edhe në degë të tjera të sistemit social si dhe financimeve të gabuara pas bashkimit të Gjermanisë borxhet shtetërore thuajse shpërthyen. Detyrimet e interesave janë bërë blloku i dytë më i madh i shpenzimeve të buxhetit. Eshtë krejt e qartë se ky vend me shpenzimet buxhetore aktuale jeton mbi mundësitë veta. Detyrë e politikës është të nxjerrë mësime nga ky konstatim. Pikërisht kjo është ajo çka mungon!

  • Data 23.06.2006
  • Autor Karl Zawadzky
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0K
  • Data 23.06.2006
  • Autor Karl Zawadzky
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0K