Gjermani: Kurrë më mungesë vaksinash? | Gjermania | DW | 26.05.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Gjermani: Kurrë më mungesë vaksinash?

Një grup task force do të punojë që në të ardhmen në Gjermani të mos ketë më mungesë vaksinash. A do të ishte pavarësia nga vendet e tjera në prodhimin e vaksinave, qëllim i vlefshëm?

Muajt e fundit, furnizimi jo optimal me vaksina anti-Covid shkaktoi iritim në popullatë në Gjermani. Mungesa e vaksinave ngadalësoi fushatën e vaksinimit në Gjermani dhe në mënyrë të përsëritur çoi në diskutime për radhën e grupeve të popullsisë që duhet të vaksinohen. Qeveria gjermane vendosi të veprojë: ajo ngriti një task force.

Një grup pune, task-force u krijua në fund të shkurtit me vendim të Ministrisë Federale të Ekonomisë, Ministrisë Federale të Shëndetësisë dhe Ministrisë Federale të Financave dhe në koordinim me Kancelarinë Federale. Ai drejtohet nga Christoph Krupp.

"Furnizim i sigurtë i vetvetes"

Qëllimi i "Task-force-s së prodhimit të vaksinave" është të krijojë një sistem monitorimi, në mënyrë që të kundërveprojë, në bashkëpunim me kompanitë e prekura, kur paraqiten pengesa në prodhimin e vaksinave. Nga viti i ardhshëm, "një furnizim i sigurt i Gjermanisë duhet të garantohet përmes kapaciteteve të saj prodhuese", i tha Krupp gazetave të grupit mediatik Funke.

"Ne kemi nevojë për një rrjet të kompanive që kryejnë hapat e ndryshëm të prodhimit," theksoi Krupp. Duke vepruar kështu, duhet të merret në konsideratë i gjithë zinxhiri i krijimit të vlerës: nga prokurimi i lëndëve të para te mbushja e dozave të vaksinimit deri te shpërndarja e nënprodukteve dhe aksesorëve të vaksinimit.

 Marburg, prodhimi i BioNTech-ut

Marburg, prodhimi i BioNTech-ut

"Pozicion global i fortë"

A do të nënkuptojë kjo një lloj autarkie vaksinash për Gjermaninë dhe a ka kuptim kjo? "Kontributi i Gjermanisë në prodhimin global të vaksinave kundër Covid-19 është tashmë shumë i madh, krahas SHBA, të cilat, megjithatë, kryesisht prodhojnë për përdorim vetja, Gjermania është një nga vendet kryesore të prodhimit," shpjegon Dr. Rolf Hömke, Këshilltar i Lartë i Kërkimit të Komunikimit dhe Mjekësisë në Shoqatën e Kompanive Farmaceutike të Kërkimeve(vfa).

"Shumë hapa të prodhimit për vaksina të ndryshme kryhen në këtë vend me bashkëpunimin e prodhuesve që japin porositë, të tilla si Rentschler, Dermapharm, IDT Biologika dhe shumë të tjerë." Sipas Hömke-s, Gjermania është gjithashtu në një pozitë të fortë globalisht kur bëhet fjalë për përbërësit dhe aksesorët për prodhimin e vaksinave.

Gjermania importon vaksina anti-Covid-19

Task force ka në mendje edhe Evropën. Sipas këndvështrimit të Krupp-it, evropianët duhet të jenë në gjendje ta prodhojnë një përbërës të ri aktiv brenda tre muajsh për të gjithë popullsinë evropiane. "Kjo do të thotë 500 milionë doza vaksinash. Gjermania duhet të japë një kontribut të fuqishëm për këtë."

Përsa i përket prodhimit të përgjithshëm të vaksinave, Evropa në vitin 2019 përfaqësonte 76 përqind të kapacitetit prodhues global, sipas Vaccines Europe. Në lidhje me vaksinat kundër Covid-19, shumë vende furnizohen nga Gjermania, por Gjermania gjithashtu importon vaksina.

Për shkak se në Gjermani nuk ka fabrika për vaksinën Moderna, për shembull, dhe vaksinat e Johnson & Johnson dhe AstraZeneca vetëm mbushen në shishe në Gjermani, nuk prodhohen. "Vaksina e AstraZeneca-s duhet të prodhohet tërësisht në Gjermani në të ardhmen," shpjegon eksperti i vfa Hömke.

Autarkia është ndoshta e pamundur

Sidoqoftë, ka dyshime nëse mund të përfytyrohet një autarki e vërtetë e vaksinës për Gjermaninë, sepse çdo vaksinë ka recetën e vet dhe ka nevojë për përbërësit e vet. Sipas Hömke, për këtë arsye nuk është e mundur të prodhohet në Gjermani gjithçka që nevojitet për prodhimin e vaksinave. "Vetëm vaksina të caktuara mund të prodhohen në mënyrë autonome"

"Më e mira është të mendohet në plan ndërkombëtar"

Në çdo rast, është e diskutueshme nëse ia vlen të përpiqesh për një pavarësi të plotë.  Duhet të kihet parasysh se aktualisht nuk dimë as cilat vaksina do të mbizotërojnë për një kohë të gjatë, cilat do të mbesin efektive dhe cilat mund të zhvillohen më tej me sukses.

"Në këtë kuadër, është e mundur që, për shembull, një lloj vaksine që ne mund ta prodhojmë të pavarur në Gjermani të rezultojë të jetë më pak e përshtatshme për epideminë e ardhshme." Të menduarit në mënyrë të izoluar mund të të sjellë probleme. "Kjo është arsyeja pse është më mirë të mendosh në plan ndërkombëtar."

Plani fillestar ishte që task force të raportonte për rezultatet e punës në maj. Megjithatë duket se ky qëllim është ndoshta shumë ambicioz. Një zëdhënëse e Ministrisë Federale të Ekonomisë tha se koncepti është ende në koordinim të brendshëm.