1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Më shumë doza vaksine nga prilli?

2 Shkurt 2021

Ecuria e ngadashme e vaksinimit për mbrojtjen nga koronavirusi në Gjermani po shkakton pakënaqësi masive. As samiti i krizës me kancelaren duket se nuk solli qartësi të plotë.

https://p.dw.com/p/3ogrj
Impfgipfel im Bundeskanzleramt
Fotografi: Steffen Kugler/Bundesregierung/REUTERS

Sasi të pakta vaksine, paqartësi me prodhuesit për furnizimet me vaksina, mbingarkesë me telefonat e emergjencës – në sfondin e këtyre lajmeve negative në Gjermani janë akumuluar shumë kritika. Landet dhe komunat në Gjermani kërkojnë më shumë garanci për të dhënat mbi furnizimet me vaksina, në mënyrë që qendrat rajonale të vaksinimit të mund të planifikojnë më mirë.

Një samit i dështuar?

Ndaj samiti virtual (01.02) për vaksinimin mes kancelares Angela Merkel, kryeministrave të landeve si dhe përfaqësuesve të degës së farmaceutikës dhe të Komisionit të BE-së kishte synim të ndihmonte në sqarimin e situatës. Por pjesëmarrësit qysh përpara se të mbyllej takimi e quajtën atë si një „teatër absurd". Gazeta „Bild" shkruan: "Merkel bën vërejtje e pakënaqur."

Qysh përpara takimit virtual u bë e ditur, se Ministria e Shëndetësisë priste deri në fund të marsit një furnizim prej 18,3 milionë dozash vaksine nga prodhuesit BioNTech/Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca.

Por në tremujorin e dytë Gjermania duhet të marrë gjithsej 77,1 milionë doza vaksinash nga prodhues të ndryshëm. Për tremujorin  e tretë madje parashikohen 126,6 milionë doza. Megjithatë deri tani sipas parashikimeve janë kalkuluar në këto sasi edhe vaksinat ende të palincecuara nga Johnson & Johnson dhe Curevac.

Impfgipfel im Bundeskanzleramt
Fotografi: Steffen Kugler/Bundesregierung/dpa/picture alliance

Vaksina e parashikuar vetëm me një dozë nga Johnson & Johnson nëse ecën mirë mund të licencohet në fund të shkurtit, bëhet e ditur. Sipërmarrja bioteknologjike nga Tybingeni Curevac përpara samitit njoftoi për bashkëpunim me koncernet Bayer AG, Wacker AG dhe Rentschler Biopharma SE. Curevac brenda këtij viti do të prodhojë deri në 300 milionë doza vaksinash dhe vitin e ardhshëm deri në një miliardë.

Për tremujorin e katërt të vitit në Gjermani synohet të sigurohen edhe 100 milionë doza vaksinash, ndër to furnizime edhe nga prodhuesi francez Sanofi, lincencimi për të cilin pritet në fund të 2021.

Vaksinimet ndaj koronavirusit në Gjermani po ecin duke çaluar. Njëkohësisht në dokumentin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet, se numri i vaksinimeve ndërkohë mund të rritet nga 100.000 në ditë deri në pesë milionë në javë, në rast se 50.000 ambulacat e mjekëve të familjes do të mund të furnizohen me një vaksinë, që mund të ruhet në kushte më të moderuara. Mbi këtë bazë do të ishte realist deklarimi i kancelares, se çdo qytetar deri në fund të verës do të mund të marrë një ofertë për vaksinim.

Por të gjitha këto janë vetëm parashikime

Ministria e Shëndetësisë vëren se ka mjaft faktorë pasigurie: „Afatet konkrete të furnizimit dhe sasia e furnizimit të vaksinave ndaj COVID-19 varen nga disa faktorë, veçanërisht nga ecuria e provave klinike, nga rezultatet e procedurave të licencimit prej autoriteteve,  nga proceset e prodhimit, nga rrjeti i furnitorëve si dhe rezultatet e kontrolleve të cilësisë", thuhet në parashikimet përkatëse që gjithashtu janë të pasigurta.

 

 

se/wa (rtr, dpa, afp, bild)