1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani - Shqipëri: njohje reciproke sigurimeve shoqërore

Ani Ruci3 Shtator 2015

Qeveria e Tiranës miratoi marrëveshjen me Gjermaninë “Për mbrojtjen shoqërore dhe protokollin përfundimtar të saj”. Pas hyrjes në fuqi të saj mund të përfitojnë 20 mijë shtetas shqiptarë që kanë kontribuar në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1GQjO
Ministerium für Arbeit in Tirana
Fotografi: DW/A. Muka

Pas 4 muajsh negociatash mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, të nisura në janar të këtij viti dhe të përfunduara në prill, miratimi nga qeveria e Tiranës i kësaj marrveshjeje, përshpejton procesin e hyrjes së saj në fuqi. Hapi i fundit ka mbetur vetëm miratimi i marrveshjes nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Bundestagu gjerman. Burime zyrtare nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë pohojnë për DW, se gjatë këtij muaji në Tiranë do të mbrijë nga Gjermania një grup ekspertësh për të përmbyllur procesin, në prag të kalimit të marrveshjes në parlamentet e të dyja vendeve.

Pjesa më e madhe e valës së refugjatëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë, e nisur me ngjarjen e dyndjes së mbi 3 mijë vetëve në Ambasadën Gjermane në Tiranë, më 2 korriku 1990, sot janë nështetas gjermanë që kanë 25 vjet që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Por ka edhe një pjesë të vogël, që punuan atje disa vite dhanë kontributet përkatëse shoqërore dhe shëndetësore në skemën gjermane dhe u kthyen për të punuar dhe jetuar në Shqipëri. Ndërkohë që hapja e Shqipërisë solli gjatë këtyre 25 viteve të kthesës edhe gjermanë që punuan dhe punojnë sot e kësaj dite në Shqipëri. Marrëveshja ka të bëjë pikërisht me të dyja kategoritë: ata që arrijnë moshën e pensionit dhe janë nënshtetas gjermanë do t'ju llogariten vitet që kanë punuar në Shqipëri. Ata që janë nështetas shqiptarë dhe kanë arritur moshën e pensionit do t'u njihen edhe vitet që kanë punuar dhe paguar kontributet për sigurim shoqëror dhe shëndetësor në Gjermani. E njëjta skemë vlen edhe për gjermanët që punojnë në Shqipëri. Burime zyrtare nga Minstria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë thanë për DW, se "nga marrveshja e sapomiratuar do të përfitojnë rreth 20 mijë shtetas shqiptarë, të cilët kanë derdhur kontributet e sigurimeve në Gjermani". Me fjalë të tjera kjo do të thotë që ata do të marrin pension për vitet që kanë punuar në Shqipëri dhe për ato që kanë punuar në Gjermani, natyrisht nëse kanë derdhur kontributet shoqërore dhe shëndetësore.

Çfarë tjetër parashikon marrëveshja?

Marrveshja dypalëshe Gjermani-Shqipëri për njohjen e ndërsjelltë të kontributeve të sigurimeve shoqërore shtrihet përtej pensionit. Ajo do të zbatohet edhe për degë të tjera të sigurimit të detyrueshëm si sigurimi për sëmundje, lejet e lindjes, sigurimi për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale, sigurimi reciprok i të punësuarve, përfitime të papunësisë dhe përfitime familjare.

Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore edhe me Belgjikën, Çekinë, Luksemburgun, Kanadanë, Maqedoninë dhe pritet finalizimi i marrëveshjes edhe me Hungarinë, ndërsa me Rumaninë dhe Austrinë vazhdojnë bisedimet. Negociatat janë hapur dhe po vazhdojnë edhe me 14 vende të tjera në Europë dhe përtej. Italia dhe Greqia, dy vendet ku është numri më i madh i emigrantëve nga Shqipëria, mbeten ende jashtë këtij procesi. Ekspertë nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë thanë për DW se procesi vështirësohet nga numri i madh i emigrantëve nga Shqipëria në këto dy vende fqinjë. Deri tani Turqia është i vetmi vend, ku marrëveshja është duke u zbatuar që nga viti 2005 kur hyri në fuqi. Nga ajo përfitojnë disa dhjetra mijëra qytetarë të Shqipërisë, që punojnë në Turqi dhe ata turq që punojnë në Shqipëri.